E Diel, 1 Nëntor 2026

1925, Prapaskenat e zgjedhjes së Ahmet Zogut si president i republikës

Zogu, Mbreti i Shqiptarëve (7)

Vijon nga numri i kaluar

Eshtë e pavlerë të rikujtojmë nëse ishin pesëdhjetëmijë apo njëqind mijë... këta të rinj.

Të gjithë kujtojmë vetëm se ata që shihnin me frikë të vërtetë rikthimin e Zogut, ishin ndonjë qindshe, prej të cilëve shumë ishin të mashtruar.

Dhe të mos harrojmë se pjesa më e madhe e atyre që bënin pjesë në këto qindshe, kishte siguruar strehë në krahët e gjatë të Sovjetikëve, drejt e në Rusi, ose nëpër sahanët e kryeqyteteve të ndryshme të Europës që i miratonin veprimet e tyre.

Dhe Zogu erdhi.

Sulmi u bë nga shumë krahë, Ai ishte në qendër të zinxhirit të zjarrit e të plumbave.

Hyri në Tiranë në mëngjesin e 24 dhjetorit 1924, i pritur triumfalisht nga gjithë populli.

Ata që e kishin dënuar në mungesë për vrasje dhe për vëllavrasje, ia mbathën me nxitim.

Dhe historia e kombit shqiptar, të çliruar dhe të dalë në rrugën e popujve që duan të jetojnë në paqe e në qetësi, filloi të merrte udhën e saj.

Jo vetëm kaq, por ata që deklaronin që kishin qenë të mashtruar, u falën pa asnjë poshtërim, sepse Shqipëria që ndërtonte partia e Zogut, ishte Nana e Madhe e të gjithëve, dhe me një zemërgjerësi e butësi biblike, u hapi krahët të gjithëve me gjithë mëshirën e mundshme.

IX.

Presidenti i Republikës

Përpara se të pranonte postin e Presidentit të Republikës, Zogu, me ftesë të Regjencës e, mbi të gjitha, pas miratimit të Asamblesë Kombëtare Kushtetuese, pranoi postin e Kryetarit të Kryesisë së Ministrave (5 janar 1925).

Ai i drejtoi kombit një deklaratë, të cilën e lexoi edhe në Asamble. Po e përkthej, ngaqë është një dokument historik me një vlerë të rëndësishme dhe dëshmon përmbi kushtet politike e sociale shqiptare të asaj kohe.

"Popull!

Prej se jam kthyer në pushtet ndihem përgjegjës ballë teje për përmbarimin e programit tim, që po e parashtroj duke ndërmendur edhe ndodhitë e mbrame.

Revolucionarët, të mbështetur prej trupash aktive, rrëzuan Qeverinë e ligjshme, shpërndanë Përfaqësuesit e tu, krijuan një Qeveri të tyren revolucionare që, në gjashtë muaj, nuk diti të përmbushë programin e vet - i mirë ky a i keq - dhe nuk diti të bëjë gjë tjetër, pos se të lidhë me vargonj njerëzit, të djegë shtëpi dhe të konfiskojë pasuritë në dëm të mbështetësve të Qeverisë së ligjshme.

Ky poshtërim i lirisë sate, u krye drejtpërdrejt prej oficerëve nga të cilët ti prisje mbrojtjen e vendit dhe të nderit të kombit.

Një vend në të cilin nuk ka siguri nderi, jeta, pasuria, e me ide bolshevike, nuk mund të jetojë në kohën e sotme.

Për t'i dhënë fund kësaj periudhe të errët, duke u bazuar në Dekretin që më është lëshuar në atë kohë nga Qeveria legale, fillova operacionet më 13 të muajit të kaluar dhe më 24 të po atij muaji, kreva përfundimisht me sukses të plotë detyrën duke siguruar qetësitë të plotë dhe duke rikthyer Qeverinë legale në Tiranë mes një entuziasmi mbarëpopullor.

