E Shtunë, 31 Tetor 2026

Westerwelle: Integriteti territorial, i pacenueshëm

Nga Express më 11 gusht 2011 në ora 12:07

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle ka thënë të enjten pas një takimi që ka zhvilluar me presidentet Atifete Jahjaga, se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe proceset integruese të saj.

Westerwelle e ka përgëzuar presidenten Jahjaga për marrjen e detyrës në krye të shtetit dhe tha se Gjermania është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike.

Ai tha se është me rëndësi progresi i Kosovës në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.

Në këtë rast, Westerwelle theksoi se Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe vlerësoi se është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe koordinimi i Kosovës me vendet anëtare të BE-së dhe në veçanti me Gjermaninë, si vend përkrahës i saj.

Sipas tij, duhet të koordinohen të gjithë hapat dhe theksoi rëndësinë e informimit, posaçërisht të vendit të tij, për veprimet që ndërmerren në Kosovë.

Kurse presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi ministrin gjerman për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë vendi i tij Kosovës në të gjitha fushat.

Ajo tha se është me rëndësi thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën politike dhe ekonomike dhe vlerësoi se Gjermania mund të ndihmojë në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Presidentja shtoi se Kosova duhet të kemi një rrugë të pakthyeshme të integrimit evropian dhe duhet të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, që do të thellonte reformat e brendshme dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas saj, nuk ka zgjidhje tjetër përveç sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe se nuk do të mbështetet ndarja e Kosovës ose riaranzhimet e brendshme të vendit tonë.

Jahjaga theksoi se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Republikën e Serbisë, dhe angazhimi i forcave policore për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi duke kontrolluar pikat doganore kufitare 1 dhe 31 dhe në gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të ruajtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj.

Ajo tha se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të gjejë zgjidhje praktike me të cilat jeta e qytetarëve në rajon mund të përmirësohet dhe theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të vendosin një marrëdhënie normale, sikurse e kanë të gjitha vendet e tjera në rajon, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan.

Ministri i jashtëm gjerman pritet të takohet edhe me kryeministrin Hashim Thaçi.

Më pas, sipas agjendës Westerwelle do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Erhadr Buhler, përfaqësuesin e BE-së, Fernando Genitilin, shefin e EULEX-it, Havier But de Marnak, si dhe me zyrtarë të tjerë.

Në nisje të turneut të tij në rajon, Westerwelle tha se rruga drejt Bashkimit Evropian është përmes demokracisë, reformave dhe zgjidhjes paqësore të të gjitha konflikteve.

“Ka vetëm një rrugë për zgjidhjen e konflikteve dhe ky është dialogu”, ka thënë shefi i diplomacisë gjermane.

Sipas tij, Gjermania nuk do të negociojë për integritetin territorial të vendeve të rajonit.

Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle është ministri i parë i Bashkimit Evropian që viziton vendin tonë, pas ngritjes së tensioneve në veri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›