Gripi i Derrit, dogana ndalon hyrjen e mishit të derrit
Gripi i derrit, ka bërë që të shtohen masat e sigurisë në doganën e Durrësit. Në vendin tonë nuk ka asnjë shenjë të këtij virusi, por pavarësisht kësaj dogana e Durrësit në bashkëpunim me drejtorinë e Bujqësisë ka marrë masa me qëllim monitorimin e situatës dhe kontrollin e rreptë të produkteve shtazore që hyjnë në vendin tonë nga kjo doganë.
Brenda territorit të doganës është ngritur një karantinë e përbërë nga pesë inspektorë të cilët monitorojnë të gjithë produktet shtazore që hyjnë nga kjo pikë doganore. Drejtori i doganës së Durrësit, Arben Ibro pohon se situata është nën kontroll dhe se gjithçka monitorohet nga institucionet përkatëse. Sipas drejtori Ibro, janë marra masa për bllokimin e çdo ngarkese me mish derri, qofshin këta dhe nga vendet e Europës, duke mos lënë vend për panik. Inspektorë veterinerë, deklarojnë se ngarkesa më e fundit e mishit të derrit ka qenë në 27 mars, nga Brazili dhe pohojnë se situata epidemologjike po ndiqet rregullisht nga drejtoria e bujqësisë si dhe ajo e shëndetit publik. Ndërkaq, përsa i përket kontrollit dhe intervistimit sanitar të emigrantëve që futen nga dogana e Durrësit, masat pritet ndërmerren menjëherë pas udhëzimeve përkatëse që do të nxirren nga Ministria e Shëndetësisë. Autoriteti Doganor Shtetëror ka bërë të ditur se situata është nën kontroll dhe deri tani nuk ka asnjë sinjal për këtë sëmundje, ndërkohë që situata vëzhgohet nga institucionet që kanë detyrë funksionale marrjen e masave në të tilla raste. Dogana ka theksuar se qytetarët nuk ka arsye që të shqetësohen pasi se asnjë gram mish derri nuk do të lejohet të hyjë në tregun shqiptar nëpërmjet portit.