15 mijë persona kanë aplikuar për strehim pranë njësive të qeverisjes vendore
Flet drejtoresha e Politikave të Strehimit në Ministrinë e Punëve Publike, Doris Andoni
Rreth 15 mijë persona kanë aplikuar për strehim në të gjithë vendin pranë njësive të qeverisjes vendore. Drejtoresha e Politikave të Strehimit në Ministrinë e Punëve Publike, Doris Andoni në një intervistë tha se, qeveria përmes projekteve të banesave sociale me qera dhe kreditimit të lehtësuar po ndihmon familjet që kanë pamundësi për të siguruar një banesë. Sipas saj, në të gjithë vendin numri i aplikimeve llogaritet rreth 15 mijë, ndërsa deri tani janë trajtuar me banesa sociale ose kredi të lehtësuar 1.784 familje. "Në total kanë përfunduar së ndërtuari 1.138 apartamente, në ndihmë të të pastrehëve, konkretisht, 385 apartamente në Tiranë, 126 në Durrës, 99 në Korçë, 96 në Elbasan, 96 në Fier, si dhe një sërë apartamentesh përkatësisht në bashkitë e Kavajës, Beratit dhe Peshkopisë", deklaroi Andoni. Ndërkohë, theksoi ajo, nga projekti i kreditimit të lehtësuar, për vitin 2011 kanë përfituar 646 familje të kategorive të ndryshme përkatësisht, qirramarrës (ku interesin e kredisë e kanë 0%) 93 familje, përfituesit sipas ligjit për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane, (3%) - 489 familje; nga të cilët 13% i përkasin qytetit të Tiranës dhe pjesa tjetër është e shpërndarë në 41 bashki të tjera si dhe nënpunës civil dhe funksionarë me interes (4%) 64 familje. "Projekti ka vënë në qarkullim një stok banesash me një vlerë totale prej 5,1 miliardë lekë dhe ka kontribuar me gati 2% në rritjen e kreditimit për pasuritë e paluajtshme të bankave të nivelit të dytë", tha Andoni. Për vitin 2012, sipas Andonit po shqyrtohen kontratat e lidhura nga njësitë bashkiake për kredi të lehtësuara në fund të vitit 2011 dhe në janar të këtij viti, për të vijuar më tej me disbursimin e fondeve. Sipas saj, nga qeveria është dyfishuar fondi për kreditimin e lehtësuar. Nga 120 milionë lekë që ishte në vitin 2011, fondi në vitin 2012 llogaritet 240 milionë lekë. Sa i përket banesave sociale me qera, objektiv mbetet ndërtimi i infrastrukturës për ndërtesat që tashmë kanë përfunduar, konkretisht në Tiranë, në mënyrë që familjet që kanë përfituar të mund të akomodohen. Sipas të dhënave paraprake të censusit 2011 të popullsisë dhe banesave, në vitin 2011 u numëruan 1.075,881 banesa në të gjithë vendin. Nga këto rezulton se vetëm 722,481 janë banesa të banuara. Referuar të dhënave paraprake të censusit, 195,641 banesa të banuara numërohen në Tiranë. Kjo shifër krahasuar me të dhënat e censusit të vitit 2001 është 56,871 më e lartë. Bazuar në të dhënat paraprake të Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011, rezulton se popullsia e Shqipërisë është 2,831,741 banorë. Ndërkohë që numri i popullsisë nga Censusi i vitit 2001 ishte 3,069,275. Vihet re se numri i popullsisë në vitin 2011 është zvogëluar me 7.7% gjatë këtyre dhjetë vjetëve. Supozohet që shkaqet kryesore të zvogëlimit të popullsisë janë emigrimi në shkallë të gjerë dhe rënia e lindshmërisë. Numri gjithsej i banesave në Shqipëri bazuar në të dhënat paraprake të Censusit të vitit 2011 është 1,075,881. Në censusin e vitit 2001, numri i banesave ishte 785,515. Përqindja e rritjes së numrit të banesave në krahasim me vitin 2001 është 37.0%. Gjithashtu në këtë census janë numëruar 740,256 njësi ekonomike familjare (Nj.E.F), ndërkohë që në vitin 2001 kjo shifër ka qenë 726,895. Numri mesatar i pjesëtarëve të një Nj.E.F-je është 3.8. Në censusin e vitit 2001 ky tregues ishte 4.2. Numri mesatar i pjesëtarëve për Nj.E.F në zonat urbane është 3.6 nga 3.9 që ështe në vitin 2001. Nga ana tjetër, në zonat rurale ky tregues është 4.1 nga 4.5 që ishte në vitin 2001. Popullsia rezidente është e përbërë nga 1,421,810 meshkuj (50.2%) dhe 1,409,931 femra (49.8).
...