Vazhdon kontrabanda me naftë në veri

Kontrabanda me derivate të naftës në veri të vendit, përkatësisht përmes Zubin Potokut dhe fshatit Çabër, janë duke i prirë një numër i kompanive nga jugu i Mitrovicës, të cilat merren me transportimin e udhëtarëve, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.
Sipas të njëjtave burime, këto kompani me autobus për çdo ditë në ora 06.00 dhe 15.00 marrin nga 3-4 tonë naftë nga kontrabanduesit tjerë që sjellin naftën deri në fshatin Çabër.
Ndërkaq, në terminalin doganor në Mitrovicë gjenden një numër i caktuar i autobusëve që janë ndaluar nga policia dhe doganat e Kosovës, pikërisht lidhur me kontrabandimin e derivateve të naftës.
Burimet më tej kanë specifikuar se nafta për këta autobusë vie nga pompa e benzinës, e cila gjendet në fshatin Zupç, pronarët dhe punëtorët e së cilës dyshohet të kenë shtënë me armë në drejtim të Policisë së Kosovës më 26 korrik, si dhe janë organizatorët e vendosjes së barrikadave në rrugën për në Zubin Potok.
Në anën tjetër, zyrtarë të policisë së në Mitrovicë kanë theksuar se policia ka ndaluar disa autobusë, të cilët po bënin furnizimin me karburante në veri të Mitrovicës dhe Kosovës.
“Nuk kemi dijeni se nga Çabra është duke u bërë kontrabandë me naftë, por policia në disa raste ka ndaluar autobusët që janë furnizuar në veri të Kosovës dhe këta janë dërguar në terminalin doganor”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti. (KP)