Luger: BE-ja po gabon me pranimin e Serbisë

Kastrati njoftoi mysafirët se Mitrovica dikur ishte ndër komunat më të zhvilluara në vend, por që më nuk është e tillë, pasi forcat serbe gjatë luftës shkatërruan tërë industrinë dhe metalurgjinë e saj, si dhe shkaktuan dëme jashtëzakonisht të mëdha në të gjitha fushat.
Ai përmendi gjendjen aktuale të rëndë ekonomike-sociale, duke theksuar se numri i të papunëve është shumë i madh dhe se pasojat e luftës ende nuk janë tejkaluar. Sipas tij, në komunë janë ende të pa rindërtuara edhe 280 shtëpi të pronarëve shqiptarë që serbët i kishin shkatërruar gjatë luftës.
“Sa i përket situatës aktuale të sigurisë në komunë, ka përmirësime, por ende ka mjaft probleme të theksuara, sidomos sa i përket qarkullimit të lirë, që po i shkaktojnë ekstremistët serbë, madje duke mbajtur me muaj të tërë barrikada në rrugët kryesore”, ka thënë Kastrati, raporton Kosovapress.
Ndërkaq, zëvendës kryetari i komunës së Linzit, Luger, tha se Austria është e angazhuar që të ndihmoj Kosovën në fusha të ndryshme. Sa i përket Mitrovicës, ai tha se ajo është e prezantuar mjaft në media për shkak të zhvillimeve që ndodhin këtu dhe është mirë që austriakët e kanë kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë për konflikt ndëretnik, por që këto probleme i shkaktojnë strukturat tjera jashtë Kosovës.
Në fund, Luger pasi premtoi bashkëpunim në fusha të ndryshme, sidomos në atë të arsimit, tha se BE-ja do të bënte gabim nëse do ta pranonte Serbinë në gjirin e vet pa e ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës.