E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për katarsis



Miratimi i ligjit për krimet e komunizmit ka hapur pa dyshim një epokë të re në zhvillimet politike e shoqërore të vendit. Pavarësisht përpjekjeve të opozitës dhe mediave pranë saj për të manipuluar situatën, ky ligj ka marrë, përveç votave të shumicës parlamentare, edhe votën e opinionit publik dhe sidomos atë të grupeve të interesit. Presidenti Topi, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, pothuaj të gjitha partitë politike të papërfshira në krimet e komunizmit, shoqata panshqiptare e SHBA-së, “Vatra”, shumica e shoqatave të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut dhe qindra mijëra qytetarë kanë shprehur mbështetjen ndaj ligjit të lustracionit, i cili mund të konsiderohet si më i mbështeturi shoqërisht në Shqipëri.

Gjithsesi, miratimi i ligjit është vetëm një pjesë e suksesit, ngelet për t’u parë realizimi i pjesës më të rëndësishme të tij zbatimit në praktikë, gjë që ka qenë thelbi i opinioneve skeptike në debatin dhe diskutimet që shoqëruan miratimin e tij.

Mazhoranca, në mënyrë të veçantë PD-ja e Kryeministrit Berisha, i ka të gjitha mundësitë të zhvleftësojë çdo kontestim apo dyshim të hedhur mbi ligjin dhe qëllimin e tij nëse realizimi i tij do të jetë i shpejtë, i saktë dhe mbi të gjitha, juridikisht dhe politikisht korrekt.

Mirëpo, ndërsa për ta aplikuar në administratë këtë ligj duhen pritur afatet kohore te maturimit të tij, në politikë janë të gjitha mundësitë që ai të vihet në funksionim menjëherë. Është detyrim më shumë se politik i PD-së të fillojë një auto-lustracion ose më mirë të themi katarsisin në një situatë shumë oportune për zhvillimet brenda saj. Partia më e madhe e mazhorancës, autore direkte e ligjit për krimet e komunizmit, është aktualisht në procesin e zgjedhjeve të strukturave drejtuese të saj. Ky është ndoshta momenti më i mirë që lidershipi i PD-së të organizojë pastrimin e strukturave drejtuese nga ajo pjesë që preken nga aplikimi i ligjit për krimet e komunizmit. Besoj se kjo nuk përbën ndonjë sakrificë të madhe, ndërkohë që përfitimi politik e elektoral i auto-lustracionit është pa dyshim shumë herë më i madh nga ajo që PD-ja mund të mendohet se humbet prej aplikimit të tij. Fakti që PD-ja nuk ka në strukturat e saj përgjegjës të drejtpërdrejtë të krimeve të diktaturës, sigurimsa, prokurorë, gjykatës, drejtues të lartë të PPSH-së, por vetëm pjesë apo segmente të informatorëve të ish- shërbimit sekret të diktaturës e bën shumë më të lehtë e pothuaj pa kosto pastrimin e strukturave drejtuese të saj. Në periudhën para dhe gjatë miratimit të ligjit, opozita dhe media pranë saj, kanë aluduar për një sërë emrash drejtuesish te strukturave të PD-së si ish-bashkëpunëtorë të “Sigurimit të Shtetit”, gjë që mund të ketë ngjallur dyshime në opinionin publik. Auto-lustracioni do të ishte përgjigja më e mirë për zhvleftësimin e këtyre “diversioneve” të mundshme politiko-mediatike, ndërkohë, aplikimi vullnetar i ligjit do të rriste kredencialet politike dhe elektorale të PD-së brenda dhe jashtë radhëve të saj. Një PD realisht e pastruar do të rriste apriori mundësitë e saj për të hyrë në zgjedhjet e ardhshme më e sigurt dhe më e besueshme politikisht. Ky “katarsis”, bashkë me suksesin tashmë të garantuar të qeverisjes aktuale përbëjnë pa dyshim një kartë elektorale vështirësisht të konkurrueshme. Partia në pushtet ka të gjitha mundësitë të realizojë këtë aksion paraprak vetëpastrimi, gjë që do t’i paraprinte një suksesi të rëndësishëm paraelektoral nëse komisioni, që parashikon ligji i lustracionit, nuk do të rrëzonte apo pengonte asnjë prej kandidaturave të saj për deputet apo asnjë zyrtar të lartë që vjen nga strukturat e PD-së. Mendoj se një gjë e tillë duhet te jetë edhe parakusht për aleatët në koalicionin e mundshëm elektoral që do të përbënte një masë për të parandaluar kostot që PD-ja ka marrë në 18 vjet të ekzistencës së saj nga aleancat politike. Si përfundim, mendoj se spastrimi i PD-së nga kjo pjesë e të kaluarës diktatoriale është sa e mundshme, aq edhe e domosdoshme. Përkimi i miratimit të ligjit me situatën zgjedhore në PD përbën momentin më ideal të zbatimit të lustracionit, sipas versionit “katarsis”. Ky moment kohor, përveç realizimit të detyrimit ligjor, politik e moral, është i rëndësishëm edhe për minimizimin e kostos politike dhe elektorale që pritet të shkaktojë zbatimi i ligjit në fjalë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›