E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë rrëzon KLD-në për gjyqtarët e Delijorgjit



Gjykata e Lartë rrëzoi dje vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke rikthyer në detyrë tre ish-gjyqtarët e shkarkuar për vendimin e dhënë prej tyre, ku Mihal Delijorgji fitonte pafajësinë ndaj akuzës së evazionit fiskal. Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë u shpall pasditen e djeshme, duke shfuqizuar vendimin e KLD-së dhe duke u dhënë të drejtë tre gjyqtarëve të shkarkuar dhe pretendimeve të ngritura prej tyre në kërkesë-padinë, ku kërkonin shfuqizimin e këtij vendimi dhe rikthimin në detyrë. Në gjyqin e djeshëm kanë qenë palë tre gjyqtarët dhe avokatët e tyre përballë palës tjetër që ishte KLD, e cila i shkarkoi më 28 tetor të vitit të kaluar nga detyra. Tre gjyqtarët kanë reaguar ndaj këtij vendimi, të cilin e kanë konsideruar si të padrejtë, duke kërkuar shfuqizimin e tij dhe duke kërkuar rikthimin në detyrë. Largimin nga detyra dhe akuzat ndaj tyre ata i kanë konsideruar si të padrejta dhe të pabazuara. Gjyqtarët e Apelit Ushtarak, të komanduar në Apelin e Durrësit për çështjen “Delijorgji”, Ylli Minka, Naum Pejo dhe Shaqir Gradica, u shkarkuan muaj më parë për abuzimin me detyrën, me motivimin se kishin dhënë vendimin për të pandehurin kryesor të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgjin, administratorin e firmës demontuese “Albademil”, i paditur asokohe nga dogana e Durrësit për evazion si administrator i firmës “Përparimi” sh.a., ku i kishte shkaktuar shtetit shqiptar dëmin e 1.2 milion dollarëve me kontrabandën e hekurit. Shkarkimi i tyre u propozua nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në bazë të nenit 147, pika 6 e Kushtetutës. Këta gjyqtarë, sipas arsyetimit të ministrit, në gjykimin e zhvilluar për llogari të Gjykatës së Apelit Durrës kanë lejuar shkelje të dispozitave urdhëruese procedurale, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në procesin e dhënies së drejtësisë në çështjen penale ndaj të pandehurit Mihal Delijorgji, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe “kontrabandë me mallra të tjera”, të parashikuara nga nenet 190/1 dhe 174 të Kodit Penal. Në përfundim të procedimit disiplinor të disa muajve më parë, Këshilli i Lartë të Drejtësisë, me shumicë të cilësuar të anëtarëve të pranishëm, ka evidentuar shkelje të ligjit procedural penal nga kolegji gjyqësor, i përbërë nga gjyqtarët Shaqir Gradica, Ylli Mnika, dhe Naum Pejo, e në mënyrë të veçantë të nenit 68, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale, duke vendosur shkarkimin nga detyra.

Disa argumente mbrojtëse të tre gjyqtarëve lidhur me akuzat

Në mbrojtjen e tyre, tre gjyqtarët janë përpjekur gjatë katër orëve të mbledhjes të mbrohen lidhur me shkeljet e konstatuara në dosjen e gjykuar prej tyre. Sipas tyre, Mihal Delijorgji nuk është lënë i lirë prej tyre, por nga gjyqtarët e Shkallës së Parë, vendim të cilin ata e kanë lënë në fuqi. Ata kanë vendosur vetëm për pushimin e akuzës për “kontrabandë”, pasi nuk ka pasur prova të mjaftueshme nga organi i akuzës për Delijorgjin, ndërkohë që kjo çështje vazhdon të jetë për gjykim në Gjykatën e Lartë. Sipas tyre, as në materialin e dërguar paraprakisht dhe as në relatimin e ditës kur është vendosur shkarkimi i tyre, ministri i Drejtësisë nuk provon se gjyqtarët, objekt procedimi disiplinor, të kenë kryer shkelje të përsëritura të dispozitave urdhëruese procedurale. “Pavarësisht faktit se secili prej këtyre gjyqtarëve ka më shumë se 25 vjet që gjykon, gjithë materiali në ngarkim të tyre reduktohet në një vendim të vetëm”, - vijoi mbrojtjen për tre gjyqtarët avokati Marash Ibraj. Sipas tij, mjafton ky fakt për të pretenduar se kërkesa e paraqitur nga ministri i Drejtësisë është në kundërshtim me ligjin material dhe ndaj, si e tillë, ajo duhet të rrëzohet. Lidhur me pretendimin e parë, sipas avokatit, mbi padinë civile, në gjykimin e saj në procesin penal në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, i pandehuri Mihal Delijorgji ka caktuar si përfaqësues të tij dhe të shoqërisë "Përparimi" sh.a., avokatin M. Haxhia. Ky i fundit duke pasur këtë tagër, në mbështetje edhe të nenit 411/2 e 416/2 të K. Pr. Penale, ka bërë ankim si për dënimin penal, ashtu edhe për zgjidhjen e padisë civile. Ky ankim ndodhet në dosje, në pikën 3 të tij, në pothuajse 2 faqe ka trajtuar pikërisht problemet e padisë civile, duke kërkuar përfundimisht rrëzimin e saj. Jo vetëm i pandehuri dhe i padituri civil, por edhe pala paditëse, Drejtoria e Doganave Durrës, kanë kërkuar gjyqësisht disponimin e gjykatës lidhur me detyrimin civil në këtë gjykim. Fakti i mësipërm provon se pretendimi i ministrit, se ne kemi marrë në shqyrtim padinë civile në procesin penal pa pasur një ankim për këtë çështje, nuk qëndron. Gjykata ka gjykuar mbi bazën e ankimit bërë nga i pandehuri, mbrojtësi dhe palët në proces dhe që ndodhen në dosje. Lidhur me pretendimin e dytë, - kanë vijuar mbrojtjen e tyre tre gjyqtarët, - sipas procesverbalit të seancës gjyqësore, del se nuk ka pasur kërkesë nga asnjë palë për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, për marrjen e provave të reja apo për rimarrjen e provave të administruara në Gjykatën e Shkallës së Parë. Nëse do të kishte një kërkesë të tillë, gjykata detyrimisht do të merrte mendimin e prokurorit dhe të palëve në proces dhe do të vendoste sipas kërkesave të nenit 427 të K. Pr. Penale. Nëse, avokati mbrojtës, fjalës së tij i ka bashkangjitur edhe shkresa a kopje të akteve të ndryshme, këto nuk janë prova dhe as janë vlerësuar si të tilla. Gjykata e kishte të qartë dispozitën e neneve 149,151/2 dhe 152/1 të K. Pr. Penale që bën fjalë për kuptimin, mënyrën e marrjes dhe vlerësimin e provave. Pikërisht për këtë arsye, nuk ka vendim për përsëritjen e shqyrtimit gjyqësor, por nuk ka gjithashtu as një rresht të vetëm në vendimin e gjykatës apo në procesverbalin e seancës që t’iu referohet këtyre provave.

Detaj

28 tetor 2008 ka qenë dita kur KLD vendosi pas katër orë mbledhjeje shkarkimin e tre gjyqtarëve të Apelit Ushtarak

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›