E Diel, 1 Nëntor 2026

15 vjet nga themelimi i prezencës së OSBE në Shqipëri. Wollfarth: Mbështetje në rrugën e reformave dhe konsolidimit të institucioneve demokratike

27-03-2012 / Gazeta 55

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shënon sot 15-vjetorin e krijimit të saj, në një veprimtari të mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, të organizuar nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Ëollfarth.
“Për 15 vjet, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur Shqipërinë në rrugën e reformave gjithëpërfshirëse, duke ndihmuar në konsolidimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të institucioneve kombëtare”, tha ambasadori Eugen Ëollfarth në ceremoni.
“Gjatë 15 viteve të fundit, është bërë përparim i ndjeshëm. Falë punës së madhe dhe përkushtimit të qeverisë aktuale dhe atyre të mëparshme, sot shohim një Shqipëri më të fortë, më të gjallë e më të mirë. Gëzimi më i madh që ndaj me qytetarët shqiptarë është liberalizimi i vizave. Me krenari mund të them se Prezenca e OSBE-së ka kontribuar në përparimin që ka bërë ky vend. Jam veçanërisht krenar që Prezenca ka kontribuar në procesin e reformave që kulmoi me liberalizimin e vizave Shengen. Në vitin 2012, ndërsa Shqipëria feston 100-vjetorin e pavarësisë së saj, unë u bashkohem të gjithë atyre që duan të shohin të bëhen përpjekje më të mëdha në axhendën e reformave”, theksoi ai.
Qëllimi i Prezencës është të promovojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, si dhe të forcojë institucionet demokratike, në përputhje me parimet dhe angazhimet e OSBE-së. Prezenca është e mandatuar të punojë në fushat e reformave legjislative dhe gjyqësore, reformës së pronave, reformës elektorale, reformës administrative rajonale, rritjes së kapaciteteve parlamentare, anti-trafikimit dhe anti-korrupsionit, zhvillimit të medias, promovimit të qeverisjes së mirë, zhvillimit të shoqërisë civile dhe ndihmës për policinë. Gjithashtu, ajo ndihmon në procesin e demilitarizimit.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u krijua nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së më 27 mars 1997.

Fjala e plotë e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth

Zonja kryetare,
Ministra,
Deputetë,
Shkëlqesi,
Miq të nderuar,
Zonja dhe zotërinj,
E sotmja është një ditë e rëndësishme për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri sepse shënon 15-vjetorin e saj.
Më 27 mars 1997, Këshilli i Përhershëm i OSBE-së themeloi me konsensus të plotë Prezencën në këtë vend.
Prezenca e OSBE-së ka ecur bashkë me Shqipërinë për 15 vjet përgjatë rrugës së gjatë të reformave në vend, duke ofruar asistencë për të konsoliduar dhe forcuar institucionet shqiptare.
Që nga viti 1997, Prezenca ka qenë e angazhuar në promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në linjë me parimet, standardet dhe angazhimet e OSBE-së.
Që nga ajo kohë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka punuar në fushën e reformës zgjedhore, legjislative, gjyqësore, të pronës dhe reformës administrative, në ngritjen e kapaciteteve të parlamentit, në luftën ndaj trafikimit dhe korrupsionit, në zhvillimin e medias, promovimin e qeverisjes së mirë, si dhe ka ofruar asistencë në fushën e policisë dhe sigurisë, barazisë gjinore dhe zhvillimit të shoqërisë civile.
Por në të gjitha këto, mendoj se duhet theksuar se Prezenca e OSBE-së mund të japë kontribut vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët tanë shqiptarë dhe ndërkombëtarë.
Do të doja të falënderoja publikisht të gjithë të pranishmit dhe ata që na kanë paraprirë për përkushtimin dhe mbështetjen që kanë ofruar gjatë gjithë kësaj kohe. Falënderimet tona u shkojnë Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe përfaqësuesve të tyre në terren si dhe vendit pritës. Një falënderim i veçantë shkon për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Dua të falenderoj me përzemërsi Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto, i cili ndodhet në vizita zyrtare në Gjirin Persik, për mbështetjen e tij institucionale dhe personale, besimin dhe partneritetin dhe i uroj një udhëtim shumë të suksesshëm dhe kthim të mbarë në vend.

