Stefan Fyle në Prishtinë: Mbështetje politike aspiratave integruese të Kosovës

Komisioneri për Zgjerimin shpalli sot zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën.
Thaçi: Integrimi, përtej interesave partiake
Jahjaga: Angazhim institucional për t’iu përgjigjur detyrave të integrimit
Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle sot në Prishtinë shpalli zyrtarisht fillimin e studimit të fizibilitetit për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Studimi i fizibilitetit, synon të identifikojë fushat ku Kosova duhet të bëjë progres të mëtutjeshëm, në mënyrë që të mund të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me BE-në. Kjo marrëveshje, është hap i parë nëpërmjet të cilit synohet që të arrihet statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. “Ndjehem i lumtur që tanimë do të nisë studimi i fizibilitetit për Kosovën. Studimi i fizibilitetit do të përcaktojë politika integruese të Kosovës në arritjen e standardeve dhe do të sygjerojë se çfarë duhet të bëjë Kosova.
Stefan Fule, dokumentin e fillimit zyrtarë të procesit të studimit të fizibilitetit për Kosovën, ua ka dorëzuar përfaqësuesve të institucioneve kryesore të vendit, presidentes dhe kryeministrit të vendit.
Hashim Thaçi
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit ku ishte prezent edhe komisioneri evropian për zgjerim Stefan Fule.
Sipas Thaçit përmes Këshillit do mund të krijohet një vizion i përbashkët për integrimin. “Procesi i integrimit do ngrihet përtej politikave ditore dhe partiake. Periudha e kësaj dekade është ajo e organizimit dhe futjes së Kosovës në strukturat euroatlantike. Ndaj lajmi i shumëpritur për nisjen e studimit të fizibilitetit është konfirmim i rrugës së sigurtë të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh Thaçi.
Sipas tij, kjo e bën Kosovën të hyjë në procesin e integrimit në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor.
Atifete Jahjaga
Presidentja e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga u shpreh sot se institucionet e Kosovës e kanë vullnetin që secilin prej detyrave që kërkohet nga Bashkimi Evropian, të plotësohet në kuadër të sigurimit të kushteve sa më të mira për qytetarët e vendit. Jahjaga tha se takimi i sotëm është shprehje dhe dëshmi se të gjithë ne institucionet, partitë politike, institucionet akademike dhe të gjithë qytetare keni vullnetin për të vazhduar në këtë rrugë.
“Si president e vendit do të ndërmarrë çdo veprim që shton efikasitetin e institucioneve në përshpejtimin e dinamikës për integrim në BE”- u shpreh ajo.