E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur të shkoni në teatër

“Nata e dymbëdhjetë” e dhënë ditë më parë në Teatrin Kombëtar do të shënojë një ngjarje jo të zakonshme për teatrin. Shfaqje për të cilën zërat janë të ndryshëm. Kjo dyndje idesh në raport me shfaqjen transmeton mesazh provokues tek të gjitha shtresat artistike e më tej.

Një mbindërtim dramaturgjik nga një perspektivë gjuhësore, regjisoriale dhe muzikore. Tabloja artistike e kësaj vepre teatrore është e multimediale për faktin se sendërtohet dhe zbërthehet në disa dimensione artistike ideja. Imagjinata oqeanike e Shekspirit nëpërmes ujërave globale e cila të qon fizikisht edhe deri tek brigjet ilire, për të prekur historinë e prejardhjes sonë, bënë që, ky spektakël, të shijohet ndryshëm nëpërmes gjuhës, pantomimikes, veprimit klasik, konceptit karikatural, stripit, reklamës, veprimit të thjeshtë me një e më shumë pengesa, që do të tejkalohen në formë loje gazmore. Binjakët e kësaj drame, (Viola & Sebastian) do ta jetësojnë magjinë klasike të këtij krijuesi, i cili noton det më det, dhe kapacitetin e tij e përshkallëzon në harkun e anijes njerëzore, e cila synon rrugëtime universale.

Pra, dramaturgjia është rrugëtim brenda asaj unaze në formë rampe e jetësuar nga pena e një mendjendritshmërie ndërshekullore dhe nga projektimi regjisorial që do të interpretohet njerëzishëm, pa patetikë, me nota humori që dalin edhe nga fjala edhe nga veprimi.. Nga perspektiva e aktrimit nëpërmes katërshes së parë, (Shkëlzeni, Teuta, Driada, Eshrefi) shpërfaqet modeli i teatrit klasik, (gjesti, figura, veprimi, humori, interpretimi) përderisa ajka e dytë e aktorëve janë model i konceptit të komedisë me element të karikaturës (Ardi, Ylberi, Adriani, Lulzimi, Edona) ndërsa tjerët janë hallkë përplotësuese e tabelës së shahut matematikor. Regjisori e zbërthen me kujdes e mjeshtri keqkuptimin, konfliktin e zbret në formë loje fëmijësh, (symbyllas, apo ngiles, ose loja me pështymë). Elementë të veçantë që diktohen në keqkuptimin dramaturgjik, dalin të jenë edhe puthjet mes meshkujsh, dhe mes femrash, ku njërën lojë do ta arsyetoj dehja dhe tjetrën imazhi mashkullor i femrës në raport me konteshën. Imagjinata kreative e regjisorit, loja dhe impenjimi i aktorëve, emocioni që ata transmetojnë, veshja ilire, efekti muzikor, hallkat tjera, siç janë këndimi, koreografia, skenografia, dizajni skenik nga një mendësi ndriçuese, e bëjnë veprën akoma më të ndritur dhe më të qëndrueshme.

Relacione

“Nata e dymbëdhjetë” e përkthyer nga Vedat Kokona e përshtatur ndjeshëm për rrethanat e teatrit kontemporan, gjuha e përdorur për dikë që mund të jetë më atraktive, më e qartë në raport me aktorin, interpretimin dhe me audiencën, për dikë do të shkaktonte konfuzion.../ Është krejt e natyrshme, nëse ka mos pajtesë në këtë pikë. Këngëtimi është thyer tërësisht, rima është kthyer në rutinë. Pra, ky interpretim dramaturgjik i përshtatur nga Shkëlzen Berisha, duket se e avancon shfaqjen në raport me publikun e gjerë, por në ndonjë moment, gjuha e personazheve, batutat e tyre, sikur dalin nga korniza e mendësisë së personazheve. Kjo është çështje shijesh fundja.

