Lufta ndaj krimit në Ballkan, më shumë bashkëpunim mes policive të rajonit
Drejtuesit e policive të Ballkanit kanë premtuar më shumë bashkëpunim mes tyre, duke qenë se ky rajon është një zonë e preferuar nga organizatat kriminale për trafiqet e paligjshme. Drejtori i Policisë Italiane, Prefekti Antonio Manganeli ka mbledhur në Beograd drejtorët e policive të vendeve të Evropës Juglindore, për të diskutuar për luftën ndaj krimit të organizuar, krimit ndërkufitar.
Rëndësi të veçantë Prefekt Manganeli i kushtoi bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacionit në kohë reale, trajnimit të punonjësve të policisë duke shkëmbyer përvoja, si dhe ngritjes së grupeve të përbashkëta të hetimit. Si model bashkëpunimi ndërmjet dy policive, shqiptare dhe asaj italiane, Manganeli ka përmendur sukseset në luftën ndaj krimit të organizuar, duke marrë si shembull nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë diskutimit për bashkëpunimin policor drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit bëri publike disa nga operacionet e përbashkëta të zhvilluara me Policinë Italiane dhe atë të Malit të Zi. Gjatë tri viteve të fundit Policia Shqiptare ka përfunduar me Policinë Italiane 29 operacione të përbashkëta, gjatë të cilave janë arrestuar 68 persona, janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, armë e automjete.