E Diel, 1 Nëntor 2026

2 aksidente brenda ditës në Durrës, vdes 1, plagosen 4 persona

Dy aksidente kanë ndodhur brenda një harku të shkurtër kohor në Durrës, ku një person ka humbur jetën dhe 4 të tjerë kanë përfunduar në spital në gjendje të rëndë. Një makinë fuoristradë me targa Dr 32 51 D ka përplasur për vdekje një kalimtar. Shtetasi 54- vjeçar Vangjel Shabani, po kalonte rrugën në zonën e njohur si shtëpia e Kuqe, në lagjen 13 të plazhit. Frenimi i fortë i automjetit nuk ka qenë i efektshëm për shkak të lagështisë së rrugës. I aksidentuari dhe është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin rajonal të Durrësit, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, por të pasuksesshme. Sipas mjekëve, ai nuk ka mundur të qëndrojë në jetë, si pasojë e plagëve të mëdha që kishte marrë. Policia ka bërë verifikimet e duhura dhe ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, 40- vjeçarin nga Sukthi, Kujdesi Shehu. Ndërsa në orët e pasdites së djeshme ka ndodhur edhe një aksident tjetër. Një fuoristradë tjetër me targa Tr 60 07 R duke ecur ne drejtimin Durrës-Tirane ka dalë nga rruga në kushtet e shpejtësisë dhe të kohës së keqe me shi dhe është përmbysur ne zonën e Maminasit. Në të udhëtonin 4 pjesëtarë të një familjeje, të cilët pas përmbysjes së mjetit kanë marrë plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Ata janë dërguar menjëherë drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës. Të dhënat e policisë rrugore tregojnë se të 4 personat i përkasin një familjeje. Të plagosurit janë Hazir Seiti, 57 vjeç, bashkëshortja e tij Anisa Seiti, 53 vjeçe, djeli i tyre Hysen Seiti, 34 vjeç dhe një tjetër grua e familjes, Behije Seiti, 65 vjeçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›