E Shtunë, 31 Tetor 2026

2-Kur zviceranët donin të arrestonin Putinin



Teodor Laço kthehet nga Moska, duke promovuar dy libra në Tiranë: shënimet publicistike “Një dritare në Kremlin, nga Hurshovi te Putini”, si dhe romanin “Vrasja e buzëqeshjes”, botimet “Toena”. Në romanin “Vrasja e buzëqeshjes” shkrimtari Teodor Laço i kthehet trajtimit artistik të një prej problemeve sociale më të rënda të realitetit të brishtë të Shqipërisë së viteve të demokracisë, atij të gjakmarrjes. Ndërsa libri “Një dritare në Kremlin”, konsiderohet një shartim i historisë me fiksionin, një kuturisje karakteristike e shkrimtarit duke ardhur në ndihmë për hapjen e dritares në kështjellën që rusët e quajnë Kremlin, me një brendësi plot mistere. Më poshtë është shkëputur një pjesë nga libri “Një dritare në Kremlin”, kapitulli “Zgjimi i ariut” që zbulon marrëdhëniet politike të Putinit në Rusi, si erdhi në krye të shtetit dhe situata ekonomike, politike e vendit; çfarë përjetuan rusët me Presidentin e ri, të fshehtë, e të rezervuar

100 ditët e para quhen si trampolinë e qeverive të reja që vijnë pas krizave. Këtij rregulli nuk mund t’i reshtej as Presidenti i ri, aq më tepër kur legjitimiteti i fitores që në turin e parë, ia jepte këtë shans. Me energjinë, vullnetin, sistematizimin dhe veprimet paralele, ai iu fut reformimit të rutinës që mbetej nga sistemi e stili i Jelcinit. Në shfaqjet e tij publike, jo vetëm premtonte një kurs të ri, por nuk ngurronte të kritikonte qeverisjen e Jelcinit. Në një xhungël problemesh që i dilnin përpara, ai zgjodhi tri shtigjet kryesore: politikën e jashtme, reformimin e strukturave të Federatës dhe stabilizimin financiar. Paketa e reformimit parashikonte këshillin e saj, vetëqeverisjen vendore dhe të drejtën për shkarkimin e guvernatorëve nga detyra. Ata kishin ndikim e pushtet të madh politik. Njëherit me këtë nismë, kundër tij u hap një front i dytë nga oligarkët Gusenko, Potanin, Vjahirev, Cubais, Alekperov. Lindi rreziku i prishjes së konsensusit të brishtë, i kthimit në një qëndrim destruktiv nga qarqet e fuqishme të oligarkëve. Putini e frenoi sulmin. U mjaftua me zbulimin e fushëbetejës. Për një sulm frontal në sektorët e politikës e të biznesit, atij i duhej një mbështetje politike kolosale. Por hë për hë, mbështetja e tij ishin aparatçikët dhe ato që quhen “grupet e forcës”, ushtarakët, shërbimi special si dhe dhoma e ulët e parlamentit dhe lëvizja “Jedinstvo” (“Uniteti”), që ende mbetej një parti politike më shumë virtuale sesa reale. Qysh në atë fillim, Jelcini e mendonte seriozisht krijimin e një partie qeveritare, që të ishte në top-listën e partive e lëvizjeve politike që krijoheshin e prisheshin, pa krijuar ende një pluripartitizëm të qëndrueshëm. Me ligjet e mëvonshme zgjedhore, në 2003 nga 190 parti që ekzistonin në 1990, mbetën 44. Putini mbrojti sistemin e 2-3 partive dhe zgjedhjen e kandidatëve nga autoritetet politike të vendit, si veprohet në Perëndim.

