150 forca policie në Kukës për kryendeshjen e javës
Presidenca ka shpërndarë dje shpërblimin e fitores në Skrapar dhe ka vënë një shumë të madhe për të mundur lezhjanët
Kukësi-Besëlidhja do të jetë kryendeshja e javës në kategorinë e parë, edhe pse sot luajnë edhe Besa me Elbasanin. Kukësi i vendit të 3-të pret Besëlidhjen e vendit të dytë, që e parakalon në rast fitoreje. Ekipi kuksian ka bërë dje një seancë të lehtë stërvitore dhe është gati për ndeshjen e sotme. Ka munguar trajneri Berberi dhe seanca është drejtuar nga drejtori sportiv Balla.
Policia Drejtues të rendit në policinë e Kukësit kanë marrë masat e nevojshme për ndeshjen e sotme. Sipas këtyre drejtuesve, bëhet e ditur se rreth 150 forca policore të ardhura edhe nga Hasi dhe Tropoja do të jenë të angazhuara në mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje. Shpërblimet Drejtori sportiv Balla ka bërë të ditur se optimizmi në kampin kuksian është mjaft i lartë.
Sot (dje) është shpërndarë shpërblimi nga presidenca për fitoren në Skrapar, ndërkohë që është vënë në dispozicion një tjetër shumë e madhe për Besëlidhjen, – deklaron drejtori sportiv Balla. Ai ka bërë të ditur se presidenti Ramë Geci dhe zëvendësi i tij Safet Gjici janë teper të interesuar për ndeshjen me Besëlidhjen dhe mbajnë kontakte të vazhdueshme telefonike me drejtuesit e ekipit.
Nëse Kukësi bën lojë të pëlqyeshme, shpërblimi do të shtohet nga ana e presidencës, thotë më tej Balla. Ndërkaq, mësohet se 6 autobusë me tifozë të Kukësit, të cilët banojnë në Tiranë, do të nisen nga kryeqyteti.
Gjendja Në dispozicion të trajnerit Shahin Berberi janë të gjithë lojtarët dhe skema do të jetë 4-4-2. Në portë do të jetë kapiteni Elvis Koçi, në mbrojtje Berberi, Lila, Premçi dhe Rexhepi, në mesfushë Mziu, Thana, Pashaj e Jevdeviç, ndërsa në sulm Ivanaj dhe Malo. Një fitore e Kukësit do të sillte rokadën mes dy ekipeve dhe kuksianët janë të vendosur për ta bërë këtë gjë.
