E Diel, 1 Nëntor 2026

Srebrenica, Berisha: Fajtorët, para drejtësisë

Dhimbja edhe më e madhe, kur kryefajtori Mlladiç është i lirë

Fajtorët për masakrën e Srebrenicës duhet të vihen para drejtësisë. Kështu ka deklaruar Kryeministri Sali Berisha në një mesazh me rastin e 15-vjetorit të kësaj masakre, ku humbën jetën mbi 8 mijë persona. Sot, - sipas Berishës, - dhimbja e humbjes së 15 viteve më parë është edhe më e madhe, sepse fajtori kryesor për këtë masakër, Ratko Mlladiç, vazhdon të jetë i lirë. Shpirtrat e këtyre viktimave, - shtoi kreu i qeverisë shqiptare, - do të mund të prehen të qetë vetëm pasi të vendoset drejtësi.

Mesazhi

Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë. Sot është 15-vjetori i barbarisë më të paparë, gjenocidit më të egër, më mizor, të pas-Luftës së Dytë Botërore, masakrës masive të Srebrenicës, në të cilën mbi 8 mijë civilë, burra, gra, fëmijë, të vendosur nën mbrojtjen e trupave të OKB-së, u ekzekutuan dhe u shfarosën nga falangat e Millosheviçit dhe Mlladiçit, vetëm e vetëm për përkatësinë e tyre etnike dhe besimin e tyre fetar, - shkruan Berisha në një mesazh në përkujtim të viktimave të Srebrenicës. Sot, në këtë përvjetor zije, - sipas tij, - dhimbja, përgjegjësia, por edhe lëndimi i ndërgjegjes së njerëzimit, për këto mijëra e mijëra jetë të pafajshme, të rrëmbyera mizorisht janë më të mëdha se 15 vjet më parë. Kjo, sepse ende autori kryesor, kryexhelati i këtij gjenocidi, Ratko Mlladiç dhe shumica e xhelatëve të saj, gjenden të lirë. Shpirtrat e fëmijëve, grave, të rinjve, të moshuarve, viktima të Srebrenicës, kërkojnë nga njerëzit e lirë, qeveritë e tyre, OKB-ja, drejtësi. Ata do të mund të prehen të qetë, vetëm atëherë kur xhelatët e tyre do të marrin dënimin më të rëndë që meritojnë, - deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.

Dje në Bosnjë është përkujtuar 15-vjetori i masakrës së Srebrenicës, ku humbën jetën rreth 8 000 myslimanë boshnjakë, në korrik të vitit 1995. Masakra e kryer nga forcat serbo-boshnjake në fund të luftës së Bosnjës (1992-95) është konsideruar gjenocid nga drejtësia ndërkombëtare. Ceremonitë civile dhe fetare filluan me rivarrosjen e eshtrave të 775 viktimave të masakrës, në qendrën memoriale të Potoçarit, ku aktualisht ndodhen edhe 3 749 viktima të tjera. Me një rezolutë të miratuar në mars, Parlamenti serb ka dënuar masakrën e Srebrenicës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›