E Shtunë, 31 Tetor 2026

17 partitë e koalicionit, si do t’i kënaqë Berisha orekset për pushtet

Torta e pushtetit është shumë e vogël për shkak të koalicionit të madh. Kërkesat e aleatëve të Berishës dhe skema e ndarjes së pushtetit

Eljona Ballhysa
Fitorja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit duket se i ka dhënë kësaj partie një pushtet të limituar për shkak të koalicionit të madh me të cilin PD-ja u fut në zgjedhje. 17 partitë e koalicionit “Aleanca për ndryshim” kërkojnë të gjitha nga një pjesëz të pushtetit të fituar në zgjedhje. Që të gjitha partitë i kanë kthyer sytë nga PD-ja, duke synuar për poste të rëndësishme. Pra duket qartë se torta e pushtetit që i ka mbetur PD-së është shumë e vogël, pasi do të ndahet në më shumë se 17 pjesë, duke përfshirë dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, bashkëpunimi me të cilin erdhi pas zgjedhjeve. Aleatët e vjetër, por dhe të rinj të PD-së, kërkojnë përfaqësim në qeveri, në portofola ministrorë, poste zëvendësministrash, apo bashkëpunim në nivele më të ulëta, siç janë postet e drejtorëve të përgjithshëm. Që të gjithë mendojnë se kanë kontribuuar sado pak në fitoren e koalicionit të djathtë, ndaj dhe kërkesat e tyre bazohen pikërisht në këtë bindje.
Ministrat
Aleatët tradicionalë, siç janë republikanët, kërkojnë portofol ministror, por dhe dy poste zëvendësministrash, pa llogaritur këtu postet në nivel drejtorish. Vetëm pak ditë pas përfundimit të zgjedhjeve kjo kërkesë e PR-së u bë publikisht nga Presidenti i Nderit të Asamblesë Kombëtare, Sabri Godo. Ai u shpreh se PR-ja vazhdon të jetë forcë e dytë e koalicionit dhe se bashkëpunimi me PD-në do të mbetet në nivelet aktuale. Një aleat i ri që i është shtuar koalicionit të PD-së dhe që në këto zgjedhje rezultoi fituese është Partia për Drejtësi dhe Integrim, që përfaqëson interesat e komunitetit çam në Shqipëri. Edhe kjo parti synon një post ministror. Këtë kërkesë kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, e mbështet në bisedën paraprake të zhvilluar me kryetarin e PD-së, Sali Berisha, gjatë firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit para dhe paszgjedhor. Në një prononcim për gazetën “Albania” Muhedini tregon se para zgjedhjeve kishte rënë dakord me Berishën se PDI-ja do të merrte post zëvendësministri në rast se nuk fitonte asnjë mandat deputeti. Por PDI-ja arriti që në zgjedhjet e 28 qershorit të marrë një deputet, ndaj dhe kërkesa e tyre shkon përtej postit të zëvendësministrit. Ndërsa aleatja paszgjedhore e PD-së, e cila përcaktoi dhe koalicionin fitues të zgjedhjeve të 28 qershorit, është Lëvizja Socialiste për Integrim. Kjo parti, megjithëse përfaqësohet në Kuvendin e ri me 4 mandate deputetësh, pretendon disa poste ministrore. Kjo për faktin se bashkëpunimi me LSI-në i kushtëzon PD-së qeverisjen e vendit. Negociatat mes palëve pritet të nisin javën e fundit të muajit gusht, ndërsa bëhet e ditur se LSI-ja do të kërkojë 2-4 poste ministrore, si dhe disa poste zëvendësministrash dhe bashkëqeverisje dhe në nivelet e tjera të pushtetit.
Zëvendësministrat
Pesë nga 17 partitë e koalicionit kërkojnë përfaqësim në qeverinë e re në nivel zëvendësministrash. Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, u shpreh dje për gazetën “Albania” se PAD-së i takon një përfaqësim i tillë, dinjitoz, për shkak të vlerave historike që ka kjo parti, pavarësisht se rezultati në zgjedhje nuk ishte ai që pritej. PAD-ja nuk arriti të fitonte asnjë mandat deputeti në zgjedhjet e 28 qershorit.
Megjithëse nuk kanë marrë mandate deputetësh, post zëvendësministri në qeverinë e re pretendojnë dhe partitë të tjera të koalicionit, siç janë Bashkimi Liberal Demokrat me kryetar Arian Starovën, Lidhja Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Nikollë Lesin, Partia Agrare Ambientaliste, me kryetar Lufter Xhuvelin, si dhe Partia Lëvizja e Legalitetit me kryetar Ekrem Spahiun. Për një kërkesë të tillë krerët e këtyre partive bazohen në aktmarrëveshjen e nënshkruar me PD-në para zgjedhjeve, e cila parashikon bashkëpunim paszgjedhor në rast fitoreje të koalicionit. Ndërsa partitë e tjera të këtij koalicioni synojnë bashkëpunim në nivel drejtorish. Gjithsesi, fundi i muajit gusht do t’u japë përgjigje kërkesave të aleatëve të PD-së, si dhe do të zgjidhë “enigmën” e kabinetit të ri qeveritar.