Shfaqja në rrethana

Nëse notojmë skenë për skenë nga një perspektivë ideoregjisoriale, ekspozeja, niset me nota ritmike muzikore, që në fillim do të njihemi me karakteret, pastaj, vjen shiu, deti, bubullimat që na fusin në dramë, kolona prej zanoresh e ndërtuar kujdesshëm, arsyeshëm në hap me zhvillimet dramatike. Duka (Orsino) në plazh, kënga që bëhet për të, intrigat e korit në raport me të dhe konteshën (Olivia), shërbëtorja që intrigon letra kurthore në adresë të shërbëtorit e konteshës, binjakët, kusaria në total, këngëtari filozof budalla, të gjitha këto skena, do të vijnë në formë tallazesh. Ndërhyrjet janë tupanët, muzika popullore, të cilat e zyrtarizojnë tendencën e spektaklit. Rreth dy orë e gjysmë shfaqje, me një pauzë. “Gjatë” do të thoshte audienca.../ Nëse do të thoshte regjisori se është e pa mundur që të presohej, përshtypjet e ndonjërit nga komuniteti janë të kundërta. A do të mund të kursehej koha me një refren të kënduar../ Tupanët, a do të mund të dinamizoheshin../ Mbase, verdiktin final nuk do të mund që ta definonte askush përveç regjisorit!

Qëndisja

Qëndisja deri në detaje e skenave, “zvëst” kori karshi Dukës, loja me këmbë e tij, dehja në sofrën shqiptare, rekuizitat, rampa që ndan tokën me detin, e punuar me shije, kori që shtrihet pas dhe prapa saj, shfrytëzimi i asaj rampe metaforike për dyluftime, për port anijesh, për kalim nga një akt në tjetrin, pastaj, froni, ku nën bythët e tij do të qëndroj burgu politik../ shkallët në shumë funksione, pëlhura e bardhë në prapaskenë që përshfaq multidimensionalitet artistik, hijet, qielli, nata, mëngjesi, dita, valët e detit, efekti muzikor që vjen nga ajka artistike e aktorëve, të gjitha këto, e bëjnë shfaqjen për tu shijuar ndryshe nga rutiniteti. Ndoshta do të ketë ndonjëri që do të thotë më vonë, mbas një kohe...se ka qenë shfaqje e disiplinës, e marrëdhënies, e harmonisë, e korit, e ritualit, e dizajnuar në sensin e një fotografie artistike, e cila, fundja ka thënë diçka për të kaluarën në raport me të tashmen...nesër do ta thonë të tjerët ndryshe pse jo edhe të kundërtën e kësaj... Pra, kur të shkoni në teatër keni mundësi...

Aktrimi

Në përgjithësi aktorët funksionojnë brenda kërkesave të shfaqjes dhe personazheve që ata interpretojnë. Karakteret e tyre reflektohen të ndryshme, kjo vërehet tek secili aktor për veçantitë e tyre dhe për finesat qofshin ato psikologjike apo fizike. Gjithsesi, nëse do të veçojmë ndonjërin në bazë të peshës së rrolit atëherë katërshja klasike do të veçohen për fjalën e bukur, për shenjat klasike në të inkorporuar e interpretuar, për qëndrimin besnik karshi idesë. Ata janë Shkëlzen Veseli, Teuta Krasniqi, Driada Matoshi dhe Eshref Durmishi. Driada do të vlerësohej edhe për rrolin e saj shtesë në petkun e mashkullit. Pjesa tjetër si: Ard Islami, Ylber Bardhi, Adrian Morina, Lulzim Guhelli, Edona Reshitaj qëndrojnë po kështu besnik në karakteret e tyre, për tallazet komike që trazojnë valë-valë tek audienca, të cilat janë të mbi ndërtuara nga koncepti fizik e psikik, ku do të ngelen si mesi i artë. Dhe brezi i tretë Besnik Krapi, Armend Baloku, Armend Ismajli, Genta Retkoceri, Shpëtim Kastrati që janë hallka e fundit e shfaqjes, të cilët me lojën e mirë të tyre do të mbështesin veglat dramaturgjike të shfaqjes. Trimor Dhomi ka bërë një hap të rëndësishëm për teatrin me atë kompozicion efektiv në kuadër të idesë muzikore të shfaqjes, Petrit Bakalli, Vesa Kraja, Parta Kelmendi me po të njëjta nota vlerësohen, dhe së fundmi, vjen Iliri Bokshi, si hallka më me peshë për këtë projekt teatror, i cili ka mundur për të sjellë këtë zhanër teatror në një frymë kaq kontemporane.

(autori është dramaturg, skenarist dhe publicist)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›