E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vëllai...” i Ahmetit në Pejë

Nesër në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës, do të jepet premiera e shfaqjes “Vëlla, vëlla kosi me…” me tekste të Foqion Postolit dhe Kristo Flloqit, në adaptim e regji të Ahmet Jakupit. Nga Albana S. Muja më 03 prill 2011 në ora 16:12

Tri tekste të dy autorëve, Foqion Postolit dhe Kristo Flloqit, u adaptuan në një komedi, e cila do të shfaqet para audiencës të hënën mbrëma, në Teatrin “Istref Begolli” të Pejës.

Është shfaqja “Vëlla, vëlla kosi me…” e regjisorit Ahmet Jakupi, i cili gjithashtu ka bërë edhe adaptimin e tri komedive: “Martesa e avokatit” të Foqion Postolit dhe “Vëllazëri e interes” e “Zi e ma zi” të Kristo Flloqit.

“Me këtë shfaqje kam dashur që të bëj një zinxhir të mirë të këtyre autorëve dhe veprave të tyre, sepse e meritojnë dhe jam i bindur që të hënën, kur të luhet shfaqja, Foqion Postoli do të jetë i falënderuar në atë botën e tij, e edhe Kristo Floqi thotë ‘shyqyr që po më përmendin edhe mua ndonjëherë. E meritojnë’”, tha Jakupi.
Pas rreth një muaj prova, Jakupi shprehet i kënaqur me gjithë punën e bërë dhe, gjithashtu, paralajmëron që është gjithçka gati për skenë.

Në shfaqje luajnë aktorët Labinot Lajçi, Rudina Zhara, Lulzim Guhelli, Adriana Morina e Fjolla Nushi. Ndërsa shfaqja trajton martesën e një avokati, duke dashur të tregojë se shqiptarët në Amerikë janë punëtorë dhe kanë arritur shumë. Por edhe atje dhe kudo jashtë, njeriu ynë ka mall për vendin e tij. Ka të tillë që më dëshirë do të kthehen në atdhe dhe të jetojnë me qejf në tokën e vetë, duke i lënë të gjitha të mirat dhe luksin. Avokati gjendet në një situatë të tillë, kthehet në atdheun e vet për t’u martuar me një shqiptare. I njëjti personazh në pjesën e dytë kthehet te vëllai i vet. Ai vjen t’i ndihmojë financiarisht vëllait, por transformohet në një leckaman fukara. Si një i varfër, vëllai i tij duke e pritur me padurim, dëshpërohet se paska qenë duke e pritur një vëlla që ka dështuar. Pra demoralizohet aq shumë, sa që e mohon se e ka vëlla (të kthyerin) dhe e dëbon prej shtëpisë.

Në pjesën e tretë, të njëjtët personazhe i gjejmë në pozita të ndryshme, ku për fat të “keq e të zi” Gala, grua e re, mbetet pa burrë dhe në ditën e tretë të zisë e vajtimit ajo martohet, duke mos pritur dyzet ditë, sipas adetit. Pra i gjalli me të gjallët e i vdekuri me të vdekurit, se edhe kosi, vëlla, është me lekë, euro apo dollarë. Kjo është filozofia e shfaqjes.

E gjithë shfaqja, sipas Ahmetit, nxjerr në pah që njerëzit tanë, të cilët punojnë jashtë vendit, në një mënyrë apo tjetër, mundohen të tregojnë që vlejnë shqiptarët atje dhe në një moment kanë dëshirë që gjithë pasurinë dhe gjithë dijeninë ta kthejnë në shtëpi, në atdhe. Por kur kthehen gjenden para një realiteti të hidhur, paratë e tyre duhen më shumë se vetë ata. “ Unë si regjisor, por edhe regjisorët tjerë, duhet t’u rrekemi autorëve që kanë shkruar qoftë edhe më herët, edhe autorëve para 80 apo 100 vjetëve, sepse problemet që ishin janë ende”, thotë Ahmeti.

Ahmeti shpreson që shfaqja do të pritet mirë në premierën e saj, aq më shumë që vetëm me atë që është parë gjatë provave, pesë repriza janë shitur paraprakisht. Shfaqja do të jepet edhe në Prishtinë, por edhe në disa festivale të komedisë në rajon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›