Mbas dorëheqjes së Shkëlqesisë së Tij Vrioni, nga Regjenca më është besuar posti i Kryeministrit. Në këtë kohë kam filluar veprimet e duhura për ta larguar përfundimisht ushtrinë shqiptare nga politika dhe ndërkaq kam filluar aktivitetin tim, duke mbyllur ministrinë e Luftës dhe duke e ndërruar me një Komandë të Përgjithshme të Forcave të Armatosura.

Për t'i dhënë ushtrisë disiplinën dhe përgatitjen e duhur, - që në këto kohët e fundit ishte bërë strofka e partive politike - do të hiqet sistemi i vjetër i drejtimit. Meqenëse numri i oficerëve të sotëm, për momentin është i tepërt, do të zgjedhim midis tyre një sasi të mjaftueshme për nevojat e Forcave të Armatosura, duke preferuar më kompetentët dhe më të papërzierit me politikën. Të tjerët do të zhvishen.

Për të garantuar rendin publik, do të jepet gjithë ndihma e nevojshme për organizimin e një Xhandarmërie të fortë, të drejtë e të disiplinuar, duke marrë për këtë qëllim instruktorë të huaj.

Meqenëse arka e shtetit është mjaft e dobët dhe nuk mjafton, do të shkurtojmë shpenzimet në mënyrë të tillë që të realizojmë punë që janë vetëm në favor dhe në shërbim të publikut.

Do të ndërmerret sa më shpejt të jetë e mundur, çarmatosja e përgjithshme e popullsisë.

Në zyrat e administratës do të vazhdojmë të organizohemi në mënyrë që të kursejmë diçka, e që do të bëhet e ditur.

Vendi ynë është i vogël e ka nevojë të përqendrohet në punët e veta të domosdoshme, prandaj do të ndjekë një politikë miqësore ndaj të gjithëve.

Nuk do të tolerojmë të bëhemi fole idesh të aventurierëve që turbullojnë qetësinë e shteteve rrotull nesh.

Do të respektojmë të drejtat e të gjitha shteteve, por vetëm në bazë të reciprocitetit, sepse duam të jemi të respektuar në të njëjtën mënyrë edhe ne.

Shkurtimisht: politika jonë e jashtme përmblidhet në mbrojtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të vendit.

Lus Zotin që të më ndihmojë dhe të më nderojë karshi teje së bashku me bashkëpunëtorët e mi!"

Ky dokument është interesant sepse është shkruar nga Zogu me dorën e tij, nga një pushim në tjetrin, nga një takim në tjetrin. Por aty dallohet një element psikologjik kuptimplotë në ndonjë rast: Zogu flet me "ne", në emër të Qeverisë, por në ndonjë rast, që lexuesi do t'i gjejë të shënuar në mënyrë të theksuar, folja është në numrin njëjës!

Dhe kishte të drejtë. Për shkak të kthimit të tij, për shkak të punës së tij, në njerëzit racionalë u krijua bindja se më në fund i duhej dhënë një "alt" përfundimtar asaj demokracie që bazohej mbi disa lexime të panxëna dhe që ishin inspiruese tendencash që nuk përkonin me traditat e vendit, me kulturën dhe disiplinën e duhur shtetërore.

Le të më lejohet që të kërkoj autorësinë e disa ndryshimeve ligjore të bëra në Statutin e Republikës (kushtetuta - N.K.) të cilat, - duke qenë dakord me Zogun, - i mbrojta dhe i arrita, ndryshime kaq të forta e të atilla që do t'i lejonin presidentit të ardhshëm, edhe Diktaturën, në mënyrë që Ai të mund t'i bënte ballë çdo tentative demagogjike nga pushteti legjislativ.

Zogu u zgjodh President më 31 janar 1925 nga Asambleja me një unanimitet votash.

Në të gjithë vendin pati një shpërthim gëzimi të jashtëzakonshëm.

