Bechtel e dinte se do të shpallej fituese

Konsorciumi "Bechtel & Enka", tre muaj më herët i është afruar Kosovës me makinerinë e saj, sepse e dinte se do ta fitojë tenderin për rrugën Morinë - Merdar, qysh në fillim të garës.
Gazeta tiranase “Gazeta Shqiptare” shkruan se kompania “Bechtel” transferoi zyrat në Kosovë, tre muaj para se të fitonte tenderin për rrugën Morinë - Merdar.
Autostrada dukej prej kohësh një projekt i sigurt në duart e konsorciumit amerikan-turk, edhe pse ajo e fitoi zyrtarisht këtë tender vetëm dy ditë më parë.
Pavarësisht nga fakti se gjatë gjithë kësaj kohe ishte ende në garë me shtatë kompanitë e tjera konkurrente, kompania ka nxituar të transferojë zyrat në afërsi të kufirit me Kosovën, ndërkohë që në të njëjtën kohë vazhdonte ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.
Transferimi i zyrave në afërsi të kufirit me Kosovën, muaj të tërë para shpalljes së fituesit të tenderit, sinjalizonte në një farë mënyre se kompania nuk kishte shumë dyshime për vendimin përfundimtar lidhur me garën mes kompanive. Media kosovare ka shkruar vazhdimisht se dihej prej kohësh që oferta e “Bechtel Enka” konsiderohej nga ekspertët e ministrisë si më e mira për tenderin, edhe pse nuk ka ende një ide të qartë për koston përfundimtare të rrugës dhe as një projekt të detajuar për të.
Zyrtarët e Ministrisë së Transporteve në Kosovë kanë bërë të ditur se kompania do të nisë shumë shpejt negociatat me ekspertët e ministrisë, gjatë të cilave do të paraqiten edhe të dhënat teknike si dhe kostoja e planifikuar e rrugës që do të ndërtohet. Ministri i Transporteve, Fatmir Limaj, tha se kostoja fillestare e projektit ishte 649 milionë euro, por me modifikimet e reja, ajo arriti në rreth 700-800 milionë euro, një vlerësim paraprak ky që u dha nga kompania “Bechtel Enka”. Rruga do të përfundojë brenda 36 muajsh nga koha e nisjes së ndërtimit, sipas ekspertëve të kompanisë.