E Diel, 1 Nëntor 2026

“The Japan Times”: A mundet Kosova ta rivizatojë hartën?

është frika nga ndjenjat secesioniste në inflacion në mbarë botën ajo që i tubon qeveritë në anën e Serbisë në këtë kontest

Kosova e vockël, një krahinë e ish-shtetit të Jugosllavisë, ka qenë shkëndija që ndezi zjarret e Ballkanit. Në Betejën e Kosovës, të vitit 1389, forcat otomane mposhtën koalicionin e serbëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve për ta marrë territorin. Ajo vragë djeg thellë në zemrën serbe.
Më 1989, diktatori i ndjerë serb Slobodan Milosheviq e shënoi përvjetorin e betejës, duke deklaruar Kosovën si epiqendër të identitetit serb, duke nisur kështu një proces që do ta shfrenojë nacionalizmin serb, do ta zhbëjë autonominë e krahinës, dhe përfundimisht do të çojë në shpërbërjen e vetë Jugosllavisë dhe burgosjen e Milosheviqit për krime lufte.
Plaga e Kosovës qelbej gjatë tërë kohës së rrëzimit të Jugosllavisë, por Kosova mbeti pjesë e shtetit të copëtuar edhe kur krahinat e tjera të trazuara u shkëputën dhe shpallën pavarësinë e vet. Dikur, represioni i ashpër serb i identitetit kosovar – 93 për qind e popullatës ka lidhje me Shqipërinë fqinje – nxiti një kryengritje, që shkaktoi akte të spastrimit etnik. Vlerësohet se rreth një milion njerëz janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre, së paku 11,000 humbën jetën.
Këto krime nxitën fushatën 78-ditëshe të bombardimit nga NATO-ja kundër Serbisë, pas së cilës Beogradi u dorëzua dhe administrata e Kombeve të Bashkuara mori përgjegjësinë, gjë që instaloi një armëpushim të monitoruar nga NATO-ja dhe garantoi autonominë e Kosovës derisa ruajti integritetin territorial të ish-Jugosllavisë.
Ajo situatë mbizotëroi për më pak se një dekadë, derisa ambiciet e pashpërblyera kosovare nuk u nxitën sërish dhe krahina e shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Serbia menjëherë e dënoi hapin, e paraqiti rastin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila më pas ia referoi çështjen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ai tribunal gjykoi më 22 korrik se deklarata unilaterale e pavarësisë nuk e shkelte të drejtën ndërkombëtare.
Sipas opinionit joobligativ, e drejta ndërkombëtare nuk përmban “ndalesë të deklaratave të pavarësisë”, andaj edhe deklarata e Kosovës “nuk shkel të drejtën ndërkombëtare”. Gjykatësit u përpoqën të zbusin ndikimin e vendimit të tyre duke iu shmangur gjykimit rreth asaj nëse vetë shteti i Kosovës është një entitet ligjor sipas të drejtës ndërkombëtare. Kjo, pohon gjykata, varet nga njohjet që shteti i merr pasi ta bëjë deklaratën.
Në rastin e Kosovës porota ende nuk ka dalë. Deri tani 69 nga 192 vendet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së – dhe Japonia në mesin e tyre – e kanë njohur Kosovën. Pas vendimit, Kosova tani do të dërgojë rastin e saj nëpër kryeqytetet e pavendosura të botës. Ky blic diplomatik do të sfidohet nga Serbia, që është po aq insistuese në ruajtjen e “Serbisë së Madhe” – me zemrën e saj Kosovën – të paprekur.
Posaçërisht Beogradi llogarit në përkrahje nga Kina dhe Rusia. Që të dy vendet kanë minoritete të parehatshme të vetat, dhe qeveritë e tyre kundërshtojnë çdo vendim që mund t’i nxisë këto grupe të shkruajnë deklaratat e veta të pavarësisë. Kina ishte aq e inspiruar sa për të bërë deklarimin e parë gojor para gjykatës prej viteve 1960.
Dhe vërtet është frika nga ndjenjat secesioniste në inflacion në mbarë botën ajo që i tubon qeveritë në anën e Serbisë në këtë kontest. Ka lëvizje separatiste në Qipro, Spanjë, Skotlandë, Itali, Irak, Indonezi, Somaliland, dhe në mbarë Evropën Qendrore dhe Kaukaz. Nëse parashikuesit e katastrofës kanë të drejtë, ky vendim mund të çojë në një rivizatim të hartës së botës.
Kombet perëndimore, së paku ato që e kanë njohur Kosovën, insistojnë se këto frikë janë të fryra. Kosova, thanë ato, është një rast unik, meqë i qe nënshtruar spastrimit etnik që nxiti intervenimin e NATO-s. Shumë pak raste të tjera mund të konstituohen kështu.
Osetia Jugore dhe Abkhazia mund të thonë se situatat e tyre janë të qepura nga materiali i njëjtë. Republika e Osetisë Jugore shpalli pavarësinë nga Gjeorgjia më 1990, por ajo nuk njihet nga Gjeorgjia apo pjesa tjetër e botës. Kjo ka nxitur disa konflikte që kulmuan me “çlirimin” e rajonit nga ushtria ruse më 2008.
Republika e Osetisë Jugore prej atëherë është njohur nga Rusia dhe tri shtete të tjera. Moska nuk duket e trazuar nga kontradikta e qartë e pozicioneve të saja; veçantitë e secilit rast – dhe ndërlidhja me interesat e gjera nacionale ruse – duket se mbizotërojnë ndaj parimeve.
Qeveria serbe ka thënë se hapi i saj i ardhshëm – në tandem me ofensivën diplomatike – do të jetë paraqitja e një rezolute para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që kërkon një kompromis për situatën. Nuk është e qartë se çfarë kompromisi mund t’i kënaqë ambiciet e Kosovës. Pas këtij vendimi pengesa mund të jetë edhe më lartë se më parë. Si minimum, megjithatë, është me rëndësi të shihet një zhvillim me rëndësi nga ky proces: Serbia dhe Kosova po e luftojnë këtë punë në gjyq dhe jo në fushëbetejë. Vetë ky është një progres i konsiderueshëm.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›