E Diel, 1 Nëntor 2026

15-vjetori i masakrës, Meta, homazhe në Srebrenicë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë pjesë dje në homazhet që u zhvilluan në vendin ku 15 vjet më parë ndodhi masakra e Srebrenicës. Ai u prit nga Presidenti i Bosnjës, Haris Silajdzic. Numri dy i qeverisë shqiptare ka vënë një kurorë me lule në përmendoren në kujtim të viktimave. Më pas ka vizituar ekspozitën në përkujtim të viktimave dhe është takuar dhe me familjarë të tyre. Pas pjesëmarrjes në këtë ceremoni, ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri Meta është shprehur se duhet të vendoset drejtësi e plotë për atë masakër, e cila nuk mund të harrohet asnjëherë. Srebrenca është krimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore. Shpreh solidaritetin me popullin boshnjak dhe familjarët e viktimave. Duhet të mësojmë shumë nga e kaluara që kjo të mos ndodhë më, - deklaroi ai. Zëvendëskryeministri pohoi se detyra jonë është të garantojmë një të ardhme më të sigurt në Ballkan. Meta nënvizoi më tej se kërkimet për ish-komandantin e ushtrisë serbe në Bosnjë, Ratko Mlladiç, duhet të finalizohen me kapjen e tij dhe dërgimin para drejtësisë për krimet që ka bërë. Ata që kryen krimet e Srebrenicës, bënë të njëjtën gjë edhe në Reçak dhe në Prekaz, - ka thënë Meta gjatë fjalës së tij në ceremoninë e homazheve. Meta është shprehur se Shqipëria dhe Bosnja, ashtu sikundër të gjitha vendet e Ballkanit, shkojnë drejt një të ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian me gjithë problemet e së kaluarës. Në ceremoninë përkujtimore ishte i pranishëm edhe Kryeministri turk Taip Erdogan, Presidenti serb Boris Tadiç dhe ministri i Jashtëm francez, Bernard Kouchner.


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›