E Shtunë, 31 Tetor 2026

1934, Musolini "bekon" fitoren e Italisë

Pjesa e dytë e ciklit: “80 vjet rreth planetit të futbollit, 1930-2010

Nga Skifter Këlliçi

Në pjesën e parë të këtij cikli, nëpërmjet kujtimeve të kolegut italian, komentatorit të madh sportiv, Nando Martelini dhe shënimeve të mia,u rrëfeva lexuesve disa nga peripecitë që shoqëruan botërorin e parë të futbollit në Uruguai, më 1930. Katër vjet më pas,më 1934 e kishte radhën Evropa dhe pikërisht Italia që të organizonte botërorin e dytë të futbollit.
“Ky botëror,-vazhdoi Martelini tek vazhdonim më hurbnim verën “Kallmet” në një nga studiot e Radio “Domensione Suonos” në Romë,- u zhvillua tërësisht nën diktatin fashist. Madje tutor i tij ishte vetë Musolini,Në ngadhënjimin e skuadrës italiane,ose skuadrës “axurra”, siç kishte filluar të quhej për shkak të ngjyrës së kaltër të fanellave,ai shihte të paraprirë ëndrrën për përtëritjen e perandorisë romake,që po sendërtohej edhe në në trurin e Hitlerit, i cili kishte ardhur në fuqi një vit më parë dhe që do të kishte si lajtmotiv shprehjen “Dojcland yber ales” (Gjermania mbi të gjitha”).
Ky botëror shënoi gjithashtu një ngjarje të madhe në jetën e përditshme të italianëve-transmetimin për herë të parë të ndeshjeve të këtij botërori me radio. Idhull i tyre u bë Nikolo Karozio,(1910-1984),me të cilin vite më pas do të bëhesha koleg në mikrofon dhe pastaj në kamerën televizive .Ai e kishte nisur karrierën e tij në mikrofon duke komentuar të parën ndesje në historinë ERIAR-it,(kështu quhej RAI atëherë),më 1 janar të viti 1933 në ndeshjen miqësore Itali-Gjermani 3-1,të zhvilluar në Bolonjë. Me zërin e tij të tingullt dhe frazeologjinë e pasur, dhe terminologjinë krejt italiane të krijuar prej tij,ai do të tërhiqte pranë radiove miliona italianë, midis të cilëve edhe mua, djalosh 13-vjeçar, që fillova të ëndërroja që edhe unë një ditë të bëhesha si ai”.
Pasi Martelini shqiptoi këto fjalë, e ndërpreva për t’i thënë se edhe unë,më 1948 kur nuk isha veçse dhjetë vjeç, kisha filluar të imitoja Anton Mazrekun, komentatorin tonë të parë dhe babain e mikrofonit sportiv.
Ndërsa ai vazhdonte rrëfimin e tij, unë ndërmenda bisedat që kisha bërë me Anton Mazrekun, i cili,katër vjet më pas, si Karozio, saktësisht më 1 shtator 1938, do të komentonte në Radio Tirana ndeshjen e parë të futbollit në Shqipëri,(Tirana-Kavalla, fusha e Shallvares,Tiranë).(Por për kujtimet e Mazrekut për botërorët e futbollit do të flas në pjesën e tretë të këtij cikli).
Në bisedë e sipër, ndërmendëm incidentin që ndodhi me uruguaianët dy herë kampionë olimpikë dhe kampionët e botës në fuqi:Ata nuk denjuan të vinin në Itali. Siç duket të fyer ngaqë edhe italianët nuk ua kishin parë derën në Montevideo.
Pra ky botëror u zhvillua pa kampionët e parë të botës..Por kjo nuk u prishi shumë punë të zotëve të shtëpisë, sepse në portën e tyre trokitën plot 33 skuadra,pra 20 më shumë se në botërorin uruguaian. Për herë të parë, që të përcaktoheshin 16 skuadrat finaliste u zhvilluan ndeshje kualifikuese.
Po Anglia?...
Martelini buzëqeshi pas kësaj pyetjeje që i bëri vetes dhe mua dhe vazhdoi: “Sic kishte ndodhur në botërorin e parë ,edhe ata e panë të udhës që të mos ndiznin motorët për të udhëtuar në Itali .Arsyetimet qenë pak të çuditshme: muaji maj,koha pra kur zhvillohej botërori,nuk ishte e favorshëm, sepse atëherë përfundonte kampionati anglez dhe futbollistët do të ishin … të sfilitur. Por a nuk mund të fillonte kampionati më parë? Sidoqoftë,një kundërshtar i fortë më pak,mendonte ndoshta Vitorio Poco, trajneri i axurrëve. Dhe kështu ishte.
Ndërsa Martelini fliste, duke shfletuar revistën ku shkurtimisht përshkruheshin tërë botërorët e futbollit deri më 1990, unë sillja ndërmend sa e sa episode kureshtare nga ky botëror: Axurrët pas një galopimi të këndshëm kundër diletantëve të SHBA-së, që u shoqërua më trokëllimën 7 golave, pa pësuar asnjë,zbritën në fushë plot frymëzim në takimin e zhvilluar kundër Spanjës. Portën e e “stuhive të kuqe”, siç mbiquheshin spanjollët, e mbronte magjistari Zamora, para të cilit u hipnotizua edhe Meaca i famshëm. Por jo vetëm ai. Kështu italianëve u hasi sharra në gozhdë e mezi e mbyllën takimin në barazim,me gjithë shtesën e lojës. Madje u desh të barazonin me anë të Ferrarit, pas golit të parë të spanjollëve të shënuar nga Reguero.
Musolinit me gjerakëve fashistë sa nuk po u rrëshqiste toka nga këmbët. Takimi i dytë u zhvillua të nesërmen. Të dy skuadrat ishin më zgrip të nokautit,por italianët i shpëtoi Maca që “iu spërdrodh” Zamorës dhe shënoi një gol të varfër, por që e shpuri Italinë në gjysmëfinale.
Por edhe më Austrinë “axurrët” e patën pisk. Pasardhësit e Shtrausit, që me “vundertimin” e tyre, (skuadra çudi), së bashku me Hungarinë përfaqësonin shkollën danubiane të futbollit, fillimthi i shastisën të zotët e fushës,mësymjet e të cilëve drejt portes kundërshtare, veniteshin si vesa e mëngjesit
Por me kalimin e minutave “axurrët” u orvatën t’i jepnin kundërshtarit goditje asgjësuese. Krerët fashistë kërkonin fitore “a tutti i costi”,(fitore me cdo kusht)..
Vetëm fantazia e Guaitës u dha më së fundi mundësi “axurrëve” të fitonin me një gol të “vockël”,por që solli një fitore të madhe.
“I mituri mban mend shumë-vazhdoi Martelini.-ndonëse i kisha kapërcyer 13 vjetët..Erdhi kështu dita e finales ,27 maj 1934. Italia do të ndeshej më Cekosllvakinë që në gjysmëfinalen tjetër kishte gjunjëzuar Gjermaminë 2-1. Duhet thënë se jo çdo familje kishte radio. Kështu fqinjët shkonin te fqinjët që kishin këtë mjet magjik, ose mbushnin kafenetë, restorantet si dhe sheshet ku kishte “fortafolës” ,nga ku do të dëgjonin zërin e Karozios.i cili do të sillte nga stadiumi jehonën e kësaj finaleje. Do të kisha dashur edhe unë që të ndodhesha në shkallët e stadiunit të Romës për të parë këtë ndeshje,por ishte e pamundur. Kështu që e ndoqa atë me radio. Dhe nëpërmjet zërit të Karozios përpiqesha të përfytyroja zhvillimin e ndeshjes”.
Këtë ndeshje e ndoqi edhe vetë Musolini. Sic dëshmonte më pas Xhyl Rimeja, presidenti i FIFA-s, i cili ishte pranë Duçes, ai nuk kishte fare haber nga futbolli e mbeti i ngrirë gjatë takimit. Por kur Skiavo shënoi golin e fitores fytyra e tij e përndrit dhe ai sikur u çlirua nga një barrë e rëndë.”
Italianët kanë epërsi,por golin e parë e shënojnë cekët me anë të Pucit. Mbeten vetëm 21 minuta lojë.Pasi kalon disa çaste nervozizmi, skuadra axurra “galvanizohet” dhe Monti që katër vjet më parë ka luajtur në Uruguai me fanellën e Argjentinës pra është italiani natyralizuar,(ashtu si Orsi), merret vesh me Ferrarin dhe “vendimin” që marrin, e vë në jetë Orsi më një goditje të pamëshirshme. Përsëri shtesë loje si me spanjollët. Dhe pastaj goli historik i Skiavios që bie i alivanosur për tokë,i mbuluar nga puthjet dhe përqafimet e shokëve.