Duke analizuar arritjet e para të Putinit, në shtyp u shfaqën dukshëm mbështetësit dhe kundërshtarët. Me një turne vizitash në Pekin, Fenian, Okinava dhe bisedimesh me Irakun, Palestinën e Libanin si dhe me shpartallimin e shumë luftëtarëve çeçenë, ai bëri çarjen e parë në frontin e kundërshtarëve të tij. Por shtypi kundërshtar i kontrolluar nga Gusinski, Berezovski, Potanini etj. ishte shumë më agresiv. Ai gjuante edhe lajthitjet më të vogla e më të parëndësishme të Presidentit. Vetëm pak media të pavarura u shprehën me realizëm se Presidenti duhet ndihmuar e jo t’i vihen shkopinj nën rrota. Si edhe më parë, vinin shumë kritika si nga e majta ashtu dhe nga e djathta për veprimet e forcave federale në Çeçeni. Pas fitoreve të para, që ndikuan shumë në rritjen e rejtingut të tij, rezistenca u kthye në organizime partizane, terroriste dhe humbjet ruse, në një luftë që u quajt e fituar, ishin të njëjta me ato të luftës së parë çeçene. Ishte e lehtë për opozitarët e vjetër dhe të rinj që sërish situatën e vështirë të vitit 2000, kur pati edhe korrje të këqija për shkak të thatësirës, t’ia faturonin liderit të ri. Berezovski, tashmë i vendosur jashtë shtetit për t’iu shmangur prokurorisë ruse, parashikonte se Putini nuk do ta mbante më shumë se 2-3 vjet pushtetin.

Në fillimet e tij, vëzhguesit e vlerësonin kolonel Putinin si takticien e jo si strateg. Por veprimet e vendosura për kufizimin e pushtetit të drejtuesve të subjekteve të federatës, provuan të kundërtën. Ai nuk u la kohë senatorëve e guvernatorëve të provincës të bashkohen, të organizohen e të frenonin ndryshimet radikale.

