E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politika e Bllokut ka penguar zhvillimin e kryeqytetit shqiptar”

12-02-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha vlerëson 11 shkurtin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë

Kryeministri Berisha vlerëson 11 shkurtin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë, si një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare, pas formimit të qeverisë së parë në Kongresin e Lushnjes më 21 janar të 1920-ës. Berisha shprehu konsideratën e lartë për projektuesit e Tiranës Kryeqytet, të cilët i dhanë asaj një projeksion tërësisht perëndimor
Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm në konferencën për 92 vjetorin e shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë, e cilësoi 11 shkurtin si një nga datat më të mëdha të historisë së përpjekjeve të shqiptarëve, për ndërtimin e shtetit, për liri dhe dinjitet.
Për kryeministrin Berisha, Tirana para së gjithash dhe mbi të gjitha, ishte kryeqyteti politik i shqiptarëve dhe i udhëheqjes së lëvizjeve të mëdha politike të kombit.
“Është një privilegj i veçantë për mua dhe nder shumë i madh, t’ju përshëndes sot, të përshëndes në këtë ditë të lindjes së kryeqytetit tonë, çdo tiranas, çdo qytetar të kryeqytetit dhe çdo shqiptar, në një nga datat më të mëdha të historisë së përpjekjeve tona për ndërtimin  e shtetit, të përpjekjeve tona për liri dhe dinjitet. Përzgjedhja e Tiranës për kryeqytet të kombit ishte një nga aktet më madhore, në përpjekjet e shqiptarëve, për të ndërtuar  të ardhmen e tyre, si një komb i lirë. 92 vjet më parë Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe anëtarë të tjerë të kabinetit të zgjedhur në Kongresin e Lushnjës, Kreu kolektiv i shtetit, Imzot Luigj Bumçi, Abdi Toptani, Aqif Pashë Elbasani, Mihal Turtulli morën një nga vendimet më të mençura, në tërë historinë tonë, vendimin për të bërë Tiranën kryeqytetin e Shqipërisë, kryeqytetin e shqiptarëve. Cilido që lexon Sami Frashërin do të gjejë se ky profet tokësor i shqiptarëve, në përshkrimin e kryeqytetit të kombit të tij kishte parashikuar një kryeqytet, i cili në të gjitha trojet e vendit, nuk mund të ishte tjetër përveçse Tirana, për pamjen, për rrugët, për të gjitha karakteristikat. Ata burra që morën vendimin për të shpallur Tiranën kryeqytet, në një akt madhor mençurie, u nisën sigurisht nga shumë faktorë, por njeri ishte pa mëdyshje më kryesori dhe kjo ishte zemra e tiranasve, bujaria  e tyre, mikpritja  e tyre, virtyti i tyre, atdhedashuria e tyre. Tirana është epiqendra politike e shqiptarëve, është zemra dhe truri i kombit, por mbi të gjitha Tirana është ëndrra  e shqiptarëve, ëndrra më e bukur e tyre, ndaj dhe zoti kryetar, duhet tu përgëzoj për frymën qytetare që keni rikthyer me të gjithë ekipin tuaj, në një kohë të shkurtër, në këtë qytet të mrekullueshëm, i cili para së gjithash dhe mbi të gjitha kërkon tu frymëzojë ju, të na frymëzojë ne, të frymëzojë gjithë politikanët, drejtuesit, me virtytet e shpirtit dhe zemrës së saj”, u shpreh Berisha.
Në këtë 92 vjetor të shpalljes kryeqytet, sipas Berishës, Tirana është lokomotivë e zhvillimit ekonomik. Sot Tirana, nënvizoi kreu i ekzekutivit, i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe shqiptareje.
“Sot ne festojmë 92 vjetorin e lindjes së kryeqytetit. Datën si qytet e ka shumë më të largët, por e festojmë në një kryeqytet të një vendi anëtar të NATO-s; e festojmë në një kryeqytet, i cili krijoi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj vlera të mëdha evropiane; e festojmë në një kryeqytet që është  sot, lokomotivë  kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit; e festojmë në një kryeqytet që i jep nder dhe krenari çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje kudo që ndodhet, në Shqipëri dhe në botë”.
Berisha theksoi se ata që themeluan Tiranën si kryeqytet, jo vetëm bënë një nga vendimet më të mençura në historinë kombit, por ata Tiranën, e cila kishte gjithsej 8 vite shkëputur nga Porta dhe Perandoria e Lindjes do ta themelonin, si një qytet kryekëput perëndimor, do i jepnin asaj në një kohë të shkurtër rrugë dhe bulevarde ndër më të bukurat, do t’i hartonin Tiranës, projektet e njërit prej qyteteve më moderne në rajon dhe ne Evropë. Kryeministri u ndal dhe në periudhat e errëta të historisë, skutat e të cilave do t’i rezervonin Tiranës “bunkerin e barbarisë komuniste”. Por, sikundër u shpreh Berisha, Tirana do të bëhej protagoniste e përmbysjes së diktatorit.
“Tirana ra në kthetrat e një grupi, e një bande barbare, e cila u përqendrua në bllok dhe s’u integrua dot kurrë në qytetin e Tiranës, ndërtoi bunkerin e vet, por nuk penetroi dot kurrë, në rrugët, rrugicat , në mendjen dhe zemrën e qytetarëve të Tiranës. Vërtetë nga bunkeri projektoi të gjitha planet dhe veprimet katastrofale, barbare për shqiptarët, por në rastin më të parë, Tirana u dha përgjigjen e merituar, pasi do të ishte qyteti që do të përmbyste diktatorin, do të udhëhiqte Shqipërinë, do të themelonte partinë  e parë opozitare, do të përmbyste diktatorin në rrugët dhe rrugicat e saj, do të shndërrohej sërish në një udhëheqje të progresit, në një promotor të madh të udhëheqjes dhe zhvillimit”, u shpreh më tej, kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›