Gjermanët kundër euros

Rreth 60 për qind e gjermanëve mendojnë se futja e euros nuk ka qenë një ide e mirë, dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të monedhës unike, sipas rezultateve të një sondazhi të realizuar për të përjavshmen gjermane ''Focus''.
Përveç të tjerash, sipas të njëjtit studim, 85 për qind e personave të pyetur mendojnë se monedha unike ka sjellë një rritje të çmimeve.
Rreth tre e katërta e gjermanëve shprehen se monedha e tyre e vjetër marka gjermane, ishte më e qëndrueshme në raport me monedhat e huaja, se sa që është euro sot.
Ky sondazh u realizua nga instituti ''TNS Emnid'' për të përjavshmen ''Focus'', me rreth një mijë persona, por e përjavshmja nuk saktëson datën e sondazhit.
Vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, në një sondazh të publikuar nga e përditshmja popullore ''Bild'', gjysma e gjermanëve, rreth 51 për qind ishin shprehur të pakënaqur me euron dhe 49 për qind kërkuan kthimin e markës gjermane.