Procesi ndaj Sefgjinit, Ministria e Drejtësisë refuzoi mbrojtjen e Ziso Kristopullit
Kërkesa
Megjithëse është dëshmitari kyç në një prej ngjarjeve më të mistershme, ku edhe pse pas 13 vjetësh eshtrat e shqiptaro-maqedonasit, Remzi Hoxha nuk janë gjendur ende, ministria e Drejtësisë ka refuzuar që të lëshojë një urdhër mbrojtjeje për Ziso Kristopullin. Mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda kë kërkuar gjatë muajit korrik të këtij viti statusin e të mbrojturit nga drejtësia për Kristopullin, por kërkesa e tyre është hedhur poshtë nga ministria e Drejtësisë, e cila nuk e ka parë si të nevojshme plotësimin e kërkesës së organit të akuzës. Por, duke parë që gjatë dëshmisë së dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda Ziso Kristopulli ka mohuar disa prej fakteve të deklaruara në organin e akuzës gjatë hetimeve, burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda bënë të ditur se do të kërkojnë sërish statusin e të mbrojturit nga drejtësia për Kristopullin. Kjo, duke qenë se organi i akuzës dyshon që këtij të fundit mund t’i jetë bërë presion për ndryshimin e dëshmisë së tij, siç ishte mohimi në sallën e gjyqit të njohjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini. Për këtë të fundit, Kristopulli kishte deklaruar gjatë hetimeve të organit të akuzës se e njihte, madje e kishte cilësuar si një prej përgjegjësve kryesorë të rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës. Gjatë dëshmisë së tij, Kristopulli kishte bërë përgjegjës për rrëmbimin dhe torturimin e tij vetëm Budjon Meçen dhe Ilir Kumbaron, dy prej të akuzuarve kryesorë në procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda për zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Seanca e djeshme
Ndërkohë, seanca e djeshme ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, si dhe Ilir Kumbaros dhe Avni Koldashit, të cilët akuzohen për zhdukjen e Remzi Hoxhës në vitin 1995, ka dështuar. Kjo, për shkak të mungesës së dëshmitarëve të kërkuar nga ana e organit të akuzës. Gjatë seancës së djeshme, asnjë nga pesë dëshmitarët nuk i është përgjigjur kërkesës së prokurorisë për të dëshmuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Ata duhet të dëshmonin mbi rrëmbimin e trefishtë të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, por ndonëse ishin lajmëruar më parë, nuk janë paraqitur në seancën e radhës ndaj të pandehurve, Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Ilir Kumbaro. Mes dëshmitarëve ishin edhe tre ish-agjentë të SHIK-ut të Sarandës, të cilët duhet të dëshmonin në lidhje me deklaratën e Ziso Kristopullit, nëse ata e njihnin punonjësin e Shërbimit Informativ Kombëtar, i cili kishte takuar Kristopullin në Ksamil. Po ashtu, në cilësinë e dëshmitarit pritej që të paraqitej edhe vajza e Ziso Kristopullit, e cila nuk iu përgjigj kërkesës së organit të akuzës. Për këtë arsye, gjykata vendosi të ripërsërisë kërkesën e saj drejtuar dëshmitarëve, pasi ata janë në listën e personave që mund të japin të dhëna të rëndësishme në lidhje me akuzat që rëndojnë ndaj ish-punonjësve të Shërbimit Informativ Kombëtar. Nëse edhe gjatë seancës së ardhshme gjyqësore dëshmitarët nuk do të paraqiten në sallën e gjyqit, atëherë gjykata do të urdhërojë sjelljen e tyre me forcë nga policia.
Dëshmia e Kristopullit
“Jam goditur dhe rrahur vend e pa vend. Në shputat e këmbëve, në bark, dhe më pas te gjunjët”, tha Ziso Kristopulli, një prej të mbijetuarve të rrëmbyer nga SHIK-u në vitin 1995, gjatë dëshmisë së dhënë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai deklaroi për mbi dy orë e gjysmë të gjitha rrethanat e rrëmbimit të tij, mbajtjes peng në Vain të Lezhës, si dhe torturimin që ju bë përgjatë pesë ditëve nga agjentët e SHIK-ut. Gjatë dëshmisë së tij, Kristopulli ka bërë përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj tij dy prej të pandehurve, Budjon Meçen dhe Ilir Kumbaron, që sipas tij, e kanë keqtrajtuar në mënyrë çnjerëzore. Ndërkohë, Kristopulli tha para gjyqtarëve se, Avdyl Loshajn, të rrëmbyerin tjetër nga ana e punonjësve të SHIK-ut, e njihte për shkak se ai kishte bërë pushimet në lokalin e tij, kurse për shqiptaro-maqedonasin Remzi Hoxha, ai bëri të ditur se kishte dëgjuar vetëm në dhomat ku torturohej. Në dëshminë e tij, Ziso Kristopulli tha se agjentët e SHIK-ut e kishin detyruar me dhunë të firmoste disa shkresa, në bazë të cilave akuzohej për trafik armësh me Serbinë, falsifikim të Kushtetutës, si dhe tentativë vrasjeje të ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Agron Musaraj. Ai tha se ngaqë nuk i duronte dot më torturat, ka firmosur që e njihte edhe Remzi Hoxhën, duke deklaruar se kishte qenë bashkëpunëtor me të. Ndërkohë, gjatë dëshmisë së tij, çuditërisht Kristopulli ka mohuar njohjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, i cili është i akuzuari kryesor në rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, teksa gjatë hetimeve të prokurorisë, Kristopulli kishte deklaruar të kundërtën. Ndërsa për të pandehurin tjetër, Avni Koldashi, ai tha se ky i fundit ishte sjellë shumë mirë me të, dhe se nuk kishte asnjë akuzë ndaj tij. Të vetmit përgjegjës për rrëmbimin e tij, si dhe të Avdyl Loshajt dhe Remzi Hoxhës, Kristopulli ka bërë pikërisht Budjon Meçen dhe Ilir Kumbaron, i pari prej të cilëve gjendet prej disa muajsh në spital, në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa destinacioni i të dytit nuk dihet, megjithëse mendohet se strehohet në Londër.