Më kujtohet se atë natë ngelëm për disa orë, pothuajse robër të demostrimeve popullore, në një hotel në qendër të Tiranës, sepse vullnetarët e Zogut dhe mbarë populli - duke zbatuar një zakon mjaft të vjetër tonin - u harruan në një qitje me pushkë që nuk kishte të mbaruar dhe që ishte e rrezikshme: kishte momente në të cilat jo të gjithë mund të qëllonin në ajër. U desh ndërhyrja e xhandarmërisë së riorganizuar për t'i dhënë fund qitjes së pandalshme.

Në atë natë, më 31 janar, Presidenti më dha Shpalljen e mëposhtme, duke më ngarkuar detyrën e publikimit. Ajo është e rëndësishme sepse pikturon Njeriun e vendosur në idealet e tij.

Po e përkthej fjalë për fjalë:

"Tiranë, 31 janar 1925

"Shqiptarë!

Asambleja më ka zgjedhur president të republikës.

Kam pranuar detyrën e madhe dhe të vështirë me besimin se të gjithë atdhetarët do të jenë të bindshëm ndaj Ligjeve.

Në këtë rast, duke jua drejtuar Juve fjalën e parë si Udhëheqësi Juaj, ju ftoj që të reflektoni edhe njëherë për konsolidimin e Shtetit, sepse, për forcimin e administratës, për përparimin e zhvillimin e Kombit tonë, duhet e nevojitet qetësia publike dhe puna, pasi përndryshe nuk mund të fitojmë besimin dhe mbështetjen e shteteve të tjera.

Dua me gjithë shpirt që Shqipëria të jetë shembull paqeje e pune.

Kurrë nuk do të lejoj që të prishet nga ndokush qetësia dhe mirëbesimi i popullit, sepse dua që, me urtësinë dhe me punën tuaj, Kombi të fitojë një të ardhme të ndritshme e të lavdishme, dhe një vend të lartë në historinë e qytetërimit.

Shqiptarë!

Ju përshëndes dhe me këto propozime dua t'ju shpreh vullnetin e ushtarit e dashurinë e vëllait!"

Ahmet Zogu"

***

Presidenti, tashmë i papenguar nga intrigat e kurthet parlamentariste, u dha me mish e me shpirt në organizimin e shtetit dhe filloi punën për rindërtimin me një akt mëshire, duke nxjerrë një amnisti të gjerë për të gjithë krimet politike.

Në qershor të atij viti bëri disa veprime politike mjaft të rëndësishme që e forcuan së tepërmi shtetin: ndër të parët e këtyre veprimeve, llogaris marrjen e kontaktit direkt me popullatën më luftarake të Kombit.

Ai priste vazhdimisht vizita të grupeve, prandaj mendoi me të drejtë se do të ishte më mirë sikur t'i priste njëherë e mirë të gjithë krerët e njerëzit e shquar të Shkodrës, Kosovës e Dibrës, me qëllim që ata, jo vetëm të kontaktonin bashkërisht me presidentin, por edhe që të njiheshin mes tyre dhe të krijonin lidhje më miqësore e më të shpeshta.

Në takim morën pjesë 540 vetë, më përfaqësuesit e maleve, e pothuajse të gjithë, krenarë për traditat e pasura familjare e për vepra trimërie dhe të vlefshme.

Malësorët, të ngjeshur në armë e të ndritshëm në ar e argjend, u mblodhën rreth Udhëheqësit të ri, i cili u mbajti atyre një fjalim të fortë e të thjeshtë, bindës e të përzemërt, duke i ftuar drejt paqes, punës, patriotizimit, dhe bashkëpunimit.

I mësuar me mentalitetin e malësorëve, Ai diti t'u flasë në një mënyrë kaq bindëse sa ata, - megjithëse e kanë zakon të fortë të mos duartrokasin, por vetëm të bëjnë shenjë me kokë ose me fjalë, - harruan zakonin e tyre dhe me zë të fuqishëm dhe njëzëri i shpallën fuqishëm mbështetjen e tyre.

Shumë prej tyre bubulluan me fjalët: "Rroftë Mbreti ynë!"

