“SHBA-të mbështesin integritetin e Kosovës”

Këto komente, ambasadorja Jacobson i ka bërë pas një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku.
E pyetur nga mediat rreth idesë së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq për ndarjen e Kosovës, ambasadorja amerikane ne Kosovë, ka theksuar se SHBA-të, do të vazhdojnë të mbështesin integritetin territorial të Kosovës.
“Ne e mbështesin integritetin territorial të Kosovës në gjithë vendin duke përfshirë edhe sovranitetin”, ka thënë Jacobson.
Sa i përket takimit me ministrin e FSK-së, Agim Çeku, ajo pohoi se SHBA-të, janë të përkushtuara që të ndihmojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në fusha të ndryshme.
“Ne këtë takim unë kam mësuar me shume për, siç përmendi edhe ministri, vizionin, planet, sfidat dhe procesin e planifikimit strategjik dhe e kam siguruar ministrin për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral dhe mbështetjes për të gjitha proceset. Ne jemi te përkushtuar për të ndihmuar FSK-në në zhvillimin e kapaciteteve në fusha të ndryshme, veçanërisht në kërkim dhe shpëtim, zjarrfikje, largimin e minave dhe zhvendosjen e materialit të rrezikshëm”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka theksuar se në takim me ambasadoren Jacobson, nga kjo e fundit, ka marrë mbështetje se SHBA-të fuqishëm do ta përkrahin FSK-në në agjendën e saj drejt anëtarësimit në NATO. Ai ka thënë se e ka informuar ambasadoren me të arriturat, sfidat dhe vizionin e FSK-së.
“SHBA-të janë partneri jonë kryesor dhe janë mbështetësit më të fuqishëm në ngritjen, ndërtimin dhe zhvillimin e FSK-së. Sukseset e shumta që i ka arritur FSK-ja, do të ishin të pa mundura të arriheshin pa mbështetjen dhe pa këshillat e SHBA-ve për arritjen e këtyre objektivave. SHBA-të, gjithashtu, janë mbështetësi më i fuqishëm i FSK-së, i ministrisë së FSK-së me agjendën tonë në NATO dhe me agjendën tonë të integrimit rajonal dhe bashkëpunimit tonë bilateral me shtetet tjera”, ka thënë Çeku.
Ai ka marrë garancione nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se përkrahja për FSK-së nuk do të mungoj. Çeku është shprehur i kënaqur me nivelin e bashkëpunimit me përfaqësuesit e SHBA-së në Kosovë. /kosovapress/