Sokoli, trajner i ri i Drenicës
Lajmin e ka konfirmuar për Express kryetarja e klubit nga Skenderaj, Mihane Kadriu Bekteshi. Sipas saj, prezantimin zyrtar të trajnerit të ri, Drenica do ta bëjë të hënën në Skenderaj në një konferencë për media.
“Pas shumë bisedimesh arritëm marrëveshje me trajnerin e dëshmuar Bylbyl Sokoli. Bëhet fjalë për një marrëveshje njëvjeçare, me opsionin për gjashtë muaj, me mundësi të vazhdimit të kontratës plus për gjashtë muaj tjerë. Kryesia aktuale e Drenicës e ka marrë shumë seriozisht punën në klub dhe ardhja e Sokolit do të na ndihmojë t’i arrijmë objektivat”, ka deklaruar e para e klubit kuq e zi.
Madje, Mihane Kadriu Bekteshi ka paralajmëruar edhe përforcime të reja për Drenicën. “Shumë shpejt do të përforcohemi edhe me disa lojtarë dhe jam shumë e sigurt se Drenica do të bëhet një ekip i fortë në Kosovë dhe shumë serioz”, tha ajo.
Express ka provuar të kontaktojë edhe me Sokolin, por ka qenë e pamundur. Në këtë post ai do ta zëvendësojë Afrim Jasharin, i cili e kishte udhëhequr ekipin në tri ndeshjet e fundit të stinorit vjeshtor, pas dorëheqjes që e kishte dhënë Tahir Lushtaku. Pjesën e parë të kampionatit kuqezinjtë e kanë përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e nëntë të renditjes tabelore me 19 pikë të tubuara.