Kuvendi simpatik e mjaft i gjetur u mbyll me premtimin solemn të malësorëve, që i dhanë besën dhe mbështetjen reciproke njëri-tjetrit; pastaj, të gjithë i dhanë besën Presidentit.

Ai kuvend ishte një lëvizje politike shumë e hollë, sepse, nëse jo të gjitha, shumë rrugë iu prenë intrigave dhe aventurierëve.

Mbasi u bë kjo, ai u mor personalisht me mbeturinat e rrëmujave politike që fshiheshin aty këtu në pritë, si dhe vëzhgonte kryerjen e masave të nevojshme për të siguruar qetësinë publike dhe administrimin normal. Dhe gjithçka u krye brenda limiteve të një legjislacioni të ashpër.

Puna e stërmadhe e rimëkëmbjes - megjithëse kishte mbi vete edhe kryesimin e debateve të Këshillit të Ministrave - nuk e shkëputi Presidentin nga shqetësimet e problemeve të rënda ekonomike dhe financiare.

Ndërtoi Bankën Kombëtare, monedha e së cilës është sot më solidja në Europë, dhe mundësoi krijimin e SVEA-s (Società per lo Svilupo Economico d'Albania) (Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë), së cilës i dedikohen vepra publike shumë të rëndësishme, prej të cilave disa janë monumentale, si për shembull urat mbi lumenjtë Mat e Vjosë.

Politikës së Jashtme Presidenti i dha atë zhvillim vizionar, të cilin do ta trajtoj më poshtë...

Vetëm për një kohë mjaft të shkurtë, një intrigë djallëzore e huaj, shqetësoi punën e pandalshme të Presidentit në muajin nëntor 1926. Disa qindra malësorë të mashtruar nga miklimet e disa horrave ndërkombëtarë, tentuan një goditje të guximshme mbi Shkodrën. Por me një veprim të shpejtë, tentativa e çmendur u shtyp menjëherë. Ata malësorë, është e nevojshme ta themi, nuk ishin prej atyre që një vit më parë i kishin dhënë besën Presidentit.

Po shënoj tani një akt shumë simpatik të Presidentit kundrejt Armatës së rindërtuar.

Më 8 qershor 1927 Ai u shpërndau flamujt përfaqësuesve të Ushtrisë së vogël. Asokohe unë isha sekretar i përgjithshëm, por dëshirova të transformohem për pak kohë dhe "privatisht" në rolin e një gazetari, sepse doja të jepja gjendjen psikologjike të momentit. Prandaj shkrova kronikën në vazhdim, që e përkthyer fjalë për fjalë, ndoshta nuk do t'ia prishë qejfin lexuesit sepse riprodhon disi shpirtin e gjuhës shqipe dhe gjendjen shpirtërore të popullit kundrejt Presidentit.

Ja ajo çka shkrova:

"8 qershor 1927

"Qielli është qelq i pastër, dielli nxeh mjaft dhe është në harmoni me nxehtësinë e zemrave tona.

Një erë e lehtë nga perëndimi, bën që flamujt të valëviten nga lindja. Flet Zoti i Madh i këtij Kombit tonë të shtrenjtë, duke u dhënë jetë flamujve, apo kjo është e rastësishme? Unë s'e di por nuk mund ta mohoj se për mua flamuri ka herë herë pamje hyjnore ose edhe si diçka me shpirt: ka krahë që të përqafojnë vërtet, ka një shpirt të gjallë që të bën të ngrihesh në qiell me idealet e Kombit. Dhe kështu edhe unë fluturoj me krahët e shpirtit tim, eci, shkoj larg, larg, duke vozitur në qiell me Flamurin tim, dhe atëherë shoh gjakun tim dhe dëgjoj erën e gjuhës sime, shikoj fisin tim të mbledhur rreth një zjarri të shenjtë që prej shekujsh u bën ballë armiqve."

***

"Bie tromba: vjen Presidenti! Eshtë Ahmet Zogu, i bardhë e fisnik, i drejtë e fuqishëm, me një hap ushtari të lindur me armë në dorë, ecën mbi fushën jeshile e mbi lulet e pranverës...