* * *

Putini e dinte se qortimet e kritikat kryesore do të binin mbi mungesën e një programi ekonomik, e një kursi reformash. Këtë mungesë nuk mund ta harronte tani për asnjë ditë. Specialistët e tij të afërt të ekonomisë u vunë të hartojnë programe të shpejta, nga të cilët u zgjodh ai që hartoi Herman Grefi. Programi nuk u pranua pa kundërshtime brenda qeverisë, pavarësisht se ai doli si një dokument i pranuar njëzëri. Vetë Kryeministri Kasjanov nënshkroi jo një program afatgjatë, por një program 18-mujor, që sipas tij do të korrigjohej çdo vit. Ky vlerësim tregon se programi nuk u quajt asnjëherë i plotë dhe i qëndrueshëm. Analistë të ndryshëm, madje, thonë me keqardhje se vendi mbeti katër vjet pa timonin e një programi të qartë e të detajuar ekonomik. E djathta ruse, liberalët dhe ekspertët perëndimorë e pritën me rezerva programin e Grefit. Thuhej se platforma e tij liberale mund të ishte një maskim për forcimin e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi e në biznesin privat. Liberal-monetaristët, nëse kishin ndonjë ngasje për t’i fshehur gjërat, këtë e bënin për të mos shqetësuar popullin e tyre nga vendimet e ardhshme që do të preknin mjaft edhe sferën e mbrojtjes sociale nga shteti. Kurse të majtët nuk gjenin te programi i Grefit asgjë të re nga ai i Gajdarit i vitit 1990. Kriza ishte te pragu i derës. Por kriza nuk ndodhi. Në skenë doli një faktor që u bë atuja e rusëve. Çmimet e naftës në tregun botëror u dyfishuan menjëherë. Reagimi i shtresave të gjera që prisnin reforma sociale, ishte sërish negativ. Kundër projektit për ngritjen e moshës së pensionit, sipas sociologëve anketues, shpreheshin 89%, kundër pakësimit të kontributit shtetëror për arsimin e shëndetësinë, 91%. Nëse do të binte çmimi i naftës dhe gazit, si ishin prognozat, situata makroekonomike që dukej në përmirësim, do të pësonte një rënie dramatike. Por koniunktura e tregut botëror të karburanteve u bë aleati më i vyer i Putinit. Dhjetë vitet e fundit çmimi i naftës në tregun botëror kishte qenë 18.4 dollarë për fuçi. Që në vitin e tij të parë të tij arriti 35 dollarë, dhe grafiku njohu vetëm ngjitje për të arritur te rekordi i vitit 2007 në 100 dollarë. Kërkimet e investimet në industrinë e naftës u derdhën pa kursim dhe gjatë këtyre viteve prodhimi arriti të jetë sa dyfishi i gjithë BRSS-së në vitet më të mira të tij. Kritike mbetej gjendja e bujqësisë. Pas një viti të mbrapshtë për të, Rusisë i duhej të importonte mbi 9 milionë tonë drithëra. U programua një subvencionim i madh për fermat bujqësore që zinte gati 75% të kreditit. Një rënie shqetësuese kishte pësuar demografia e vendit. Raporti midis vdekjeve e lindjeve ishte alarmant. Çdo vit vdisnin 750.000 vetë dhe lindnin vetëm 250.000 fëmijë. Popullsia e Rusisë vazhdoi të pakësohej vit pas viti, derisa më 2007 pati një rritje të vogël, pasi u bë një program nxitës për lindjet. Medikamentet vinin nga importi, me çmime të kripura për njeriun e thjeshtë. Në kohën e BRSS-së 70% të medikamenteve prodhoheshin në vend, në fillim të shekulli të ri vetëm 3%. Në statistikat për ushqyeshmërinë, Rusia zbriti në vendin e 67 në botë. Në programin e Grefit dhe jetësimet e tij të para, u vunë re edhe kontradikta të tjera. Nga njëra anë bëheshin indeksime të çmimeve, rritje e pensioneve dhe pagës minimale, nga ana tjetër vazhdohej me shkurtimin e shumicës së programeve sociale. Kjo reformë kundërshtohej fort edhe nga brenda kabinetit qeveritar nga vetë Kryeministri Kasjanov. Putinit, mbështetësi kryesor i këtij kursi, iu desh të përballohej me një valë të madhe të pakënaqësisë popullore, me grevën e urisë të mësuesve, mjekëve, minatorëve, punonjësve të aeroporteve. Për çudi, as në strategjinë e Grefit, as në programin e qeverisë nuk zihej fare në gojë politika antimonopol. Tregu i konkurrencës vazhdon ende të jetë tepër i egër, gjë që ka sjellë rritjen e banditizmit, krimit të paguar, shkatërrimin e aseteve të konkurrentit etj. Në këto ujëra u vërtit reforma ekonomike deri në vitin 2003. Objektivat strategjike për reformimin e ekonomisë nuk u zgjidhën dhe u shmangën në veprime taktike afatshkurtra. I gjendur në një udhëkryq që ndoshta nuk e kishte parashikuar, ai filloi hap pas hapi të merrte frerët vetë, duke shtuar dozat e autoritarizmit. Që pas fitores së zgjedhjeve në maj 2000 deri në pranverën e 2001, i nxitur në nënvetëdije nga mësimi i vjetër leninist se kuadrot zgjidhin gjithçka, ai solli në postet kyçe të ekonomisë e të mbrojtjes peterburgasit e tij. Në krye të ekonomisë erdhën Kudrini e Grefi, në shërbimin e zbulimit të jashtëm Lebedjevi, shërbimit të sigurimit kombëtar Murovi. Megjithatë nuk e ndryshoi prokurorin e përgjithshëm dhe vazhdoi kompromisin e heshtur me Kasjanovin, që quhej si njeriu i “familjes” së Jelcinit.

100 ditët e para ishin vërtet të ndërlikuara e të vështira edhe në marrëdhëniet brenda organeve qeverisëse, aq sa flitej për një krizë që do të kërkonte ndryshime të mëdha. Kundërthëniet brenda kabinetit për çështje financiare, për programet sociale, rritjen e tarifave, akcizave ishin të njohura edhe për popullin. Një sërë faktorë negativë, si dështimi në mbledhjen e taksave sipas sistemit të ri, refuzimi i Parlamentit për të votuar ligjet për akcizat, tarifat e uljen e programeve sociale, rritja e pritshme e vlerës së dollarit, kritika për eklektizëm të programit nga institucionet financiare ndërkombëtare, mungesa e investitorëve të huaj si dhe disa faktorë subjektivë si dyshimi për implikimin e Kryeministrit Kasjanov në një sferë spastrimi parash nëpërmjet Bankës së Nju Jorkut, e bënin gjendjen të dukej më e errët sesa qe. Një gazetë vendase dha lajmin se prokuroria zvicerane që ndiqte çështjen, ishte gati të nxirrte urdhrin për arrestimin e Kryeministrit rus. Pakënaqësia për Presidentin e ri u shtua në samitin e “Tetëshes” në Okinava.

