E Shtunë, 31 Tetor 2026

1700 punëtorë përfitojnë mbi 1.5 milionë euro

Nga Express më 11 gusht 2011 në ora 18:13

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka shpërndarë shumën prej 1,525,651 euro për 1752 punëtorë të 10 ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara më parë.

Në vazhdën e përshpejtimit të shpërndarjes së 20 për qindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, sot është finalizuar dokumentacioni i nevojshëm për shpërndarjen e pjesshme të fondeve edhe për 10 ndërmarrje shoqërore.

Paratë janë dhënë për ndërmarrjen shoqërore “Pashtriku” në Prishtinë, kooperativën bujqësore në Talinovc - Ferizaj, mandej ndërmarrjen “Tregtia” në Ferizaj, Morava e Epërme në Viti – Gjilan, Fabrika e vajit në Ferizaj, Elan në Vushtrri, Magjistrala në Prishtinë, Fabrika për prodhimin e kërpudhave dhe kompostit në Klinë, ndërmarrja “Komuna” në Prizren, si dhe ndërmarrja shoqërore “Klina” në Klinë.

Më saktësisht shuma e fondeve që do të shpërndahet për këto 10 ndërmarrje është 1.525.651 euro dhe nga kjo do të përfitojnë edhe 1752 punëtorë të këtyre ndërmarrjeve shoqërore, të cilat në këtë fazë i plotësojnë kushtet dhe kriteret e parapara për të marrë një pjesë të 20 për qindëshit.

Kurse në Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës (OVGjSK) për këto ndërmarrje shoqërore janë edhe 159 ankesa të pa shqyrtuara.

Zyra për informim e AKP-së thotë se pjesën e mbetur të 20 për qindëshit punëtorët e 10 ndërmarrjeve shoqërore të lartë përmendura do ta marrin pasi që Oda e Veçantë të Gjykatës Supreme të Kosovës merr vendimin përfundimtar lidhur me këto ankesa.

AKP rikujton punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore të cilat janë privatizuar, se është e përkushtuar për shpërndarjen sa më të shpejtë të mjeteve të 20 për qindëshit.

Shuma e përgjithshme e 20 për qindëshit të shpërndarë deri më tani ka arritur shifrën prej 43.265.902 euro, nga të cilat 15.657.120 janë gjatë kohës së AKM-së, ndërsa 27.608.782 euro gjatë kohës së Agjencionit Kosovar të Privatizimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›