E Shtunë, 31 Tetor 2026

AAK: Cilësia e arsimit, më e ulëta në rajon

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Ditën e Mësuesit, ka shprehur shqetësimet e saj për gjendjen aktuale në arsim, ndërsa ka kritikuar Ministrinë e Arsimit se përkundër harxhimit të afro 100 milionë eurove për ndërtimin e shkollave cilësia e arsimit është më e ulëta në rajon.

Në një konferencë për media të dielën, Jonuz Salihaj, kryetar i Komisionit për Arsim në Kryesinë e AAK-së, ka uruar të gjithë mësimdhënësit me rastin e Ditës së Mësuesit-7 Marsit për punën e palodhshme dhe kontributin e madh.

“Në këtë ditë të shënuar për arsimin ne po ashtu shfaqim brengën tonë për një qeverisje joefikase, për politika arsimore joefektive, për strategji dhe legjislacion arsimor që nuk zbatohet në praktikë, për një fokusim të MASHT-it vetëm në ato sfera të arsimit ku ka përfitime financiare pa ndonjë vizion për të ardhmen”, ka thënë ai, siç transmeton Kosovapress.

Sipas tij gjendja në arsim nuk ka shënuar ndonjë përparim, ndërsa ka përkujtuar se edhe dy vjet pas pavarësisë në Kosovë ekziston sistemi paralel i Serbisë në arsim.

“Përkundër harxhimit të afro 100 milionë eurove për ndërtimin e shkollave përfshirja në arsim në të gjitha nivelet është ende e ulët, siguria shumë e brishtë kurse cilësia e arsimit më e ulëta në rajon. Mjetet financiare të ndara nga Konferenca e donatorëve orientohen në komunat në të cilat menaxhon partia në pushtet. Kjo mënyrë e qeverisjes po i sjell dëm vendit, sepse po favorizon nepotizmin duke i keqpërdorur edhe marrëveshjet nënshkruara ndërkombëtare”, ka thënë Salihaj.

Për më tepër, ai ka kërkuar nga qeveria të angazhohet për përmirësimin e kushteve të mësimdhënies, për pajisje të shkollave me mjete mësimore, për monitorimin edhe inspektimin e procesit arsimor, për aftësimin e mësimdhënësve dhe përmirësimin e pozitës materiale të tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›