E Shtunë, 31 Tetor 2026

170 milionë për diçka që nuk ekziston!

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përgatitur një raport me shkeljet dhe abuzimet e kryera gjatë tendereve për ndërtimin e rrugëve. Rasti më tipik është ai i rrugës së Arbrit, ku është zhvilluar tender për punime të cilat nuk ekzistojnë.

Kontrolli përfshin vetëm lotin e parë të kësaj rruge, i cili fillon nga Ura e Vashës deri në Bulqizë. Problemet në këtë segment kanë të bëjnë me zhvendosjen e linjës së tensionit 110 kv si dhe vendosjen dy tombinove (kulluese uji) në rrugë.

Në fakt, nga sa konstaton KLSH, në atë zonë nuk ka ekzistuar fare asnjë linjë tensioni 110 kv dhe tenderi prej 17 milionë lekë për kryerjen e këtyre punimeve është zhvilluar gabim, bën të ditur Shekulli.

Në projektin e kësaj rruge (segmenti Ura e Vashës-Bulqizë) janë parashikuar punime për spostimin e linjës së tensionit të lartë 110 kv. Por, në fakt në këtë segment rrugor nuk ka linjë TL 110 kv për t`u spostuar, çka do të thotë se ky zë është preventivuar gabim, e për pasoje vlera e kontratës është rritur fiktivisht në shumën 17,552,266 lekë me t.v.sh, shpjegon KLSH.

Krahas kësaj, gjatë vendosjes së kullueseve të ujit, kompania projektuese ka bërë përllogaritje të gabuara, duke rritur artificialisht koston e ndërtimit të rrugës me rreth 155 milionë lekë.

Abuzime me qindra milionë të tjera duket se janë bërë edhe në rrugët e tjera, sipas raportit të KLSH-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›