“Sidoqoftë, –kujtonte Martelini,-Cekosllovakia dëshmoi se nga niveli teknik ishte skadër më e mirë se Italia.Por në fitoren e axurrëve ndikoi edhe fakti se botërori zhvillohej në shtëpinë e tyre.” Para takimit Itali-Austri trajneri austriak ,Ugo Meisl deklaronte:”I kam frikë italianët, por jo më shumë se gjyqtarin”.Në fakt shtypi botëror dhe madje italian vinin në dukje se “axurrët” u favorizuan gjatë këtij botërori edhe nga gjyqtarët në takimin Itali -Spanjë dhe Itali Austri. Sidomos në takimin e parë me spanjollët,kur Zamora pas ndërhyrjes drejt topit, u rrëzua nga një sulmues italian dhe si rrjedhim pësoi gol, që duhej të ishte anuluar. Italianët janë kampionë të botës.

Finalja
Itali- Cekosllovaki 2-1,
pas 120 minutash loje,10 maj 1934.

Italia:Konti ,Manxelio, Alemandi, Ferrari I, Monti, Bertolini, Guaita, Meaca, Skiavio, Ferrari, Orsi.
Cekosllovakia:Planicka, Zenicek, Ctiroku, Kostalek, Kambal, Junek, Svoboda, Sobotka, Nejedli, Puc.

Golashënuesi më i mirë:
Nejedli,(Cekosllovaki) 5 gola.

Nga galeria e yjeve:
Meaca,(Itali), Planicka,(Cekosllovaki), Sindelar,(Austri), Zamora,(Spanjë), Orsi,(Itali), Kombi,(Itali),

Tabela e rezultateve

Faza finale:

Gjermani-Suedi 2-1
Çekosllovaki -Zvicër 3-2
Austri -Hungari-2-1
Itali-Spanjë 1-0, (ndeshje suplementare)

Gjysmëfinale

Çekosllovaki-Gjermani 3-1
Itali-Austri 1-0

Për vendin e tretë
Gjermani-Austri 3-2

Finale
Itali-Çekosllovaki 2-1

19 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›