E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sami Frashëri” kundër Edukatës Fetare

Nga Express më 27 gusht 2011 në ora 18:10

Këshilli i Arsimtarëve të gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë, më 25 gusht ka mbajtur mbledhjen e vet të rregullt, ku përveç tjerash ka shqyrtuar edhe kërkesën e BIK-ut lidhur me futjen në shkollat publike të lëndës “Edukata fetare”.

Këshilli i arsimtarëve i kësaj shkolle, pas diskutimeve për këtë çështje, që pritet të dalë në
Kuvendin e Kosovës, ka lëshuar një deklaratë me të cilën shpreh shqetësimin e vet lidhur me tendencën e BIK-ut dhe të disa grupeve ekstreme islamike, të cilat po tentojnë që ta fusin në shkollat shqipe lëndën e fesë islame, të kamufluar si lëndë të “Edukatës fetare”.

Mësimdhënësit e “Sami Frashëri” janë njoftuar përmes mjeteve të informimit se Kuvendi i Kosovës “shumë shpejt” do të fillojë procedurën e ndërrimit të Ligjit mbi arsimin parauniversitar, dhe kështu do ta aprovojë ligjin e ri, i cili mundëson futjen e lëndës së edukatës fetare në shkollat publike, gjë që bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, sipas së cilës shteti ynë është shtet laik.

Në njoftimin e shpërndarë sot medieve, mësimdhënësit e këtij gjimnazi e kundërshtojnë futjen e “lëndës fetare” në shkollat publike, si dhe bartjen e shamisë religjioze në shkollat tona për këto arsye:

“Shkolla shqipe në Kosovë ka një të kaluar shumë të rëndë por edhe shumë të lavdishme. Gjatë të kaluarës së saj, shkolla shqipe ka pasur shumë pengesa nga okupatorë dhe ideologji të huaja. Pavarësisht peripecive, shkolla shqipe ka mbijetuar dhe sot është në këtë nivel që është, duke iu falënderuar punës vetëmohuese të mësimdhënësve. Duhet të përmendët vetëm periudha e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, kur mësimdhënësit shqiptarë kundërshtuan plan-programet e okupatorit serb dhe mësimin e vazhduan nën tytat e pushkëve, me kushte e pa kushte, me pagë e pa pagë, me bukë e pa bukë, duke e ruajtur kështu kontinuitetin e arsimimit të brezave, pa lejuar krijimin e stoqeve të fëmijëve analfabetë.

Shkollat publike kanë karakter laik dhe kështu duhet ta kenë. Jemi kundër ngjyrimit politik a fetarë të shkollës publike. Jemi në përpjekje të reformimit të vazhdueshëm të shkollës sonë dhe në përpjekje të ngritjes së cilësisë në mësim, gjë të cilën e kemi detyrë të shtruar para vetës , detyrë profesionale, morale dhe patriotike. Mësimin që e kultivojnë sot shkollat tona ka karakter shkencor dhe si i tillë nxënësve tanë ua hapë rrugën për të studiuar në të gjitha universitet e botës, raporton Koha, transmeton IndeksOnline.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›