E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kërcënon” Rama, i jep vetëm 30 ditë kohë Berishës

Tri sinjale të forta kanë mbërritur dje nga kryetari i PS-së, Edi Rama drejt kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij, në gjashmujorin e tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona. Kryetari i PS-së i ka dhënë vetëm 30 ditë afat kryeministrit të vendit si kryetar qeverie dhe kryetar i mazhorancës që të ndryshohet urgjentisht ligji për prokurorinë në mënyrë të atillë që të gëzojë konsensus dhe të garantojë pavarësinë e institucionit, pa deklaruar se cilat do të jenë më pas lëvizjet politike të opozitës. Njëherësh, kreu i PS-së bëri thirrje për një protestë në respekt të viktimave të Gërdecit, por edhe të Kosta Trebickës, i cili ishte dëshmitari kyç i kësaj çështje dhe që pak ditë më parë u gjend i vdekur në një fshat të Korçës. Lidhur më këto çështje të mësipërme, duke i shtuar edhe korrupsionin dhe nepotizmin, që sipas opozitës po funksionon dhe rritet dita- ditës në kryeministri dhe çdo qelizë të qeverisjes, kryetari i PS-së Edi Rama tha dje se kreu i kësaj qeverie duhej ta kishte dhënë me kohë dorëheqjen.

Sa i përket protestës që do të zhvillohet të premten nga PS, është ftuar të marrë pjesë e gjithë opozita, duke përfshirë edhe LSI-në. Pavarësisht mosmarrvëeshjeve dhe deklaratave kundërshtuese që krerët e dy partive kanë lëshuar ndaj njëri- tjetrit, protesta duket se do i bashkojë, por jo në tribunë. Burime pranë LSI-së thanë dje se drejtues, deputetë dhe anëtarë të thjeshtë të LSI-së do të marrin pjesë në protestën që do të organizohet nga PS, por ata do të qëndrojnë të gjithë në shesh dhe asnjë nga drejtuesit e LSI-së nuk do të jetë në krah të Ramës në protestën e së premtes.

Gjithashtu, kryetari i PS u ka nisur dhe nga një letër drejtuesve të tjerë të partive opozitare ku i fton ata për të bashkërenduar qëndrimet e tyre pas kësaj situate të vështirë. Letra i është drejtuar dhe kryetarit të LSI, Ilir Meta. Drejtuesit e opozitës ftohen të diskutojnë nesër për çështje të sigurisë dhe të drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›