E Shtunë, 31 Tetor 2026

19 të vrarë pas një shpërthimi në Pakistan

Një sulmues vetëvrasës ka vrarë sot së paku 19 persona, para një gjykate në veriperëndim të Pakistanit, sulmi ky më i ri për të cilin fajësohen militantët islamikë, të cilët po përballen me ofensivën e ushtrisë pakistaneze, në brezin kufitar me Afganistanin.

Ky sulm ishte i shtati brenda apo në afërsi të qytetit Peshavar gjatë dy javëve të kaluara. Si pasojë e këtyre sulmeve kanë humbur jetën 80 persona. Sulmuesi, i cili në vendin e ngjarjes shkoi me taksi, ishte duke u kontrolluar nga ana e policëve, në hyrje të gjykatës, kur aktivizoi bombën që e kishte të lidhur në trup, deklaroi zyrtari i qeverisë, Sahibzada Anees.

Mjeku Saib Gul, nga spitali qendror në Peshavar, theksoi se si pasojë e këtij sulmi kanë humbur jetën 19 persona, ndërsa janë lënduar 51 të tjerë. Së paku tre nga të vrarët kanë qenë policë.

Këto sulme nuk do të ndalin luftën tonë kundër këtyre egërsirave, që po vrasin fëmijët tanë, deklaroi zyrtari Bashir Ahmad Bilour.

Ushtria pakistaneze ka filluar nga mesi i tetorit ofensivën kundër militantëve talebanë në provincën e Vaziristanit Jugor. Ushtria ka arritur të pushtojë disa qytete në këtë rajon, por militantët kanë thënë se ata tani e tutje do ti shmangën luftimeve dhe do të përqendrohen në fushatë guerile.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›