Putinit nuk iu falën 42 miliardë dollarë të borxhit si ishte negociuar dhe iu dha vetëm një afat 10-vjeçar për shlyerjen. Ngjarjet e mëtejshme, jo vetëm e nxorën Kasjanovin pa lagur, por prestigji i tij si “Kryeministër teknicien” u rrit, pas disa sukseseve në frontin e politikës së jashtme. Jo vetëm kaq. Ai filloi ta rritë peshën e tij edhe në terrenin e brendshëm politik, ku deri atëherë nuk kishte pasur mbështetës. Kjo karrierë vazhdoi për 4 vjet.

* * *

Vizitat e para jashtë vendit, si edhe paraardhësit e tij, Putini nxitoi t’i bënte në Perëndim: në Spanjë, Itali, RFGJ e në Britaninë e madhe. I gjithë ky lëmë, doli pa bereqet. Me përjashtim të ristrukturimit të borxheve të Rusisë në klubin e Londrës, nuk mbeti asgjë tjetër për t’u shënuar. Atë që s’mundi ta arrijë me politikanët e ftohtë e pragmatistë të Perëndimit, ia doli mbanë me politikanët hipokritë të lindjes, pas vizitave në Kinë, Korenë e Veriut e Japoni. Në Kinë u nënshkrua një dokument për “partneritet strategjik”. Vëzhguesit vunë re se 2 nga 5 dokumentet e nënshkruara në Pekin, kishin një orientim antiamerikan. Në Moskë gjatë vizitës së Klintonit dhe në Okinava ai dha prova se mund të këmbëngulë fort në pikëpamjet e tij dhe t’i thotë palës amerikane një “jo” të fortë. Bisedimet në Moskë, samitit në Okinava dhe takimit në Kemp Dejvid, shumica e analistëve i cilësuan si humbje për Klintonin, i cili nuk donte ta linte postin pa hipotekuar ndonjë sukses në politikën e jashtme. Jo më pak e rëndësishme ishte edhe shtimi i madh i volumit të shkëmbimeve tregtare me Kinën. Por vendi ku u prit si hero, ishte Koreja e Veriut. Pas një izolimi të gjatë ndërkombëtar, ai vinte aty jo për një vizitë të zakonshme, por pasi i kishte koordinuar të gjitha hapat me Kinën që quhej vëllai i madh i Koresë, kështu që gjatë samitit në Japoni, ai pati në dorë një kartë të fortë. Njoftoi se Koreja e Veriut ishte gati të hiqte dorë nga programi i saj teknologjik i raketave me mbushje bërthamore. Këto u çmuan si suksese të padiskutueshme të politikës së tij të jashtme. Rusia po hidhte hapin e parë drejt rifaktorizimit të saj në botë. Kancelari gjerman Shrëder, njëri nga më entuziastët për sukseset e fillestarit Putin, propozoi të pranohej Rusia në përbërjen e 7-shes që tani do të bëhej 8-shja e madhe. Duke dashur të shmangë nga rendi i ditës problemin çeçen, ai nënvizoi rrezikun e terrorizmit dhe ekstremizmit destabilizues nga Filipinet deri në Kosovë. Kredo e tij në këtë pikë ishte “Kërcënimi i ri i sigurisë së vendit është terrorizmi ndërkombëtar”. Kontakte më të mira u vendosën me Francën dhe me Japoninë, por guri i pengesës për raportet me të, mbeti problemi i pronësisë mbi katër ishujt. Gjatë vizitës në Okinava, Anatoli Cubajsi prezantoi projektin gjigand të një ure energjitike midis Sahalinit dhe Japonisë dhe kjo nuk mund të quhej rastësi. Morisë së problemeve të jashtme iu shtua edhe një tjetër, shumë i rëndësishëm, gjeopolitik: si do të ishte politika afatgjatë e Rusisë në kahun aziatik? Shumë nga këto lëvizje tregonin se ai po nxiste një frymë antiamerikane, jo vetëm duke ia zgjatur dorën e miqësisë Kinës e Koresë së Veriut, por edhe sepse gjatë pritjes së përzemërt që iu bë nënkryeministrit të Irakut, Tarek Aziz, u deklarua se Rusia ishte për heqjen e sanksioneve kundër Irakut, madje në kuadrin e OKB-së, Rusia do të merrte pjesë në rindërtimin e saj. Reaksioni që u ngjall në Amerikë ishte i menjëhershëm. Klintoni i quajti të papranueshme kontaktet dhe lidhjet e bashkëpunimit të Rusisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me Irakun. Në një mënyrë të përmbledhur, mund të themi se në etapën e parë të presidencës së tij, Putini jo vetëm u mbështet në pozitat e forcës gjatë bisedimeve me SHBA, por edhe u shtriu dorën e miqësisë armiqve të saj. Nëse ky vektor do të mbijetonte, specialistët parashikonin një afrim të ri edhe me Kubën.

