“Kreshnik Spahiu fshehu provat e veprimtarisë së tij politike në KLD”

Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj
Reforma në sistemin e Drejtësisë, detyrë parësore për Presidentin e ardhshëm - shkeljet e kryera nga Kreshnik Spahiu, nuk duhet të ndodhin më
Kryetari i komisionit hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut tha dje se nënkryetari i KLD-së fshehu provat e veprimtarisë së tij politike në KLD. Për Alibeajn, hetimet janë mbyllur të premten, ndërsa të hënën e javës së ardhshme, do të miratohet raporti përfundimtar i cili do t’i përcillet seancës plenare.
“Hetimet janë mbyllur që ditën e premte. Spahiu nuk solli asnjë informacion në komision, por Spahiu e ka pranuar se në KLD ka ushtruar veprimtari politike. Në ligjin për komisionet hetimore, në nenin 17, thuhet se dokumentet zyrtare në institucionet shtetërore, janë të detyruara ti vihen në dispozicion komisionit të ngritur për hetimin përkatës. Ne iu drejtuam KLD-së me një shkresë zyrtare, duke i lënë dhe kohën e duhur për t’i vënë ato në dispozicion. Sa kohë një institucion ngrihet në bazë të ligjit, ai është i njohur për këdo. Në dy raste të njëpasnjëshme, nuk u sollën dokumentet e kërkuara. Pra, ndodhi shkelja e një urdhërimi. Shkelja e këtij urdhërimi, të çon drejt një thyerje ligjore, e cila të çon në shkelje penale”, u shpreh deputeti demokrat, Alibeaj.
Ai sqaroi se në kërkesën drejtuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është kërkuar konkretisht, rendi i ditës së mbledhjeve të KLD, procesverbalet e mbledhjeve dhe një vërtetim financiar.
Sipas tij, KLD nuk i vuri asnjëherë në dispozicion të komisionit, të dhënat e kërkuara. “Ne kërkuam procesverbalet e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, rendin e ditës të mbledhjeve të KLD, kërkuam një vërtetim financiar, të cilin e morëm nga dega e thesarit dhe jo nga institucioni i KLD-së. Nëse janë përdorur apo jo burimet njerëzore, jo veç stafi, por edhe gjyqtarë, është çështje e cila verifikohet nga të gjitha pamjet televizive, të marra nga televizione të ndryshme, gjatë aktiviteteve të tij politike. Ne duhet të verifikojmë që, kjo çështje është në stadin e një veprimtarie politike apo jo”, tha ai. Lidhur me një përfshirje të mundshme të gjyqtarëve në aktivitetet politike të Spahiut, Alibeaj tha se ndaj tyre do ndërmerren masa disiplinore.
“Nëse ka gjyqtarë që kanë marrë pjesë në veprimtari politike, atëherë është i mundshëm procedimi disiplinor, i iniciuar nga Ministria e Drejtësisë, pra një masë ndëshkimore”.
Lidhur me kërkesën e nënkryetarit të KLD, drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për të sqaruar kompetencat e gjyqësorit me të parlamentit, Alibeaj tha se nuk jemi në kushtet e një përplasje personale.
“Ajo që nuk është sjellje Kushtetuese, është që nënkryetari i KLD-së ka organizuar një veprimtari politike, e cila është e ndaluar me ligj. Ndalimi i ushtrimit të veprimtarive politike për funksionarët e institucioneve publike. Gjithsesi, nuk ka asnjë lloj konture, apo përplasje mes institucioneve”.
Edhe njëherë, ish ministri i Drejtësisë, foli për reformimin e sistemit të drejtësisë, për të rritur kështu besueshmërinë e publikut.
Sipas tij, KLD duhet të ketë një lloj refleksioni për gjendjen e tij aktuale.
“Komisioni hetimor do bëjë një pasqyrim të gjendjes aktuale të KLD-së. Presidenti i ardhshëm do të duhet të rifillojë një bashkëpunim të ri, për të ndryshuar së pari në frymë dhe më pas duke përmbushur detyrimet ligjore dhe kushtetuese. Një sistem i ri rregullash, një sistem i ri meritokratik. Gjërat e mira bëhen shpejt. Jo vetëm të përcaktohet një kuadër i ri ligjor, për mbrojtjen dhe llogaridhënien e gjyqtarëve, por edhe të krijohet besnikëria e gjyqtarëve. Shkeljet e kryera nga Kreshnik Spahiu, nuk duhet të ndodhin më”.