Neritan Ceka
“Nuk kanë filluar ende negociatat me PD-në për krijimin e qeverisë së re. Presim që të ulemi në tryezën e diskutimeve javën e fundit të muajit gusht. Marrëveshja e nënshkruar me PD-në parashikon bashkëpunim edhe pas zgjedhjeve. Pra ne presim të jemi pjesë e pushtetit, presim të kemi një përfaqësim dinjitoz. Partisë Aleanca Demokratike i takon posti i zëvendësministrit. Ne pretendojmë një pozicion të tillë për shkak të vlerave të partisë, por e gjitha do të varet nga negociatat me lidershipin e Partisë Demokratike”.

Tahir Muhedini
“Kemi firmosur para zgjedhjeve një akt-marrëveshje, e cila parashikon bashkëpunimin para dhe paszgjedhor. Në aktmarrëveshje nuk është përcaktuar se çfarë postesh do të marrim. Por, gjatë bisedimeve paraprake me doktor Berishësh, kemi rënë dakord se nëse ne nuk do të merrnim në zgjedhje asnjë mandat deputeti, në qeveri do të përfaqësoheshim me post zëvendësministrash. Por ne arritën të merrnim një mandat deputeti dhe tani pretendojmë më shumë, por e gjitha do të përcaktohet nga negociatat me PD-në. Ne do të shohim ç’do të na ofrojë zoti Berisha”.

Sabri Godo
“Partia Republikane vazhdon të jetë partia e dytë e koalicionit të djathtë, ”Aleanca për ndryshim”. Ne vazhdojmë të mbetemi aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike. Për këtë arsye mendoj se bashkëpunimi midis dy partive tani pas zgjedhjeve do të vazhdojë të mbetet në nivelin që kemi qenë, duke marrë parasysh pjesëmarrjen në administratën publike në tërësi. Përsa u përket posteve ministrore mendoj se do të ketë përfaqësim të PR-së, por nuk është e thënë në të njëjtën ministri”.

Koalicioni “Aleanca për ndryshim”

Partia Demokratike, Sali Berisha kryeson kabinetin qeveritar
Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta 2-4 poste ministrore dhe bashkëpunim në të gjitha nivelet
Aleanca Demokratike, Neritan Ceka post zëvendësministri
Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova post zëvendësministri
Lidhja Demokristiane e Shqipërisë, Nikollë Lesi post zëvendësministri
Partia Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli post zëvendësministri
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Kimet Fetahu bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia Aleanca për Demokraci e Solidaritet, Gaqo Apostoli bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia Demokracia e re Europiane, Koçi Tahiri bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia e të Drejtave të Mohuara e Re, Fatmir Hoxha bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia Forca Albania, Iledin Pillati bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu post zëvendësministri
Partia Ora e Shqipërisë, Zef Shtjefni bashkëpunim në nivel drejtorish
Partia për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini post ministror dhe zëvendësministri
Partia Republikane Shqiptare, Fatmir Mediu post ministror dhe zëvendësministri

7 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›