19 minuta në Epir
Brenda pak minutash kinemaja shqiptare ka përjetuar pak jetë nga Epiri, pikërisht në Zagori të Greqisë. Është drama familjare që mallëngjeu regjisoren greke, Elena Dimitrakopoulou, pasi për të kishte ardhur koha e Zafirit. Ajo çka e bën tërheqës për shqiptarët është pikërisht kolona zanore e filmit me të njëjtin emër, “Zafiris”. Sipas saj, muzika përshkruan një traditë në Epir, për të cilën ajo flet në një intervistë për “standard”. Të shtunën në mbrëmje, filmi i saj me metrazh të shkurtër bashkë me katër produksione të tjera mbyllën festivalin e ditëve të filmit grek në Tiranë, një aktivitet që organizohej për të parën herë.
Dimitrakopoulou lindi në Athinë dhe studioi në shkollën kinematografike të televizionit “Stavraku” dhe punon si asistente regjisore dhe skript në shumë filma e prodhime filmike. Ka realizuar dy filma me metrazh të shkurtër, me të cilët thotë se është vlerësuar me shumë çmime në festivale të ndryshme në Greqi. Ajo tregon për eksperiencën e saj në realitetin shqiptar dhe këndvështrimin e saj regjisorial.
Keni ardhur nga Greqia për të dëshmuar punën tuaj si regjisore e filmave me metrazh të shkurtër në festivalin “Ditët e filmit grek”. A mund të na tregoni diçka për veten?
Unë si regjisore kam realizuar dy filma me metrazh të shkurtër deri tani. Filmi i parë quhet “Sekretet e një qyteti”, me të cilin kam marrë çmim të parë në festivalin e dramës, ndërsa produksioni i dytë titullohet “Zafiris” me të cilin unë edhe u përfaqësova në festivalin e filmit grek në Tiranë. Ky i fundit ka dalë në skenë në vitin 2006, i cili po ashtu është vlerësuar me shumë çmime të ndryshme. Kam marrë një çmim në Greqi për filmin më të mirë me metrazh të shkurtë, që zhvillohet çdo vit në festivalin e kinemasë në Selanik. Po ashtu filmi është vlerësuar edhe në festivalin “Festivali i Londrës greke” e çmime të tjera po ashtu.
Ndërkohë, ju ishit pjesë e festivalit grek në Tiranë. Si do ta vlerësonit pjesëmarrjen tuaj në këtë aktivitet, i cili organizohet për herë të parë edhe në Shqipëri?
Është shumë interesant fakti që filmi im me metrazh të shkurtër është zgjedhur për këtë festival në Tiranë, pasi realizimi flet për Epirin, që është një vend në Greqi, dhe është shumë afër me Epirin e Veriut ose ndryshe mund ta quajmë Shqipërinë e Jugut.
Pse mendoni se është kualifikuar filmi juaj më së shumti për të konkurruar në festival?
Përveç asaj çka unë shpjegova më lart, pra tematikën e Epirit, mendoj se filmi im është përzgjedhur mes shumë të tjerësh edhe nga muzika, një sekuencë e përafërt me Epirin e Veriut.
Po ne, shqiptarëve, çfarë mund të na lidhë me filmin tuaj, konkretisht?
Mendoj se nga fakti që më përpara ekzistonte një traditë në Epir dhe nga ana tjetër ka të bëjë me historinë e një vajze të vogël, ku babai i saj është shumë i sëmurë, ndërsa ajo vetë nuk arrin të kuptojë se çfarë po ndodh, madje as shqetësimin e nënës së saj kur kërkon të shkojë të luajë me shoqet sepse ka ardhur koha e Zafirit. Krisanthi duke veshur pantallonat e babait, nuk rehatohet dot kur loja fillon. Përpiqet të mbajë frymën, por kur kënga mbaron, të vetmen gjë që kërkon, është të kthehet në shtëpi.
I prekni temat sociale?
Do të doja të merresha me tema sociale. Me interesojnë njerëzit e thjeshtë që merren me problemet e tyre në jetën e përditshme. Besoj se nuk është e nevojshme të krijosh histori të komplikuara për një film, por gjithsesi më shumë anoj nga e thjeshta. Në këtë mënyre secili prej nesh do të arrijë të depërtojë përtej asaj çka unë kam dashur të paraqes.
