“Skandali në Kolumbi, turp për SHBA-në”

“Ky skandal na ka turpëruar, pasi të gjithë tani flasin për të dhe jo për konferencën, e cila duhej të ishte në qendër të vëmendjes për shkak të rëndësisë që kishte për presidentin tonë”, tha Shefi e Shtabit, Martin Dempsey, në një konferencë shtypi në Pentagon.
Shërbimi Sekret dhe personeli ushtarak janë marrë në pyetje mbi akuzat për shkelje në prag të vizitës së presidentit Barack Obama, për një samit në Kolumbi në fundjavë.
Njëmbëdhjetë agjentë të shërbimit sekret u pezulluan.
Zëdhënësi i Pentagonit, George Pack, u tha gazetarëve se numri i stafit ushtarak të përfshirë mund të jetë më shumë se pesë, siç ishte raportuar fillimisht.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panneta, shtoi se është një “kërkesë” për forcat amerikane që t’u përmbahen “standardeve më të larta”. Ai tha se nëse gjenden fajtor, njerëzit e përfshirë në skandal do të vihen përpara përgjegjësisë.
Njoftimet për dyshime për sjelljen e pahijshme u bënë të ditura përpara mbërritjes së zotit Obama në qytetin turistik të Kartagjenës ditën e premte.
Të dielën, Obama e quajti këtë incident si një episod të izoluar dhe lavdëroi Shërbimi Sekret në tërësi.