17-vjeçari shet veshkën për të blerë iPad e iPhone
Pesë persona në Kinë janë arrestuar për lëndim të qëllimshëm të një adoleshenti, i cili ishte kaq i fiksuar për të blerë një iPad dhe iPhone sa shiti veshkën e tij për vetëm 2 mijë euro. Personat e akuzuar, nga jugu i Kinës, janë një kirurg, sekseri dhe tre ndihmësmjekë, që tregtuan veshkën e djalit në këmbim të 220.000 juanëve, mbi 20 mijë euro. Prokurorët në qytetin Çenzhou, provinca Hunan, thanë se një prej të pandehurve, ndërmjetësi për paratë e transplantimit, e kishte paguar adoleshentin Uang, me 22.000 juan, rreth 2 mijë euro. Pjesën tjetër e kishte ndarë me mjekun dhe tre anëtarët e tjerë të stafit mjekësor. Uang ishte nga provinca e varfër Anhui. Ai tani vuan nga mangësia e funksionit të veshkave, sipas agjencisë shtetërore kineze, Xinhua. Me paratë që mori, Uang bleu një iPhone dhe një iPad. Çdo vit, një milion njerëz në Kinë kanë nevojë për transplantim, por më pak se një e dhjeta e tyre arrijnë të sigurojnë organet, duke iu drejtuar tregut të zi.