Si qëndron pozicioni juaj si regjisore e filmave me metrazh të shkurtër në Greqi? Si është raporti juaj me tregun?
Është e vështirë të jesh fillimisht një regjisor. Filmat me metrazh të shkurtër nuk kanë ndonjë diferencë të madhe me filmat artistikë, me metrazh të gjatë. Por thjesht ata me metrazh të shkurtër kërkojnë më pak kohë në dispozicion për t’u prodhuar. Problemet që ndeshen në njërin rast, me siguri mund t’i ndeshësh edhe nëse produksioni zgjatet apo shkurtohet.
Është e vështirë të ndërtosh një histori të gjatë në një film të shkurtër, siç është rasti i “Zafiris”, i cili zgjat vetëm 19 minuta. Nga përvoja ime mund të tregoj se në festivalet që zhvillohen tani, zgjidhen më shumë filma që zgjasin deri në 15 minuta. Pra, nuk është e lehtë të përmbledhësh një histori në kaq pak kohë.
A ka bazë të mjaftueshme ngjarjesh Greqia, që regjisorët të mund të mbështesin skenarët e tyre për një produksion filmik?
Gjithçka varet nga regjisori. Sigurisht që tema ka, por kjo është në varësi të vetë regjisorit. Pra, nëse një temë e caktuar mund ta mallëngjejë atë, çfarëdo qoftë ajo, ai është i predispozuar ta shfrytëzojë për filmin e tij.
Po ju vetë, çfarë ngjarjesh shfrytëzoni për t’i përdorur si skenarë të filmave tuaj? Ju mallëngjejnë ngjarjet e aktualitetit, dorëshkrime historike apo...?
Më pëlqejnë edhe temat sociale, dorëshkrimet historike e për këtë bashkë me regjisorin shqiptar, Bujar Alimani, jemi në tentativa për të realizuar një film dokumentar. Por, gjithsesi, është ende një projekt në letër, i papërfunduar.
Çfarë keni parasysh kur zgjidhni tematikën e filmit tuaj?
Ajo që duhet të kemi më shumë parasysh, është zgjedhja e një teme, e cila mendojmë se duket më joshëse kundrejt sponsorëve të ndryshëm, për të na mbështetur më pas financiarisht.
Çfarë mund të jenë këto tema?
Një prej temave më konkrete është ajo e lëvruar në filmin tim “Zafiris”, që buron nga një këngë tradicionale e Epirit. Ajo kishte cilësi mallëngjyese e kështu mora një mbështetje të konsiderueshme. Është fjala për këngën me të njëjtin titull, që flet për një temë tradicionale që ndodhte në vendin Zagori. Kur vizitova Gjirokastrën, vërejta se arkitektura e saj e lashtë ishte e njëjtë me atë të Epirit, pra më dukej vazhdimi i saj.
D.m.th ju keni ardhur disa herë në Shqipëri?
Jo, është e dyta herë.
Cila është përshtypja juaj për vendin tonë?
Herën e parë unë kisha ardhur për xhirimet e filmit “Eduard” në Përmet dhe Gjirokastër të zonjës Angjolikia Dhoni në vitin 2006. Të vizitosh Shqipërinë është një eksperiencë më vete. Kur e kam vizituar atë, vura re se diferencat mes nesh janë të pakta.
Cila do të ishte këshilla juaj për regjisorët e rinj shqiptarë?
Duhet të kenë shumë fuqi, durim dhe kurajë dhe të mundohen të realizojnë sa më shumë produksione. Talenti është shumë subjektiv, tashmë secili nga ne mund të bëhet regjisor. Mjafton të marrë një video-kamera e të shkojë të xhirojë atë çka ai ka menduar. Diferenca mes tyre qëndron tek durimi, se kush ka durim ta bëjë më shumë se dy herë ketë gjë.
Po, për sa i përket cilësisë?
Sa më shumë punon, aq më shumë do të mësosh. Po ashtu janë shumë të domosdoshëm edhe bashkëpunëtorët me të cilët mund të ndash të njëjtat eksperienca, për të arritur realizimin e punëve më të mira.