E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e legalizimit, gati dosjet e 10 mijë ndërtimeve



Javën e ardhshme pritet të ndahen disa mijëra leje legalizimi për ndërtimet informale. Në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave pritet që të miratohen disa mijëra ndërtime pa leje. Gjithashtu, në listën që do të miratohet javën e ardhshme, do të ketë edhe një listë të ish-pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Agjencia e Legalizimeve ka bërë gati dosjet e ndërtimeve informale dhe pritet vetëm vendimi i qeverisë për legalizimin e plotë të tyre. Për të gjitha ndërtimet informale që janë ndërtuar në tokë shtetërore apo në tokën e pronarëve të ligjshëm, ekspertët e ALUIZNI-t kryejnë matjet në terren dhe pas kësaj, përgatisin dosjet përkatëse. Pas kësaj, dosjet e hartuara nga ALUIZNI dërgohen për miratim në qeveri. Në këtë moment fillon e përgatitet vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili konsiston në kalimin e pronësisë, pra kjo sipërfaqe toke i kalohet në pronësi ndërtuesit të ndërtimit informal, për t’u bërë e gatshme për të plotësuar lejen e legalizimit dhe më pas kartelën e pronësisë. Me daljen e vendimit përgatitet fatura sipas sipërfaqes. Çdo qytetar duhet ta likuidojë atë pranë sporteleve të bankës. Pas likuidimit të kësaj fature, paraqitet te noteri përfaqësuesi i ALUIZNI-t dhe qytetari që ka ndërtuar. Bëhet akti noterial dhe pas kësaj mbyllet i gjithë cikli. Agjencia e Legalizimit pasi jep lejen e legalizimit, kryen edhe plotësimin e kartelës së pronësisë, kartelë e cila dërgohet edhe në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në momentin që qytetarit i publikohet emri në listat e miratuara nga qeveria, atëherë ai shkon e merr faturën e vlerës së truallit pranë zyrave të ALUIZNI-t dhe pasi kryen pagesën, ai duhet të nënshkruajë aktin noterial. Pas kësaj, ALUIZNI i dorëzon lejen e legalizimit dhe në të njëjtën kohë që merret leja e legalizimit, agjencia dërgon edhe dokumentet pranë Hipotekës.

Ish-pronarët

Agjencia e Legalizimeve bën me dije se brenda muajit tetor do të nisë ndarja e fondit për ish-pronarët e tokave që u janë zënë në ndërtime pa leje. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia, ka bërë me dije se deri tani agjencia ka mbledhur rreth 2 miliardë lekë të reja nga procesi. Mësohet se 1 miliard lekë nga kjo sasi do të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve. Deri tani janë gati 900 ish-pronarë të cilëve u është miratuar emri në Këshillin e Ministrave. Këta ish-pronarë do të përfitojnë nga fondi prej 1 miliard dollarësh ose afërsisht 10 milionë dollarë. Mësohet se pjesa tjetër e fondit prej 1 miliard dollarësh do të shkojë për pushtetin lokal, ashtu siç e parashikon edhe ligji i legalizimeve të ndërtimeve informale.

Letrat me vlerë

Nga ana tjetër, ata që kanë ndërtime pa leje dhe që lejohen nga ligji për të paguar tarifat sipas ligjit me bono privatizimi, duhet të bëjnë një kërkesë në Agjencinë e Legalizimeve. Kjo kërkesë duhet bërë jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e ligjit. Aktualisht, rreth 70 për qind e qytetarëve që kanë marrë lejen e legalizimit e kanë paguar detyrimin financiar, por në rast se ata disponojnë bono privatizimi, qeveria do t’u kthejë lekët. Kjo do të thotë që ata që e kanë paguar tashmë shtëpinë e tyre me letra me vlerë, mund të tërheqin paratë e dhëna për ALUZINI-n për t’i shkëmbyer me letra me vlerë. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim, pranë ALUIZNI-it, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - thuhet në projektligjin e qeverisë që pritet të miratohet javën e ardhshme në qeveri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›