E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jesh gati për të hyrë në BE



Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë drejt BE-së, duke bërë të mundur që çdo politikë apo strategji t’u përshtatet rregullave të këtij komuniteti. Jashtë kësaj vëmendjeje nuk kanë mbetur qytetarët e thjeshtë të cilët në të shumtën e rasteve nuk kuptojnë avantazhet e hyrjes në Bashkimin Evropian. Shumica e shqiptarëve perceptojnë se me hyrjen në BE, përfitimi i vetëm do të jetë udhëtimi pa viza. Integrimi në Bashkimin Evropian përfshin një gamë të tërë sjelljeje të shtetit në kushte të reja, për të cilat qytetarët duhet të informohen

Në kuadër të kësaj, qeveria shqiptare nënshkroi në Bruksel në datën 2 shkurt, një memorandum mirëkuptimi “Evropa për qytetarët”, një program i cili do të financojë informimin e qytetarëve shqiptarë. Nëpërmjet këtij programi, me fonde të BE-së, do të realizohet një fushatë e tërë informimi për qytetarët në lidhje me integrimin në këtë familje. Cilat janë avantazhet, çfarë do të fitojë vendi, çfarë do të humbasë si dhe çfarë do të fitojnë qytetarët e thjeshtë? Këto do të jenë temat e këtij programi, i cili ka si synim që të përgatisë qytetarët shqiptarë si qytetarë evropianë. Programi ka nisur të zbatohet në disa vende që nga viti 2004, duke parë përvojën me Bullgarinë dhe Rumaninë, qytetarët e së cilave, patën ankesa nga hyrja në BE. Ndonëse në kushte krejt të tjera nga këto vende, Shqipëria do të përfitojë nga ky program për të sensibilizuar qytetarët. Bullgaria dhe Rumania hynë me shpejtësi në BE, duke bërë që jeta të ndryshojë shpejt në ato vende, pasi hyrja në zonën e euros u shoqërua me rritje çmimesh, me reformat të shpejta dhe me një pesimizëm te qytetarët. Shqipëria ka zbatuar një program më korrekt në kohë dhe hapësirë. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit ka bërë që kufijtë ekonomikë të hiqen në mënyrë graduale, si dhe në të njëjtën formë Shqipëria ka realizuar reforma. Hyrja në BE e Shqipërisë nuk do të ndodhë papritur dhe kur të ndodhë, qytetarët nuk do të përballen me të papritura.

Qëllimi i programit “Evropa për qytetarët” ka si synim të promovojë pjesëmarrjen e demokracisë, dialogun ndërkulturor, zhvillimin social, rritjen e njohurive mbi ndikimet e politikave të përbashkëta që realizon BE-ja si dhe më e rëndësishmja, punësimi në të gjitha vendet e BE-së. Programi do të nisë që këtë vit me informimin e qytetarëve shqiptarë të cilët do të jenë më të informuar për sa i përket temës se ç’do të thotë të jesh qytetar i BE-së, ku përfiton dhe ku humbet. Memorandumi kaloi në Kuvend për t’u miratuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›