E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karzai inaugurohet president

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, u zotua sot se do të ndjekë zyrtarët e korruptuar të qeverisë, duke folur në ceremoninë e inaugurimit të tij për president, ceremoni kjo e cila u përcoll nga afër nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët shpresojnë se Karzai gjatë mandatit të tij të dytë pesëvjeçar do të ndërmarrë masa më të ashpra për të luftuar korrupsionin.

Karzai është përballur me trysninë e shtuar ndërkombëtare për të pastruar qeverinë e tij. Pas inaugurimit të tij, Karzai theksoi se qeveria e tij po bën çmos për të zbatuar reformat dhe u zotua se forcat afgane të sigurisë gjatë pesë viteve të ardhshme do të jenë në gjendje që të marrin përsipër përgjegjësinë për sigurinë e vendit.

Ne po bëjmë çmos që është në fuqinë tonë, për të implementuar reformat sociale, juridike dhe administrative në vendin tonë, tha Karzai.

Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë rreth 800 mysafirë vendas dhe të huaj nga rreth 40 shtete të botës.

Në mesin e mysafirëve ishin edhe Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari dhe Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›