E Shtunë, 31 Tetor 2026

FFK në pritje të lajmit të mirë nga Tokio

Të premten në Tokio të Japonisë ka nisur mbledhja e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, e cila përfundon të shtunën.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, pati konfirmuar se në agjendë të kësaj mbledhjeje dyditore do të jetë edhe kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që ka të bëjë me lejimin e organizimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj.

Mirëpo, ende nuk dihet nëse Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s e ka shqyrtuar apo jo të premten këtë kërkesë të kosovarëve. Ueb faqja zyrtare e FIFA-s deri në orët e pasdites të së premtes nuk e ka publikuar ndonjë raport nga kjo mbledhje, derisa krerët e FFK-së presin që kërkesa e tyre të shqyrtohet të shtunën - në ditën e dytë të punimeve të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.

Madje, nënkryetari i FFK-së, Agim Ademi pret një përgjigje pozitive nga organi më i lartë vendimmarrës i shtëpisë së futbollit botëror.

“Sigurisht se të shtunën shqyrtohet kërkesa jonë, dhe normalisht që kësaj here jemi më optimistë se kërkesa jonë do të aprovohet”, ka thënë Ademi për Express.

Muaj më parë Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s e pat refuzuar këtë kërkesë, pas rekomandimit që kishte marrë nga UEFA.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›