“Rusia e Bashkuar” fiton, por humb shumicën

Ndërkohë që janë numëruar 80 për qind të votave, rezultatet tregojnë se Rusia e Bashkuar ka fituar vetëm 50 për qind të votave, krahasuar me 64 për qind, sa kishte fituar në vitin 2007. Partia Komuniste është në vend të dytë, me 20 për qind të votave.
Analistët e çështjeve ruse kishin parashikuar javët e fundit një rënie të ndjeshme të popullaritetit të partisë, për shkak të pakënaqësisë së votuesve për shtimin e diferencës së të ardhurave mes të pasurve dhe të varfërve në Rusi, si dhe të akuzave për korrupsionin zyrtar.
Në vitin 2007, Rusia e Bashkuar fitoi dy të tretat e dhomës së ulët të parlamentit, Duma, që i dha mundësi asaj ta ndryshonte lehtësisht kushtetutën. Partia po lufton tani të ruajë shumicën në parlament.
Putin tha se rezultatet do të bëjnë që Rusia të ketë një qeveri të qëndrueshme.
Votimi është përcjellë me ngacmime të vëzhguesve të zgjedhjeve dhe dyshime për shkelje zgjedhore.
Vëzhguesit ndërkombëtarë theksuan se zgjedhjet parlamentare në Rusi anuan në favor të partisë në pushtet “Rusia e Bashkuar”, ndërsa u penguan nga shkeljet.
Vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, si dhe ata nga Këshilli Evropian, kanë thënë se fushata për zgjedhjet është përshkruar me “garë të kufizuar politike dhe mungesë të drejtësisë”.
Vëzhguesit njoftuan përmes një deklarate se numërimi i votave u karakterizua me “shkelje të vazhdueshme të procedurave dhe tendenca të manipulimit të dukshëm, duke përfshirë stërmbushjen e kutive të votimit”.