* * *

Brenda strukturave e njerëzve influentë të vendit, po ngjizej dita-ditës koalicioni anti-Putin. Gurin e themelit të këtij koalicioni e vuri Berezovski. Oligarku idhnak e hakmarrës, në maj të 2000-shit doli me një letër të hapur për presidentin, ku e akuzonte për uzurpimin e pushtetit, që lidhej me reformën e organizimit të qarqeve federale dhe projektin për reformimin e Këshillit të Federatës. Letra u komentua në fillim si një orvatje e politikanit ambicioz për të rifituar ndikimin e dikurshëm në Kremlin, por shpejt u kuptua se synimi ishte më i madh: destabilizimi i gjendjes së brendshme. Berezovski bëri çmos që të bënte për vete guvernatorët e pakënaqur, por shpejt u pa se ata, secili më vete, llogaritnin lëkurën e tyre. Atëherë ai shpalli formimin e partisë së vet, të oligarkëve e guvernatorëve dhe formoi një media-hollding të fuqishëm me kanalet televizive ORT dhe TV-6, gazetën “Njezavisimaja gazeta” dhe “Komersant”, radiostacionin “Majak” etj. Putini hodhi në opozitë kundër vetes, jo vetëm grupin e Berezovskit, që bashkë me ish-sekretarin e KQ-së së PK Jakovlev dhe 7 autorë të tjerë botuan një pamflet “Adresim te populli”, por edhe shumë nga krerët e rajoneve e guvernatorët e fyer prej humbjes së statutit të tyre politik, pas reformës për rregullat e formimit të Këshillit të Federatës. Berezovski ia doli të rekrutojë edhe disa autoritete të inteligjencës krijuese si Aksjonov, Govoruhin etj. dhe deklaroi krijimin e një lëvizjeje antiautoritariste me emrin “Qytetërimi”. Kundërgoditja i dukej Putinit mënyra më e sigurt për të hequr qafe këtë opozitë të mbarsur deri në fyt me para. Drejtuesi i “Media-Most”, Gusinski, u arrestua. Gjatë pyetjeve në prokurori doli se ai kishte marrë nga shteti 1.3 miliardë dollarë kredi dhe nuk kishte shlyer pothuajse asgjë. Më vonë Gusinskit iu hoq arresti me garant pasurinë dhe “Gazprom-Media” i bleu aksionet e tij me gjithë 25 SMI. Nuk iu shpëtoi sulmeve as Anatoli Cubaisi. Aksionerët e huaj u shprehën kundër planeve të rekonstruktimit të RAO ‘JES ROSSII’. Por oligarku iu rrëshqiti gjithë akuzave dhe përmbushjes së ëndrrës së tij për bashkimin e dy monopoleve më të fuqishme, MPS dhe RAO. Duke komanduar realisht gjithë shpërndarjen e energjisë, i ngriti disa herë tarifat, pa ndonjë investim serioz për modernizimin e tyre. Ai mbeti i paprekur. Thuhej se qeveria mbyllte sytë për të “edukuar” rusët me konceptin se edhe energjia është një mall dhe për të duhet paguar, jo si më parë kur thuajse nuk paguhej asgjë. Synimi i Putinit për të marrë paketat kontrolluese në shoqëritë e mëdha që ishin privatizuar, u komentua nga Cubajsi si deprivatizim që minon themelet e shtetit, kurse arrestimin e Gusinskit e quajti: “Fillimi i krijimit në Rusi të një shteti gjysmëfashist”. Ai u akuzua gjithashtu se kishte shkelur vendimin e Dumës shtetërore që aksionerët e huaj të mos zotëronin më shumë se 25% të paketës, duke iu lënë atyre 33%. Por për këto akuza nuk u bë ndonjë hetim e as ndonjë koment publik. Cubaisi mbetej i paprekur. Një oligark tjetër, Hodorkovski, në kohën e këtyre zhvillimeve, dha një intervistë në një gazetë gjermane ku tha hapur se investuesit e huaj nuk duhet t’i futin kapitalet e tyre në Rusinë e pastabilizuar ekonomikisht e politikisht. Lideri i partisë SPS, Boris Njemcovi ndërhyri te Putini për një tryezë të rrumbullakët me oligarkët, për të vendosur rregullat e lojës. Ky pranoi, por tha se takimi mund të bëhej kudo, përveç Kremlinit ku oligarkët nuk do të shkelnin kurrë. Është intrigues fakti që aty nuk vajtën peshkaqenët më të mëdhenj: Gusinski dhe Berezovski si të padëshirueshëm për Kremlinin, por as Abramoviçi e Mamuti i MDM Bank si aleatë të tij. Cubaisi gjeti një arsye “diplomatike”, një vizitë pune në Finlandë. Vlerësimet e “tryezës” ishin kontradiktore. Nga njëra anë u tha se nuk do të prekeshin privatizimet e bëra në vitet 1990, nga ana tjetër oligarkët nuk morën asnjë garanci për paprekshmërinë e tyre.