Populli, me një britmë të vetme të fuqishme, që shpërthen nga zemra me forcën e barutit të trysur nga shekujt, në personin e Tij përshëndet Rilindjen; ushtarët shtrëngojnë çeliqet që mbajnë në duar duke i ngritur lart në shenjë përshëndetjeje, drejtojnë trupin fuqishëm, shpërfaqin gjendjen e tyre shpirtërore nëpërmjet syve që shkëlqejnë e që duket se thonë: Ti je Kombi i lirë, ti je Flamuri ynë dhe Fati ynë, Ti na jep dritën e kësaj dite. Me këtë çelik e me gjakun tonë jemi për ty e me ty!"

"Dhe më pas Presidenti ushtari i parë dhe më i madhi i Flamurit, bën revistën e Oficerëve edhe të ushtarëve, herë duke e rrudhur e herë duke e bërë të qeshur ballin e tij të mendueshëm. Mandej u drejtohet përfaqësuesve të Forcave të Armatosura e thotë:

Zotërinj ushtarakë!

Deri më sot ju kam besuar mbrojtjen e Kombit, por sot mbrojtjes po i shtoj edhe mbrojtjen e nderit , pse po ju dorëzoj flamujt, që janë simboli i nderit të shtetit.

Cilësive që mira që kemi trashëguar nga të Parët tanë, duhet t'u shtojmë edhe ndonjë gjë tjetër, sepse vlerës së Lekës së madh dhe patriotizmit të Skënderbeut duhet t'i vemë kurorë vetëm nëpërmjet një disipline të fortë.

Gjyshërit tanë ishin të bindur se kur të ndodhte që të rrëzohej përtokë flamuri ynë kombëtar, do të ishte dridhur toka. Të njëjtën bindje duhet të kemi edhe ne, duke e ruajtur me xhelozi në zemrat tona.

Unë jam i bindur se Ushtarakët e mi kurrë e asnjëherë nuk do të lejojnë që Flamuri ynë kombëtar të poshtërohet në ndonjëfarë mënyre, dhe jam i sigurt se, nëse do të jetë nevoja, ata do të dinë të qëndrojnë e të bien si heronj!"

"Mbasi u dorëzuan flamujt, dhe mbasi u bë betimi, nga kjo fushë e gjerë dhe e qetë, ku jeshilja e pranverës shkrihet e përzihet me lulet e rinisë sonë, që janë prodhimet e para, më të bukurat e më të këndshmet të pranverës sonë kombëtare; nga kjo fushë ku Kryeqyteti i ri do të dëshmojë vullnetin e madh të racës sonë për nga progresi, dhe ku Flamujt sot valëviten gëzueshëm dhe bekojnë shqiptarët kudo që ata janë; gjatë betimit ushton zëri i ushtarëve që thërrasin: "Betohemi, betohemi! Rroftë Zogu!"

"Kalon Fati ynë, në ballë të kombit shfaqet e ardhmja e ndritshme e Historisë dhe në qiellin e hapur tingëllojnë përsëri armët e Skënderbeut. Zëri i fuqishëm i ushtarëve dëgjohet e zhurmon në veshët dhe reflektohet në zemra ashtu si valët e detit që përplasen mbi shkëmbinj."

Ne borgjezët, duke u dridhur nga emocionet, japim mbështetjen me mënyra të pazhurmshme. Me mendje e me zemër, por edhe me lot emocionesh në sy. Ndihemi të gjithë të gjunjëzuar shpirtërisht dhe me zërin e ndërgjegjes që nuk arrin në veshin njerëzor, sepse nuk është për njerëzit por për Qiellin, të gjithë bashkë, në një bashkim vëllazëror lutemi:

Bekoje, O Zot, Flamurin dhe armët tona! Bekoje Kombin dhe gjuhën tonë! Bekoje, mbroje e mbroje Presidentin tonë"!"


Vijon numrin e ardhshëm

Përktheu: Neritan Kolgjini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›