Ish-drejtori i "tenderave" kërkon liri nga Gjykata e Lartë

Uniformat
Disa javë më parë, i njëjti institucion liroi disa nga të akuzuarit e tjerë të arrestuar për të njëjtin procedim penal
TIRANË- Pas lirimit nga qelia e paraburgimit të pesë të dyshuarve si "bashkëpunëtorë" në paracaktimin e fituesit të tenderit të uniformave, edhe ish-drejtori i Prokurimeve Publike pranë Ministrisë së Brendshme, shtetasi Bujar Murati, kërkon lirin nga Gjykata e Lartë. Vetëm pak ditë pas lirimit nga qelia, të dy "bashkëpunëtorëve" të tij, Tahir Imami dhe Redi Popesku, edhe vetë drejtori Murati, me ndihmën e avokatit mbrojtës, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë nga ajo e "arrestit me burg". Shkak për këtë rekurs, mësohet se është bërë ndryshimi i masave të sigurisë për të gjithë të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Muratit në paracaktimin e fituesit të tenderit të uniformave me vlerë prej 1.2 milionë euro. Ndërkaq, pak ditë më parë, ishte Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila me kërkesë të dyshuarit Popesku e liroi atë nga qelia duke i caktuar masën e sigurisë "detyrim për paraqitje". Pak ditë para lirimit të Popeskut, ka qenë treshja gjykuese e Gjykatës së Lartë e cila ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë edhe për të dyshuarin Tahir Imami, me detyrë ish-shef i Prokurimeve Publike pranë Gardës së Republikës. Ndërkohë, para lirimit të këtyre të dyve, ka qenë Gjykata e Apelit ajo që i ka ndryshuar masat e sigurisë edhe tregtarëve Artan Berberi, Jani Gjergjefi, Agur Sadiku, duke i lënë me "detyrim për paraqitje" dhe "arrest shtëpie". Gjithashtu, po pak ditë më parë, zyra e task-forcës pranë prokurorisë së kryeqytetit konfirmoi se në Bullgari është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare edhe tregtari i katërt, Ilir Sulo. Sipas akuzës, katër tregtarët Artan Berberi, Jani Gjergjefi, Agur Sadiku dhe Ilir Sulo kanë paguar 125 mijë euro tek tre zyrtarët shtetërore Bujar Murati, me detyrë ish-drejtor tashmë i Prokurimeve në Ministrinë e Brendshme, shtetasin Tahir Imami, me detyrë ish-shef i prokurimeve në Gardën e Republikës si dhe Redi Popesku, me detyrë specialist në Ministrinë e Integrimit që luante rolin e ndërmjetësuesit. Për paracaktimin e fituesit të tenderit me objekt "Blerje uniforma, veshmbathje dhe elementë të tjerë përbërës të tyre", me fond limit rreth 1.2 milionë euro të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, duke përfituar 10 % të shumës së vlerës totale të tenderit.