E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga 31 tetori, në qarkullim 34 km të autostradës

Nga Express më 11 gusht 2011 në ora 18:27

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, të enjten ka vëzhguar nga afër punimet që janë duke u zhvilluar në autostradën Vermicë-Merdar, me ç’rast ka bërë të ditur se deri më 31 tetor do të mundë të lëshohen në qarkullim 34 kilometrat e para të kësaj autostrade.

Ministri Mujota deklaroi se zotimi i dhënë në mënyrë publike nga ana e Kompanisë “Bechtel Enka” dhe nga ana e Qeverisë së Kosovës, se deri më 31 tetor do të mundë të lëshohen në qarkullim 34 kilometrat e para të autostradës, tani është e besueshme dhe se do të jetë realitet i plotë.

“Sot jemi ne visit pune ne rrugën e kombit dhe është arritur një progres i madh brenda një muaji, tani punojnë më tepër se 3600 punëtorë dhe më shumë se 2000 makina pune në gjithë segmentin e punës për gjatë 34 kilometrave dhe suksesi i arritur për këtë periudhë kohore garanton që zotimi i dhënë në mënyrë publike nga ana e kompanisë dhe nga ana e Qeverisë, se deri më 31 tetor do të mund të lëshohen në qarkullim 34 kilometrat e para të autostradës, tani është e besueshme se do të jenë realitet i plotë”, tha Mujota, siç transmeton Kosovapress.

Ai po ashtu përgëzoi kompaninë për punën e madhe dhe për suksesin e arritur, njëkohësisht falënderoi banorët e lokaliteteve ku po kryhen punimet, të cilët kanë gjetur mirëkuptim për të zbatuar vendimet e Qeverisë dhe për të krijuar hapësirë të mjaftueshme të punës për kompaninë.

Ndërsa menaxheri i projektit nga “Bechtel Enka”, Darren Mort ka thënë se punimet e kësaj autostrade kanë qenë të suksesshme dhe të jashtëzakonshme në këtë muaj, vetëm për të arritur datën finale për hapjen e 34 kilometrave, dhe sipas tij, krejt kjo është bërë falë bashkëpunimit që kanë pasur me institucionet e Kosovës, duke bërë të mundur që kjo rrugë të hapet në afatin e paraparë.

“Ka qenë një vit i suksesshëm, një punë e suksesshme, falë edhe bashkëpunimit të jashtëzakonshëm që kemi pasur me të gjithë institucionet që kanë bërë të mundur që ne të vijmë deri këtu ku jemi dhe jam shumë optimistë që kjo rrugë do hapet në afat”, tha ai.

Për më tepër, autostrada Vërmicë-Merdar do të mbajë emrin e ish-presidentit të Kosovës “Ibrahim Rugova”, sipas vendimit të Qeverisë.

Kjo autostradë do të përshkojë Kosovën që nga kufiri me Shqipërinë - pika kufitare në Vermicë, deri në kufirin me Serbinë, në Merdare.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›