Në vitin e parë të presidencës së Putinit, por edhe më vonë, lufta e Putinit me oligarkët pati një karakter joefektiv. Nuk u bë asnjë rishpërndarje e pasurive të zhvatura me metoda banditeske. Numri i tyre erdhi duke u shtuar. Sulmi kishte thjesht karakter psikologjik. E kaluara lihej nën hije, në të sotmen ata duhej të bëheshin ortakë të bindur të shtetit. Sigurisht, nuk mund të kuptohej kuadri pa koka turku. Hodorkovski u dënua, bashkë me falimentimin e “Jukos-t”, Berezovski, Gusinski, Potanini u strehuan në Perëndim, por mbetën Abramoviçi, Mamuti, Aveni, Deripaska. Përzgjedhja kishte një kriter të thjeshtë. Ata që shfaqën edhe ambicie politike, kishin hak dajakun. Të tjerët do të mbeteshin aleatë. Kur e pyetën Abramoviçin, pronarin e klubit të futbollit “Çelsi” në Londër, përse ai është aq i mirëpritur në Rusi (në atë kohë madje Putini e kishte emëruar guvernator të Kamcatkës) ai u përgjigj thjesht: “Sepse unë nuk kam ambicie politike!” Një nga arsyet e mbetjes në mesrrugë, i vishet edhe sistemit të korruptuar gjyqësor, dënimeve të papërfillshme të tij. Prokuroria e Zvicrës bëri diagnozën më të saktë: “Në qoftë se nuk bëhet asnjë proces gjyqësor serioz për ndonjë nga oligarkët, shoqëria do të ketë të drejtë të dyshojë se Putini bën lojë të dyfishtë”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›