E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcohen sanksionet për mbrojtjen e të dhënave personale

12-02-2012 / Gazeta 55

Komisionerja Flora Çabej thotë se ndryshimet në ligj do forcojnë mbrojtjen e privatësisë      


Ndryshimet e fundit në ligjin "Për mbrojtjen e të dhënave personale" synojnë forcimin e sanksioneve ligjore ndaj individëve që cënojnë jetën private të qytetarëve duke garantuar  më shumë siguri në jetën e tyre. Komisionerja për mbrojtjen e të dhënave personale, Flora Çabej, duke folur në një intervistë për amendimet e miratuara së fundi nga qeveria thotë se, ndonëse në Shqipëri ligji ‘për mbrojtjen e të dhënave personale’, i miratuar në vitin 2008, u hartua në përputhje me standardet e BE-së, sërish ka pasur nevojë për definicione të mirëfillta e të qarta, pasi sanksionet ndaj shkelësve të ligjit duhet të ishin të paktën të përafërta me ato të vendeve të Bashkimit Europian. "Masat e ndëshkimit edhe në vendet e BE-së për rastet e shkeljes së privatësisë kanë ardhur duke u rritur përmes rritjes së sanksioneve. Jo vetëm Shqipëria, por dhe vende të tjera europiane i kanë rritur gjobat për këtë qëllim, madje në shuma marramendëse. Me ligjin aktual sanksionet përmes gjobave janë fare sinjifikative dhe nuk kanë efektin e duhur, ndërsa amendimet e propozura synojnë të rrisin efikasitetin dhe ta bëjnë ligjin më ekzigjent në këtë drejtim", u shpreh komisionerja Çabej. Sipas saj rol të rëndësishëm në mosrrjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve kanë kontrolluesit, të cilët mbledhin, përpunojnë dhe kontrollojnë të dhënat personale. "Detyrimi ligjor i kontrolluesve është që të njoftojnë përpunimin e të dhënave personale që ata kryejnë dhe të ruajnë konfindencialitetin e tyre, përmes zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të individit", shprehet komisionerja. Të martën Këshilli i Ministrave miratoi disa amendime në ligjin "për mbrojtjen e të dhënave personale", të cilat synojnë forcimin e ligjit në funksion të mbrojtjes së privatësisë dhe dinjitetit njerëzor. Në këtë kuadër kryeministri Sali Berisha shprehu keqardhje, sidomos për jetën e artistëve dhe shkrimtarëve, e cila sipas tij është "objekt i një agresioni të pamëshirshëm mediatik". Duke e konsideruar mbrojtjen e të dhënave personale një obligim madhor ligjor të shoqërive të lira, kryeministri e gjykoi të domosdoshme dhe ndërhyrjen në Kodin Penal, në interes të mbrojtjes së privatësisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›