Haydn, ambicia e dhjetë e “Klasikut”
Edicioni i dhjetë i sezonit ndërkombëtar të koncerteve “Klasik” këtë vit do të përfshijë jo vetëm disa qytete më shumë në program, por edhe në vendet e rajonit. Evenimenti ka filluar me kuartetin e harqeve, “Archimede”, ardhur nga Italia. Këtë vit, në jubileun e tij, ky sezon do të ofrojë një publik më të gjerë, të qendrave të mirënjohura të kulturës shqiptare, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri, një larmi jo vetëm të artistëve pjesëmarrës që do të vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia, Shqipëria e Holanda, por edhe të repertorëve që do të ekzekutohet për publikun tonë. Vlen të përmendet këtu kuarteti “Archimede” nga Italia, kori i Dortmundit “Collegium Vocale”, kori “André Léculeur”, kori “Prenk Jakova”, orkestra e RTVSH-së, kompania “Linga” (Dance Theater), duoja “Arcadia”, por edhe nga ana tjetër repertorët që do të mbushin mbrëmjet koncertore të “Klasikut” do të kenë autorë që nga Mozart, Schubert, Grieg, Haydn, Shostakovich, Cassadò, Hirschler, Kunc, Bashkim Shehu (kompozitor kroat me origjinë kosovare) etj. Modeli i menaxhimit të këtij sezoni në një partnership të gjerë si me institucionet kulturore e arsimore artistike shqiptare ashtu edhe me përfaqësitë kulturore të ambasadave të akredituara në Shqipëri përbën një nga pikat e forta të grupit organizator, i cili mbërrin në një edicion të dhjetë të koncerteve “Klasik”.
Dy shoqatat kulturore shqiptare, “Syri blu” dhe “Miqtë e muzikës” të cilat menaxhojnë sezonin koncertor “Klasik”, kanë marrë përsipër që përmes këtij sezoni të arrijnë të realizojnë një nga projektet më ambiciozë të viteve të fundit: realizimin e një produksioni të “Krijimit” - 'Die Schöpfung' të J. Haydn, në kuadër të 200-vjetorit të vdekjes së kompozitorit të madh. Sipas organizatorëve, ky produksion do të jetë edhe elementi më domethënës i organizimit të edicionit të dhjetë të sezonit ndërkombëtar të koncerteve “Klasik”, pasi në të ndërthuren jo vetëm vlerat artistike të veprës më të rëndësishme të Haydn-it, por edhe niveli i lartë i bashkëpunimit dhe komunikimit artistik të artisteve që do të vijnë njëherësh nga Gjermania, Franca, Shkodra e Tirana.