Olldashi: Rama të sjellë në ministri projektin e Unazës së Madhe
Unaza e Madhe e Tiranës, një projekt që do të ndihmonte shumë në zbutjen e trafikut në kryeqytet, mund të ndërtohet në një kohë shumë të shkurtër, nëse ajo do të merrej përsipër nga qeveria. Ministri Olldashi i ka bërë thirrje dje kryetarit të bashkisë që projektin e Unazës së Madhe ta paraqesë pranë Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve dhe ai menjëherë do të nisë nga zbatimi, duke shkurtuar edhe kohën e realizimit të tij. Ministri Olldashi theksoi se qeveria është e gatshme ta marrë përsipër këtë projekt dhe nga ana tjetër garanton shpronësimin e qytetarëve, në pronën e të cilëve kalon Unaza e Madhe. Olldashi akuzoi kryebashkiakun Rama se ka gënjyer lidhur me çështjen e shpronësimeve të Unazës, ndaj kërkoi që projekti t’i dorëzohet qeverisë, pasi mbi të gjitha do të shkurtohet dhe koha në realizmin e këtij projekti. “Unë do të ftoja z. Rama të lërë këto shakatë e pahijshme që bën me një projekt që është shumë serioz për qytetin dhe të pranojë dështimin e bashkisë për realizimin e këtij projekti. Të pranojë faktin që ky projekt duhet bërë dhe të dërgojë projektin pranë MPPTT-së, në mënyrë që ne menjëherë të fillojmë realizimin e Unazës së Madhe. Sigurisht që nëse do të ndodhë kjo, unë e garantoj që ne do ta ftojmë të jetë aty në inaugurimin e fillimit të punimeve”, - ka deklaruar dje ministri Olldashi. Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve doli dje në një konferencë për shtyp për të shprehur gatishmërinë e qeverisë për të marrë përsipër ndërtimin e Unazës së Madhe. “Unë doja të komunikoja me ju, pasi dje pashë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Rama, që doli në një mënyrë krejt të pacipë, gënjeu për çështjen e shpronësimeve të Unazës së Madhe. Si qëndron e vërteta e këtij projekti që unë besoj që është më i rëndësishmi për qytetarët e kryeqytetit, por jo vetëm për ta, por është një projekt madhor infrastrukturor, por edhe transit që sot bëhet në sheshin “Skënderbej”, - tha Olldashi. Ai theksoi edhe një herë se prej kohësh qeveria ka shprehur gatishmërinë e saj për të përballuar shpenzimet e shpronësimeve për Unazën e Tiranës, duke qenë se vlera e shpronësimeve është një vlerë e madhe që do të rëndonte buxhetin e bashkisë. Ai tha se një nismë e tillë merret nga qeveria për të lehtësuar buxhetin e bashkisë së kryeqytetit, duke marrë përsipër që këtë kosto ta paguajë ajo. Nga ana tjetër Olldashi tha se disa muaj më parë ministria e tij ka pasur një bashkëpunim me bashkinë për procesin e shpronësimeve, e cila nga ana e MPPTT-së mund të konsiderohet i ezauruar. “Ne kemi marrë nga bashkia kërkesën për shpronësim dhe në qershor të vitit 2008 kjo kërkesë zyrtarisht është miratuar nga MPPTT-ja dhe jo vetëm që është miratuar, por ministria ka bërë edhe publikimin. Kemi gazetën “Koha Jonë” të datës 17 qershor 2008 me të gjithë emrat e pronarëve që duhet të shpronësohen në segmentin ku duhet të kalojë Unaza e Re e Tiranës”, - ka pasqaruar me tej ministri Olldashi. Sipas tij, nga momenti kur janë miratuar shpronësimet dhe është bërë shpallja publike e emrave të pronarëve që shpronësohen si rezultat i ndërtimit të Unazës, procesi nga ana e MPPTT-së është i kryer dhe mbetet vetëm për kalimin nga ana e vendimit të Këshillit të Ministrave për të bërë pagesën e këtyre pronarëve. Ai sqaroi po ashtu se në buxhetin shtesë që ka pasur MPPTT-ja në mesin e vitit të kaluar, ka pasur shumën prej 2 miliardë lekësh të reja për të qenë kryesisht të destinuara për shpronësimin e pronarëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Tiranës, vlera e të cilit shkon 1.2 miliard lekë, por këto lekë është dashur të rialokohen në fund të vitit te kapitulli i investimeve për shkak se nuk u përdorën dot. “Nuk u përdorën dot për një arsye shumë të thjeshtë që qëndron në themel të bllokimit të këtij projekti. Bashkia e Tiranës ende sot e kësaj dite nuk ka të siguruara fondet për ndërtimin e Unazës. Bashkia ka qenë në kontakte të vazhdueshme me BERZH-in për të marrë nga kjo bankë një kredi për ndërtimin e Unazës për shkak të mungesës së aftësive paguese të bashkisë. Kjo kredi ende nuk është konkretizuar as sot e kësaj dite”, - tha Olldashi. Nga ana e tij, ministri Olldashi sqaroi se qeveria, duke e vlerësuar këtë projekt madhor, ofroi mundësinë të financojë jo vetëm shpronësimet, por edhe realizimin e projektit. Nëse kryetari i Bashkisë ka thënë se ky projekt mund të realizohet për 3 vjet, ministri Olldashi garanton se nëse projekti merret në dorë nga qeveria, ai do të realizohet në një kohë shumë të shkurtër. “Ndërkohë kryetari i bashkisë deklaroi pardje që qytetarët e Tiranës do të mund të kenë një unazë diku rreth vitit 2011 apo 2012, ndërkohë ne jemi sot vetëm në javën e parë të vitit 2009. Pra, ajo që kryetari i bashkisë po thotë, është që Tirana duhet të presë edhe 3 vjet të tjera për të pasur unazën e saj. Ajo që themi ne është që Tirana ka emergjencë për unazën dhe ne jemi të gatshëm përveç shpronësimeve menjëherë të fillojmë edhe realizimin e saj duke parë se bashkia e ka të pamundur të sigurojë fondet për këtë projekt madhor. Të vërtetat janë të vërteta, faktet janë fakte, për fat të mirë në rastin e dosjes e shpronësimeve të publikuara”, - ka deklaruar dje ministri Olldashi.