Zonja Kryetare,
Të nderuar miq,

Duhet thënë se gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, për shkak të punës së madhe dhe angazhimit të Qeverive nga të dyja anët, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm. Më lejoni të përmend vetëm disa prej arritjeve tuaja:
Ndryshe nga viti 1997, tanimë paqja sundon në mbarë vendin.
Shqipëria është tashmë anëtare me të drejta të plota e NATO-s dhe kontribuon në mënyrë aktive në arritjen e objektivave të sigurisë në rajon dhe në nivel global.
Liberalizimi i vizave duhet konsideruar si një tjetër hap i rëndësishëm.
Shqipëria ka arsye të mira për të festuar 100 vjetorin e saj me krenari.
Viti 2012 do të jetë pa dyshim një vit vendimtar për aspiratat ndërkombëtare të Shqipërisë, dhe me shumë punë për të bërë.
Nevojitet përparim i mëtejshëm për të siguruar që institucionet, sistemi demokratik dhe shteti i së drejtës të funksionojnë plotësisht.
Kuvendi i Shqipërisë është një institucion kyç në këtë kontekst.

Është një nder i veçantë për Prezencën e OSBE-së në Shqipëri të festojë përvjetorin e saj në një vend i cili duhet të jetë dhe fytyra e demokracisë: në një parlament të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Ju falënderoj nga thellësia e zemrës zonja Kryetare për këtë gjest zemërgjerë, që hapët dyert e kësaj shtëpie për ne, në këtë ditë kaq domethënëse.

Parlamenti është vendi ku mund dhe duhet të ndodhë debati demokratik. Kjo është fryma e demokracisë.

Sot vëmë re me kënaqësi progresin e bërë në lidhje me miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar.

Zgjedhja e Avokatit të Popullit në Kuvend tregoi sesi një dialog midis partive mund të jetë efektiv në të mirë të popullit.

Duket se Shqipëria është kthyer në rrugën e dëshiruar të realizueshmërisë.

Është një zhvillim që meriton të përshëndetet. Dhe që duhet të vazhdojë. 

Ne shpresojmë të shohim zhvillim të mëtejshëm të reformës zgjedhore, gjyqësore dhe parlamentare.

Shpresojmë të shohim shtim të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin dhe trafikimin.

Shpresojmë të shohim angazhim dhe përfundim në kohë dhe cilësor të reformave.

Shenjat e kohëve të fundit kanë qenë inkurajuese.

Çfarë nevojitet për hapat në vazhdim? – një ndjenjë e dukshme kompromisi, drejtësi dhe vullnet i mirë për të qenë të frytshëm dhe një besim që duhet përforcuar më tej.

Zonja Kryetare
Miq të nderuar,

Prezenca e OSBE-së ka punuar ngushtë me Kuvendin në organizimin e një tryeze të rëndësishme mbi reformën zgjedhore e cila është duke ndodhur tashmë në Tiranë ndërsa ne jemi këtu.

Unë shpresoj dhe besoj fort se të gjithë aktorët vendas do të përdorin sa më mirë ekspertizën ndërkombëtare që ne ofrojmë.

Siç e kam thënë, Parlamenti është vendi i parë dhe i duhur për të dhënë fryt.

Prezenca e OSBE-së ka mbështetur tradicionalisht Kuvendin në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve të menaxhimit të burimeve njerëzore, në përmirësimin e transparencës dhe disponueshmërisë së informacionit që prodhohet në Kuvend, në modernizimin e infrastrukturës dhe të kapaciteteve të bibliotekës.

Pjesë e kontributit në bibliotekën e Kuvendit është publikimi aktual, në anglisht, i Manualit të Legjislaturës 2009-2013.

Zonja kryetare,
Ministra,
Deputetë,
Shkëlqesi,
Miq të nderuar,
Zonja dhe zotërinj,

Po përfundoj fjalën duke uruar për të gjithë ne një bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen, me një frymë sigurie dhe bashkëpunimi që sheh Shqipërinë si një partner më se të denjë në rrugën e reformave.

Tani ju ftoj të ngremë gotat në një dolli për suksesin e ardhshëm të Shqipërisë.

Suksese Shqipërisë!

Faleminderit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›