160-vjetori i "Të drejtave themelore të popullit gjerman"
Më 27 dhjetor 1848 u krijuan "Të Drejtat Themelore të Popullit Gjerman". Me këtë për herë të parë në historinë gjermane u përcaktuan të drejtat e lirisë së çdo qytetari dhe u vendos e drejta e unifikuar e nënshtetësisë. Qytetarët në Bon nuk kanë nevojë të mendohen shumë për të dhënë përgjigjen ndaj pyetjes, se cilat të drejta themelore janë për ta të rëndësishme: “Liria personale, që unë të bëj apo të lë pa bërë, atë që dua, kuptohet të bëj ose të mos bëj brenda kuadrit të ligjeve”, - thotë një burrë. "Që të gjithë janë të barabartë dhe trajtohen si të barabartë, që mbizotëron drejtësia, ngjyra e lëkurës nuk luan rol dhe gruaja e burri trajtohen njësoj", - thotë një grua. "Liria e mendimit, në bazë të së cilës unë mund të them atë që dua", - thotë një tjetër qytetar i Bonit. Të gjitha këto janë të drejta, të cilat falë ligjit themelor, në Gjermani mund të kërkohen përmes rrugëve të drejtësisë. Përpara 160 vjetësh nuk kishte rrugë tjetër veç asaj të barrikadave. Në luftën për të drejtat themelore në Gjermani, një pikë kulmore shënon viti 1848. Ky ishte një vit i revolucionit dhe i debateve për kushtetutën. Në fund të vitit, thënë më saktë më 27 dhjetor 1848, u krijua i pari katalog për të drejtat themelore të popullit gjerman. Shumë të drejta politike asokohe ishin bllokuar, - thotë Mihael Shtolajs (Michael Stolleis), profesor i së drejtës publike dhe i historisë së re të drejtësisë, njëkohësisht edhe drejtor i Institutit Max-Planck për historinë e drejtësisë evropiane në Frankfurt-mbi-Majn. “Ky ishte çlirimi prej autoritetit të regjimeve absolutiste, liria prej kontrollit politik, prej censurës, prej së drejtës së mbledhjes dhe gjithçka çfarë kuptojmë ne sot me të drejtat themelore, asokohe ishte tema kryesore politike. Mund të themi pra, se shoqëria donte të emancipohej prej shtetit të superfuqishëm”. Kushtetuta të reja ekzistonin aty këtu në Jug të Gjermanisë, si në Bavari, në Vyrtemberg dhe në Baden. Në këto Kushtetuta ishin ankoruar të drejta themelore si barazia, pasuria, liria e shtypit dhe e mendimit. Por a mundeshin qytetarët t'i kërkonin këto të drejta? Profesor Shtolajs: “Qytetarët natyrisht mund t'i kërkonin ato, por këto të drejta nuk ishin të ligjëruara në mënyrë kushtetuese. Monarku nuk ishte i detyruar kundrejt lëvizjes kushtetuese. Si rrjedhojë kishte një censurë dhe gjithfarëlloj rregullash të së drejtës, që e pengonin individin për t'u shpalosur në aspektin ekonomik, politik dhe privat”. Pikërisht këtë donin ta ndryshonin anëtarët e Asamblesë Kombëtare të sapo zgjedhur. Të frymëzuar prej deklaratës së të drejtave të njeriut të Revolucionit Francez, ata diskutonin në vitin 1848 në Kishën e Shën Palit në Frankfurt mbi lirinë dhe barazinë për të gjithë gjermanët. Më 27 dhjetor ata prezantuan nëntë nene me shumë nënparagrafë, duke shpallur kësisoj "Të Drejtat Themelore të Popullit Gjerman". “Të gjitha të drejtat e aristokracisë shfuqizohen, gjermanët janë të barabartë përballë ligjit” thuhet në njërin prej neneve. Një tjetër nen përcakton: “Çdo gjerman ka të drejtë, që përmes fjalës, shkrimit, shtypit dhe artit pamor, të shprehë hapur mendimin e tij. Liria e shtypit në asnjë rrethanë nuk duhet kufizuar, pezulluar apo shfuqizuar”. Këto të drejta si komponente të së ashtuquajturës "Kushtetuta e Kishës së Shën Palit" duhej të vlenin për të gjithë gjermanët. Në fund të marsit 1849, Asambleja Kombëtare miratoi kushtetutën, duke përfshirë të gjithë katalogun e të drejtave themelore. Por ëndrra për liri dhe barazi u shua shpejt. Kjo, për faktin se dy shtetet më të mëdha në Lidhjen Gjermane, Austria dhe Prusia, ishin kundër. Me dhunë ato i mposhtën protestat dhe i shpërndanë deputetët e fundit që kishin mbetur prej kushtetutës së Kishës së Shën Palit. Në vitin 1848 nuk u arrit që të ankoroheshin në kushtetutë të drejtat themelore. Megjithatë, sot kushdo që merr në dorë Ligjin Themelor të Gjermanisë, pra kushtetutën – has në fjali të njohura prej kohësh. “Liria e individit është e pacenueshme”, ose "Të gjithë njerëzit janë të barabartë përpara ligjit", thuhet në të.