E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, një shembull fantastik për lehtësitë fiskale

Antena brenda familjes


Kryeministri Berisha dha dje sihariqin se Shqipëria është vendi flamur për lehtësi fiskale dhe lehtësi për biznesin. Lajmi la me gojë hapur të madh e të vogël. Askush nuk e dinte që jetonte në mes të parajsës. Të gjithë kishim idenë se vendet e tjera perëndimore dhe lindore kishin ecur para nesh. Por, me sa duket, ne duke u marrë me punët tona, nuk e kishim parë sa keq shkonin punët tek fqinjët dhe vendet e tjera perëndimore.

Miku ynë Flamur, që ishte marrë me përgatitjen e konferencës për shtyp të kryeministrit, e pikasi hutimin tonë dhe erdhi vetë të na sqaronte.

- He çdo thoni tani, hapeni gojën po deshët.

- S’kemi ç’themi, i thashë. Na la pa tekst. Nuk e dinim që ishim fanar ndriçues në botë për reformat fiskale dhe lehtësi për biznesin. Si i bëhet, i thashë, të na jepni një rast konkret se kështu në përgjithësi nuk besojnë shqiptarët.

- Rast konkret. Ta them unë, po mos e merr për ters. Është ai rasti që ju e kritikoni. Po, ai është rasti model për lehtësi biznesi. Shikoni Albademil. Më 26 dhjetor të 2006 është regjistruar në gjykatë, më 26 dhjetor ka marrë licencën në tatime, më 26 dhjetor ka marrë leje për në Gërdec, më 26 dhjetor ka marrë dhe kontratën e punës nga Ministria e Mbrojtjes. Më gjej mua ti një shtet në botë, që i jep një kompanie brenda ditës të gjithë letrat. Brenda ditës, që nga gjykata deri në frontin e punës në Gërdec. Dhe e ka gjetur dhe godinën gati. Ky është shtet që lehtëson biznesin. Ka ca legena që thonë pse nuk ishin siguruar punëtorët. Por, po qe se i krijohen biznesit këto vështirësi, po i kërkove paraprakisht tatimet për siguracionet, po i kërkove që punëtorët të sigurohen çfarë lehtësire i ke krijuar pastaj. Merreni atë model, studiojeni dhe do të shikoni se sa ka evoluar lehtësia për biznesin.

- Po mos është rast i shkëputur ky Albademil?

- Jo, e ke gabim! Ta them unë e ke gabim. Kemi ecur në të gjitha fushat. Ke problem me tatimet. Shko tek një studio ligjore tek rruga e Barrikadave, në kat të tretë, troket, i thua dua të të kem avokate dhe i mbyll gjithë problemet. S’të bie më shteti në qafë për asnjë gjë. Po natyrisht shteti nuk mund të respektojë çdo avokat rruge. Po gjete të duhurin, të respekton. Po nuk gjete avokat të zotin, në çdo vend të botës humbet. Shteti nuk mund të t’i zgjedhë avokatët. Kur ke avokat të mirë, ne të ndihmojmë për 24 orë. Ja shiko Fatmir Mediun. Kërkoi avokat, nuk gjeti. Gjeti një ish- prokuror, Adrian Vishën, që ai burri e ka cilësuar kokë të mafies dhe Hakmarrjes për Drejtësi. Ja i tha atij burrit që ka nevojë për licencë. Ngriti telefonin ai dhe për 24 orë ia dha. Pa dallime partiake, pa qëndrim politik. Thjesht për t’i lehtësuar biznesin.

- Po për pronat, se mijëra ish- pronarë ankohen.

- Ankohen kot. Nuk ka ankesa nga investitorët për çështje pronësie. Nga pronarë do ketë. Tani se dalin ca njerëz pasardhës të familjes Vlora dhe kërkojnë gjithë tokat që kanë, kjo nuk është e drejtë. Ka dhe njerëz të tjerë Shqipëria. Le të merren vesh me njerëzit e duhur që mund t’ua kthejnë. Tani të gjitha s’mund t’i marrin. Disa pjesë dhe mund t’i humbasin nga sekserët, por tani të marrin ato që munden. Kanë 50 vjet pa to, le të bëjnë si të bëjnë.

- Po mirë, kjo punë e bollëkut si ishte, se varfëria është rritur gjithandej dhe në fshat ka mjerim.

- Mos dëgjoni Edi Ramën, më thuaj mua ti. Sa here dal me atë burrin nëpër rrethe, na këndojnë gjithandej. E di këngën e fundit që kanë ngritur për ne. Ja ta them unë:

Ku je o Sali Bollëku

se na griu kallaballëku

Tani hamë misra pa koqe

Por na kënaq fjala jote

Ka një entuziazëm të paparë kudo që shkojmë. Sidomos këto arritjet e fundit na kanë dhënë shumë dorë. Tani keni për të parë dhe Gërdecin. Të shikojmë kush do dalë dëshmitar. Se Zoti është i madh. Ata që duan të bëjnë keq, i heq qafe. Natyrisht e do një dorë dhe nga ne. Por ai e bën të vetën. Tani s’na ndal dot më njeri. I kisha thënë atij burrit. Sa të mbyllim dhe këtë punën e Gërdecit, se të tjerat ecin vetë. Dhe ke për të parë se si ka për të ecur. Kush të dojë, të durojë. Kush nuk duron, le të dalë për gjah.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›