17 Janari, Ditë Lutjeje dhe Reflektimi Kombëtar!
Ka qenë sërish një kënaqësi e veçantë për mua të njihem me nismën e FDE - Forumit për Demokraci dhe Etikë - për ta shpallur 17 janarin si dite lutjeje dhe reflektimi (përsiatjeje). Edhe ngase tashmë ndihem nën obligimin dhe njëkohësisht kënaqësinë e të qenit anëtar i Këshillit të Nderit të FDE-së, duhet të them se kjo nismë e realizuar me sukses edhe 2 vite më parë, më intrigoi jashtë mase, ngaqë një kohë të gjatë ndiej nevojën e krijimit të një institucioni, të një shkasi që do të nxiste shqiptarin të bëjë introspeksionin, ta inspektojë vetveten, të reflektojë jo vetëm për bëmat e të tjerëve, por edhe të vetvetes.
Siç dihet, kisha katolike, përmes institucionit të rrëfimit ka krijuar pretekstin që njeriu, besimtari, përmes rrëfimit ta zbulojë të ligën në vetvete dhe duke u aftësuar ta njohë atë, të fillojë të ballafaqohet me të, ta mundë atë. Filozofët antikë, veçmas Aristoteli, mendonin se ai që nuk e njeh të ligën është e ligë absolute, vetë djalli. Së këndejmi, njohja e së ligës është parakusht për kontrollimin, parandalimin e saj. Mosnjohja e së ligës është parakusht i legalizimit, legjitimimit dhe përfundimisht i adhurimit të saj.
Shqiptarët, si kurrë më parë kanë nevojë për trajnim, për aftësim që në mënyrë sa më efikase të fillojnë ta inspektojnë vetveten, ta zbulojnë të ligën, çfarëdo forme qoftë ajo dhe mekanizmat, pretekstet që e legjitimojnë atë. Pa njohje nuk ka vetëdijesim, ndërgjegjësim që është faza e parë e relativizmit moral. Për këto fenomene kam filluar të mendoj pas informimit për përmasat titanike të rezistencës dhe të pësimit biblik të familjes së Jasharajve. Në ato momente ne nuk ishim të vetëdijshëm për aktin moral dhe atdhetar të kësaj familjeje. Fjala dëshmor ngërthen në vete idenë e dëshmimit se beson në Zot dhe se je i gatshëm ta dëshmosh këtë duke e flijuar veten apo të afërmit. Jasharajt, si Abrahami dikur, e dëshmuan këtë, në një kontekst cinik dhe të rrezikshëm socio-politik. Kur ne filozofonim, profetizonim, belbëzonim për teoritë tona gjeostrategjike, kur plot sqimë i hurbasnim kafetë tona dhe kishim kujdes për manitë dhe kotësitë e tjera, dikush dëshmonte se besonte në qenien shqiptare, në liri, dinjitet dhe integritet individual dhe kombëtar.
Ata më cinikët shkonin edhe më larg, krijonin teori që edhe këto akte prometeike i cilësonin si kotësi. Ne sot moralin, mburrjen tonë e ushqejmë nga kjo gurrë, por ka edhe të tillë që vazhdojnë të zhbëjnë çdo gjë. Kjo verbëri morale, ky nihilizëm që e vë në rrezik të tërën në emër të së pjesshmes nuk mund të parandalohet pa introspeksion, pa reflektim, pa njohje të së ligës që pastaj vetvetiu do ta impononte ndjenjën e fajit, të pendesës dhe përfundimisht nevojën për lutje.
Ky projekt, kjo nismë e FDE-së, është sa e nevojshme po aq edhe e ndjeshme dhe duhet bërë çmos që të përfundojë me sukses. Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet. Duke u pajtuar plotësisht me idenë dhe nismën e FDE-së për 17 Janarin, uroj sinqerisht nga zemra sukses!